Parlamenti, “arenë” e konfliktit brutal, por jo për… hallet e popullit!

447
Përparim HALILI
Deputetët u kacafytën për atë “kodosh” pushteti që në këto 25 vite, të dy palët e kanë shijuar me radhë e me pazare mes njeri-tjetrit, duke u tallur me shqiptarët që po i mbajnë peng, të izoluar në “xhunglën” e tranzicionit shkatërrues 
Seanca e djeshme parlamentare, u kthye përsëri në një “moçal” akuzash të ndërsjella mes deputetëve dhe palëve politike PS-PD, u tjetërsua në “llum” fyerjesh dhe ring konfliktesh fizike mes deputetësh replikues, aq sa çuan në ndërprerje të punimeve dhe përjashtime nga seanca parlamentare. Edhe dje, palët politike PS-PD dhe deputetë të partive të reja e të partive të vogla parlamentare e tjetërsuan parlamentin në “arenë” debate e konflikti brutal, që do ta kishte zili edhe situata e një qebaptoreje me klientë të rëndomtë… Si përherë edhe në seancën e djeshme, u manifestua fakti, që deputetët nuk u fyen deri edhe me fjalor të qelbët dhe nuk u kacafytën për hallet e popullit, por interesat e pushtetit të atyre që duan ta mbajnë me çdo kusht dhe të atyre që duan ta marrim me çdo mënyrë! Dje në parlament, nuk u zhgërryhen e nuk u fyen për minimumin jetik të shqiptarëve, as për vlerën lëmoshë të ndihmës ekonomike, as për sigurinë e jetës së qytetarëve, të bizneseve, të fëmijëve, të femrave. As për të moshuarit e braktisur që nuk I pranon njeri në qendrat sociale sepse shteti nuk ka një copë bukë për ta. Nuk u përleshën për qindra fëmijë jetimë e të familjeve të varfra që lypin dhe lajnë xhamat e makinave luksoze të deputetëve, të shtetarëve, e deri të fëmijëve të tyre! Nuk u përleshën për ilaçet e skaduara që u shiten shqiptarëve në spitale. Nuk u përleshën për ushqimet e skaduara që futen në treg prej importit e që po vrasin shqiptarët! Nuk u përleshën për taksat e larta, për pagat dhe pensionet e ulëta të pleqërisë e invaliditetit. Nuk u përleshën për punësimin e 800 mijë shqiptarëve të papunë, as për vrasjet e minatorëve në koncesionet kriminale të minierave, as për importin e plehrave e për asgjë tjetër që ka lidhje me hallet e popullit. Deputetët u kacafytën për atë “kodosh pushteti që në këto 25 vite, të dy palët e kanë shijuar me radhë e me pazare mes njeri-tjetrit, duke u tallur me shqiptarët që po i mbajnë peng, të izoluar në “xhunglën” e tranzicionit shkatërrues. Ja çfarë ndodhi edhe dje në seancën parlamentare…
Sigal