Parti e re që të përfaqësojë socialistët e lënë rrugëve nga Rilindja

1852
Sigal

Situata e rëndë politike që ka përfshirë Shqipërinë, kriza e rëndë ekonomike, sociale dhe shoqërore në të cilën e ka zhytur vendin në këto 7 vite të mandatit të sajë qeveria e Rilindjes ,duket se po i vjen fundi. Një grup socialistësh të papërfaqësuar, të dhunuar, përçmuar dhe larguar nga “rilindësit” e rinj që zaptuan dhe morën këtë trashëgimi kombëtare, me sa duket ka vendosur të riorganizohet dhe mbi trungun e saj të çelë filizat e rinj të Partisë Socialiste, të prerë dhe tharë, djegur dhe syrgjynosur me të gjitha mjetet dhe kapitalet ekonomiko-financiare, nga bandat dhe të inkriminuarit që u futën në selinë më popullore të historisë së Shqipërisë. Me sa duket sinjalin e parë e dha dje një nga figurat më emblematike të socialistëve tradicionalë ish-deputeti i Vlorës së lavdishme Prof. Dr. Arben Malaj. Si një politikan vizionar pro evropian dhe mbështetës i qytetërimit atlantik, Arben Malaj i rikthehet me përkushtimin e tij kërkesës për të ringjallur partinë socialiste. Si drejtues politik i saj për Vlorën, anëtar i kryesisë së PS, ministër i suksesshëm i kabinetit Nano, madje edhe kandidatë për kryeministër i vendit, Malaj e ka bagazhin, vendosmërinë dhe të drejtën legjitime se ato që ai kërkoi në 2011-n janë bërë realitet. Ai paralajmëroi se me sektin rilindës, PS do shkojë drejt shuarjes dhe zhdukjes si forcë politike ose të mos përfundojë si PASOK-u në Greqi. Por duke qenë se “rilindja” ka grumbulluar rreth saj miliarderë, njerëz me rekorde kriminale, persona që nuk kanë ndjesi për të majtën, por vetëm interesa financiare, Arben Malaj vendosi të largohet nga detyra e respektuar si Konsull Nderi i Republikës së Austrisë për Shqipërinë Jugore, për t’ua angazhuar me politikën reale. Gjatë prezantimit në UET në korrik 2011, Malaj theksoi: “Për të gjithë dashamirësit që ndonjëherë mërziten kur diskutojmë/debatojmë dhe kontribuojmë për problemet dhe sfidat me te cilat do përballet PS-ja. Rreth 8 vite më parë, prezantova në UET domosdoshmërinë e modernizimit të PS përpara se të vinte në pushtet 8 vite më vonë. Sot PS gjendet e keqpërdorur nga “mjaftistët e babëzitur” dhe disa oligarkë që pasurohen duke korruptuar qeveritarë nga çdo parti politike, deri në kapjen e shtetit.” Në fjalën e plotë ai qartëson dashamirësinë dhe angazhimin mirënjohës dhe pozitiv ndaj socialistëve të ndershëm dhe të përkushtuar. “Pjesa e të babëziturve është shumë e vogël. por shumë e dëmshme për PS dhe vendin tonë”. Ende nuk është bërë publike strategjia që Malaj dhe një grup socialistësh tradicionalë do të ndjekin për reformimin dhe largimin e “rilindësve” apo edhe krijimin e një force të re që të përfaqësojë socialistët e dhunuar, veteranët e LANÇ, ata të punës, intelektualët, të rinjtë dhe të rejat që kërkojnë një rikthim të partisë së tyre, të blerë natën dhe që tashmë është kthyer në gazin e ditës për shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Qëndrimi i Malajt u duk në mbështetjen që i bëri njërit prej figurave themeltare të PS, Ditmir Bushatit pas spostimit dhe largimit nga strukturat e partisë dhe drejtimi i Shkodrës ku theksoi: “Shkodra është Kryeqyteti i Demokracisë ajo kurrë nuk mund të qeveriset me 6 për qind te votave. Rastet e prekjes nga ligji dekriminalizimit të disa të mandatuarve nga PS për deputetë, në 2017-n dhe kryetar bashkie në 2019-n, e bënë real dhe të dobishëm shqetësimin e ngritur nga kolegu Ditmir Bushati. Çdo tendencë e “strukturave paramilitare shpifëse” të organizuara dhe financuara direkt ose indirekt nga “mjaftistët e babëzitur” për të sulmuar çdo individ, ekspert, profesor, akademik, por edhe socialist që guxon të tregojë plagët dhe të sensibilizojë domosdoshmërinë dhe dobishmërinë e shërimit të tyre, dëmton PS-në dhe qeverisjen e vendit”. Listës së formacionit të ri politik mund t’i bashkohet edhe një tjetër figurë si Niko Peleshi që u sulmua nga Edi Rama barbarisht me mediat rreth tij, madje duke e kërcënuar edhe me burg. Ftesa mund të adresohet edhe për Xhafën, Ahmetajn dhe Pandeli Majkon. Figura të shquara si Dade, Dokle, Mejdani, Bello dhe qindra intelektualë në qendër dhe bashkitë e vendit pritet të jenë pjesë e këtij organizimi politik. Sido që të jetë organizimi, një gjë është e saktë dhe e padiskutueshme: Socialistët duan shtëpinë e tyre, rikthimin e vlerave, respektimin e gjakut të dëshmorëve, amanetin Rilindësve të vërtetë me Sami Frashërin, që shkrinë pasuri për të bërë shtet dhe, jo si ‘sekti i vetëquajtur rilindje’ që grabiti pasuritë e shqiptarëve për të shkatërruar shtetin dhe kombin.