Pas Zotos edhe Bllako “arratiset” nga burgu për në shtëpi

109
Sigal

Ish-deputeti Bllako i arrestuar për skandalin e inceneratorëve lirohet nga burgu me “arrest shtëpie”. Media më prestigjoze e Brukselit, Euroaktiv: Vjedhja historike në Shqipëri në vlerën e 430 milion eurove, po mbyllet nga gjykatat. SPAK: Do e ankimojmë! Ndërkohë që për landfillin e Sherishtës në Vlorë, Zoto ka marrë edhe 21 mln. euro, por landfilli nuk ekziston

Ish deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako ka lënë këtë të enjte qelinë. Bllakos iu është ndryshuar masa e sigurisë, nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpie’. Bllako nga qelia e burgut kërkoi disa herë ndryshimin e masës, pasi pretendon se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për një masë sigurie ekstreme si ajo e ‘arrestit me burg’. Avokati i tij mbrojtës, Sokol Hazizaj ka argumentuar para GJKKO, se përse duhej nxjerrë jashtë qelisë klienti i tij. Avokati ka theksuar se gjendja e familjes së tij është e rënduar, kjo pasi Bllako është baba i 2 fëmijëve 2 vjeç dhe një fëmije 7 vjeç, ndërsa pas arrestimit nuk kanë patur përkujdesjen e nevojshme, pasi nëna është e punësuar dhe lëviz nëpër rrethe. Por duket se SPAK, nuk është shumë i lumtur me vendimin që ka marrë gjyqtarja Irena Gjoka. Në disa reagime publike, SPAK është shprehur se nuk ekzistojnë kushtet për ta liruar dhe se do të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit. “Nuk jemi dakort me vendimin e gjykatës. Nuk ishin kushtet për ndryshim mase. Do ta apelojmë menjëherë,”-thuhet në reagimin e SPAK.

Euroaktiv/ Inceneratorët, vjedhje historike! Gjykata: Bllako ‘gjynah’

‘Skandali më i madh i korrupsionit dhe abuzimit financiar në historinë shqiptare’ është cilësuar nga media e njohur pranë Brukselit, Euractiv, skandali i inceneratorëve. Por, ish-deputeti socialist Alqi Bllako u lirua nga burgu për të shkuar në “arrest shtëpie”, ku në argumentat e avokatit mbrojtës ndaj gjykatës thuhej se u lirua nga qelia pasi ‘nuk i kishte në gjendje të mirë shëndetësore pjestarët e familjes’. Alqi Bllako u arrestua si i përfshirë në aferën e inceneratorëve, një skandal qeveritar me vlerë 430 mln euro.

Shkrimi i plotë nga Euractiv:

Autoritetet në Tiranë kanë arrestuar tashmë Alqi Bllakon, një ish-deputet socialist, për përfshirjen e tij të dyshuar në një skandal qeveritar prej 430 milionë eurosh. Ditët e fundit për Bllakon është lëshuar një fletarrest, ai ka dhënë dorëheqjen duke i hequr imunitetin dhe tani më në fund është arrestuar. Akuzat kanë të bëjnë me kohën e tij si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit. Kur dyshohet se ka bashkëpunuar me ish-ministrin Lefter Koka, gjithashtu i arrestuar, për përvetësim parash. Ai besohet se ka përvetësuar 120 mijë euro si pjesë e një skeme prej 430 milionë eurosh. Opozita akuzon kryeministrin Edi Rama si trurin e kësaj afere. Dhe i ka kërkuar vazhdimisht SPAK-ut të hetojë liderin shqiptar dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, të cilët që nga viti 2014 kanë udhëhequr procedurat për dhënien e çmimeve të kompanive të sapokrijuara, pa eksperiencë, të gjitha në pronësi të të njëjtëve —tre kontrata koncesionare për inceneratorët e mbetjeve. Rama ka mohuar me forcë çdo keqbërje. Ata që qëndrojnë pas kompanive janë në kërkim dhe në arrati. Ndërkohë, qeveria vazhdon t’i paguajë ato sipas kushteve të kontratës, ku Rama thotë se do të ishte shkelje e kontratës. Rasti është skandali më i madh i korrupsionit dhe financiar në historinë shqiptare, i dyti pas rënies së skemave piramidale të mbështetura nga qeveria në 1997, të cilat ndezën luftën civile.

21 mln euro Zotos për landfillin, vepra nuk është në funksion

Investimi prej gati 21 milionë euro për ndërtimin e landfillit të mbetjeve urbane në Sherishtë, ende nuk u shërben qytetarëve të Vlorës. Në landfill nuk hidhen ende mbetjet, ndërsa burime nga Bashkia e Vlorës thonë se ai nuk do të hapet as në 6 muajt e ardhshëm. Nga ana tjetër, plehrat depozitohen në lagjen “24 maji”, duke shkaktuar ndotje për mbi 500 familje. Ndërtimi i këtij landfilli ka kushtuar plot 20.8 milionë euro, ku gati 12 milionë euro janë marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim. Kompania fituese e ndërtimit të këtij landfilli u shpall disa vjet më parë, Integrated Technology Services me pronar Klodian Zoton, i cili tashmë është në kërkim për aferën e inceneratorëve ndërsa kompania e tij nën sekuestro. Nga vëzhgimi në landfillin e Sherishtës, puna ka ndaluar. Në të gjendet vetëm roja i objektit, ndërkohë që tabela e punimeve tregon se data 4 qershor e këtij viti ishte afati për vënien në funksion të landfillit. Shtyrja e punimeve ka sjellë kolaps me pastrimin e mbetjeve në Vlorë. Ato vijojnë të depozitohen në brendësi të qyteti, duke shkaktuar ndotje për qindra familje. Teksa landfilli miliona euro i Sherishtës nuk është ende gati, mbi 500 familje në lagjen “24 Maji” në Vlorë, do të vijojnë të përballen me ndotjen dhe kaosin e krijuar nga mbetjet urbane të qytetit.