Paralajmëron Lleshaj: Jemi në fillimin e masave të ashpra, policia do të ndërhyjë

364
Sigal

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u bëri thirrje qytetarëve që të hënën dhe javën në vazhdim të dalin nga shtëpia vetëm për nevoja jetike, ndërsa paralajmëroi se nëse qytetarët shpërfillin rregullat për sigurinë policia do të ndërhyjë.

Duke folur nga një inspektim i zbatimit të masave të karantinës, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ministri tha se masat po funksionojnë, megjithatë është herët për të dhënë sinjal optimizmi.

Ministri paralajmëroi se masat e ashpra duhet të vazhdojnë.

“Gjithë ky angazhim i madh ka mundësuar që masat të funksionojnë, megjithatë është shumë herët për të dhënë një sinjal optimizmi, ose një sinjal çlirimi nga masat, përkundrazi ne duhet të vazhdojmë më tej me një regjim të ashpër masash për arsye sepse edhe një person i vetëm mund të kontribuojë në frenimin apo në pengimin e përhapjes së virusit. Jemi ende në fillim dhe duke qenë se jemi ende në fillim, gjithkush mund të kontribuojë për të realizuar një impakt të madh në parandalim”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Lleshaj u shpreh se nesër duhet që qytetarët do të vazhdojnë regjimin nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 13:00, por ta konsiderojnë këtë si orar daljesh të shpejtë për nevoja jetike, jo si kohë shëtitjeje.

“Nuk është kohë takimesh me miq e me shokë. Por është kohë vetëm për të vajtur shpejt në dyqanin më të afërt, për të kryer nevojat më jetike për nesër, jo për të gjithë javën dhe për t’u kthyer në shtëpi me qëllim që të parandalojmë me çdo kusht grumbullimet. Është jetike e përsëris dhe nuk është e tepërt ta përsëris, është jetike që në këtë fazë të hershme të përhapjes së virusit ne të shmangim kontaktet,” përfundoi ministri.