Nga Luan Rama, Zevendeskryetari i LSI

Në ditën e dhjetë të protestës së studentëve kundër Kryeministrit, prej shumicës parlamentare bëhet e ditur se “Parlamenti mund të mblidhet nesër me Kryeministrin dhe studentët, të cilët është koha të mbyllin Paktin për Universitetin!” Shkurt dhe shqip e gjitha kjo është hipokrizi, mashtrim dhe tallje! Sepse Parlamenti ishte dje i mbledhur, dhe me gjithë këmbënguljen dhe insistim tim që të vazhdonte të qëndronte i mbledhur dhe të mos largohej nga salla pa plotësuar kërkesat e studentëve, zotërinjtë rilindas nuk dëgjuan, e madje gjysmë të mbllaçitur e gjysmë të gogësitur, pasi nuk pranuan të futnin në rendin e ditës propozimet e LSI-së për të reflektuar në ligj plotësimin e kërkesave të studentëve, bënë të vetmen gjë për të cilën ishin dje në atë sallë; ngritën kartonët e injorancës kundër studentëve në protestë! Nëse kanë reflektuar, shumë mirë! Asnjëherë nuk është vonë për t’u kërkuar ndjesë studentëve dhe për të plotësuar kërkesat e tyre legjitime e minimaliste, po atë “… të mbyllin Paktin për Universitetin” ku e gjetën e çfarë është, se studentët nuk kanë kërkuar ndonjë pakt as me qeverinë, as me Kuvendin e aq më pak me Kryeministrin?! Apo nuk kanë mjaftuar dhjetë ditë protestë e refuzim që Kryeministri t’a kuptojë se studentët as nuk e duan, as nuk e pranojnë, as nuk e besojnë?!