Pas vendimit të Gjykatës së Lartë reagon Rama: Kjo betejë nuk mbaron sot dhe as me këto dy gjyqe

372
Pas vendimit të sotëm për të dënuar për shpifje dy deputetër Ristani e Paloka ka reaguar në facebook Kryeministri Rama. 
Më poshtë reagimi i plotë i tij 

Dënimi sot nga Gjykata e Lartë i dy shpifesve profesioniste të cilët, për shkak të aftësisë së tyre të spikatur profesionale në fushën e shpifjes, janë zgjedhur përkatesisht si kryetar grupi e sekretar i përgjithshëm i PD, është një lajm i mirë për 3 arsye:
Së pari, sepse opinioni publik mësoi nga një palë e tretë, pra nga Gjykata e Lartë e vendit, që akuzat e bëra ndaj meje nga këta zanatçinj të baltës politike, për medemek lidhje me krimin e me kriminele me damkë, janë shpifje dhe asgjë tjetër.
Së dyti, sepse kjo lojë e ulët që e ka bërë shpesh politikën një neveri të vërtetë dhe i ka kthyer rëndom politikanët në lolo në sytë e qytetarëve, nga sot nuk është më e pandëshkueshme. Kush shpif siç bënë dy të dënuarit e sotëm, duhet të llogarisë mirë përballjen me ligjin.
Dhe së treti, dy dënimet e sotme janë një lajm i mirë sepse nxjerrin edhe më qartë në pah nevojën për kriminalizimin e shpifjes si mjet lufte politike.
Kjo e fundit do të thotë që speciet politike të cilat ushqehen duke shpifur për të tjerët dhe madje arrinë të ngjiten deri në tempullin e parlamentit, nuk mjafton të shpallen fajtore thjesht për kundravajtje penale kur shpifin; ato duhet të dënohen për krimin penal të shpifjes siç ndodh në vende shumë më të zhvilluara se Shqipëria. Prandaj, kjo betejë nuk mbaron sot dhe nuk mbaron me këto dy gjyqe.
Sepse kjo nuk është një betejë ligjore me dy shkretanë që jetojnë me përsheshin e politikës së llojit me të ulet, por është një betejë kulturore kundër vetë politikës së këtij lloji! E cila ka ndotur si mos më keq çdo rrugë të komunikimit publik e qytetar në Shqipëri për 25 vjet rresht dhe është bërë shembulli me i turpshëm i komunikimit për rininë e këtij vendi.
Sigal