Paralajmërimi i kryeministrit Rama/ “Fshesë” nga Velipoja në Ksamil për ndërtimet pa leje: Rrezikojnë burg inxhinierët dhe arkitektët, që nuk zbatojnë ligjin

345
Sigal

Kryeministri Edi Rama, pasi fitoi mandatin e tretë, fillon që të zbatojë politikën e rrafshimit të të gjitha ndërtimeve pa leje, siç kishte paralajmëruar edhe Artan Lame. Kështu dje, kryeministri Rama, kërkoi nisjen e menjëhershme të operacionit të kontrollit në vijën bregdetare për ndërtimet pa leje. Rama tha se kjo duhet të ndodhë tani, dhe jo në mes të sezonit turistik, dhe u shpreh se me ndryshimet ligjore, rrezikojnë dënime me burg edhe inxhinierët, arkitektët dhe mbikëqyrësit e punimeve.

Duke vendosur një vijë të kuqe, që nuk duhet të shkelet më nga askush. Vija duhet të jetë e pakalueshme. Aty ku hidhet beton pa leje, duhet të ketë jo vetëm prishje, por ndalime dhe procese penale në bazë të ligjit

Kryeministri Rama: “Ndodhin atje ku interesat janë shumë të mëdha. I kam kërkuar ministrit që bashkë me drejtorin e Përgjithshëm dhe bashkë me drejtorin e IKMT-së, ministrin e Turizmit të hartohet dhe të niset operacion nga Velipoja në Ksamil. Tani, jo në mesin e verës, por tani. Pa asnjë tolerancë. Dhe jo duke shkuar te ndërtime që janë bërë para 20 vitesh. Siç ndodhi për fat të keq në Zvërnec. Dhe jo duke shkuar te njerëzit që kanë 20 vite aty, se mos të jenë ata aty, nuk shkon askush. Duke vendosur një vijë të kuqe, që nuk duhet të shkelet më nga askush. Vija duhet të jetë e pakalueshme. Aty ku hidhet beton pa leje, duhet të ketë jo vetëm prishje, por ndalime dhe procese penale në bazë të ligjit. Kini parasysh, që tani me ndryshimet ligjore, penalizohet i gjithë zinxhiri. Nuk lejon më ligji që ti je inxhinieri dhe ti i bën investitorit sipas dëshirës sa kate të dojë, se shkon ti në burg. Ti duhet të denoncosh shkeljet e projektit. Po kështu edhe arkitekti, mbikëqyrësi i punimeve. Duhet të lajmërojë policinë se, është edhe ai pjesë. Në të gjitha rastet kur ndërtimet me leje konstatohen në abuzim, është detyra juaj t’i merrni të gjithë këta, sepse janë pjesëmarrës në krim. Aty ku nuk ka leje, ligji është shumë i qartë. Forcat të fokusohen aty ku folëm dhe jo nëpër maja malesh, dhe jo nëpër fshatra dhe zona, ku është për t’i thënë faleminderit, që po ndërton.”