Pas prokurorit Sali Hasa, SPAK të prangosë Lekën e “EHW”-së

756

U prangos prokurori që fshehu vjedhjen e tokës, lihet i lirë biznesmeni që e vodhi.

Sigal

Drejtësia e re duhet ta çojë para ligjit këtë mafioz të vjetër, të përfshirë në afera korrupsioni e krimi me të gjthë krerët e qeverive të PD-PS-LSI-së; mbasi përveçse ka grabitur qindra objekte e troje publike me mashtrime dhe falsifikime, po “vret” shqiptarët me sallamra e mbeturina ushqimore kancerogjene që grumbullon e importon nga depot e botës dhe i shet me çmime 2-3 herë më të larta në dyqanet “Conad”, ku është është ortak me Ilir Metën

Ditën shtunë, me vendim të SPAK, u bë arrestimi i prokurorit të Sarandës, Sali Hasa, me akuzën ‘për shpërdorim detyre dhe përfshirje në akte korrupsioni e përfitime personale, nëpërmjet favorizimeve  me vendimet hetimore’.
Një nga provat e padrejtësive dhe aferave të mëdha me bazë mashtrim-falsifikimin e akteve zyrtare, që ka bërë prokurori Sali Hasa, është pushimi i hetimit për dosjen e tokës së vjedhur në “Kakome”.

Në dosjen penale Nr. 111/32, datë 23.04.2018, personi i kallëzuar në Prokurorinë e Sarandës, është biznesmeni i “EHW”-së  dhe “Conad”, Luan Leka, akuzuar me 57 prova shkresore zyrtare të falsifikuara, me të cilat ka grabitur 21 hektarë tokë, pronësi e banorëve në Nivicë-Kakome.
Kjo dosje u regjistrua, por pas 10 ditësh, pa u hetuar fare, u pushua për “mungesë provash”, me vendim të prokurorit Sali Hasa, i cili nuk i konsideroi “prova” dokumentet e falsifikuara të pronësisë së tokës, realizuar nga mafiozi Luan Leka.
Mbyllja e kësaj dosjeje nga prokurori Sali Hasa, në favor të Luan Lekës, është vërtetuar e cilësuar shkelje e rëndë dhe në Raport-Inspektimin Nr. 56/1, që Prokuroria e Përgjithshme i ka bërë Kallëzim-Dosjes Nr. 111/32, datë 23.04.2018, pas ankesës së banorëve të Kakomesë.

A është dosja “Kakome”, në listën e aferave korruptive dhe shpërdorimit të detyrës, për të cilat u prangos prokurori i Sarandës Sali Hasa?

Nëse jo, SPAK duhet ta bëjë pjesë të ri-hetimit këtë dosje të mbyllur  dhe pas prokurorit që ka mbyllur në qeli, duhet të arrestojë dhe biznesmenin mafioz Luan Leka, sepse të dy në bashkëpunim, kanë fshehur e zhdukur dosjen e vjedhjes 21 ha tokë të banorëve në Kakome.

Biznesmeni Luan Leka, patjetër që ka dhënë para për ta bllokuar dhe pushuar kallëzimin e dosjes penale ndaj tij, ndërsa prokurori Sali Hasa me disa makina, apartamente e dyqane të blera në Sarandë, Vlorë, Durrës e Tiranë, ka shtuar pasurinë për këtë favor që ka bërë.
Përveç  çekut, Luan Leka i ka dhënë prokurorit Sali Hasa dhe garancinë e Bablokut, se letrat e kësaj prone nuk do të rihapen në Kadastër, por edhe do ketë të sigurtë në punë, gruan shefe në OSHEE-Sarandë, djalin Shef i Shërbimit të Punësimit në Durrës, dhe vajzën Shefe Sektori te Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Mirëpo, të shtunën e 19 qershorit 2021, prokurori Sali Hasa, nuk e kaloi në vilën e tij buzë detit Jon, por përfundoi në pranga për pazare si ky me dosjen e grabitjes së tokës në Kakome.

Ndërsa biznesmeni mafioz Luan Leka, po relaksohet në resortin e tij në Dhërmi, si dhe vazhdon importin e mishit e pulave kancerogjene për prodhim sallami “EHW”, dhe ushqimet mbetje të botës

Në rastin konkret, është arrestuar prokurori që fshehu e nuk çoi para drejtësisë grabitjen e tokës në Kakome, por lihet i lirë biznesmeni që e ka vjedhur këtë tokë me letra false, mbi të cilën do të ndërtojë një resort bregdetar me vlerë 205 milionë Euro, të cilat nuk deklarohen nga do vijnë./ ‘Pamflet’