“Parajsat fiskale” kanë zhvatur 30 miliard dollar nga Shqipëria

531
Sigal

Nga Shqipëria në 28 vitet e fundit dyshohet se janë nxjerë mbi 30 miliard $ dhe që janë vendosur në “parajsat fiskale” me pronarë të panjohur. Kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku: Pse u bllokua nisma ligjore për zbulimin e pronarëve të vërtetë të regjistruara në parajsa fiskale dhe që kanë përfituar në Shqipëri miliarda nga tenderat publike, privatizimet, PPP, etj.

 

“Parajsat Fiskale”: Pse u bllokua nisma ligjore për zbulimin e pronarëve të vërtetë të kompanive të regjistruara në parajsa fiskale, që veprojnë në Shqipëri

Nga Shqipëria në 28 vitet e fundit kanë dalë jashtë vendit mbi 30 miliard $ me pronarë të panjohur

Kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku shpreh shqetësimin për ndërprerjen pa asnjë shpjegim publik të nismës ligjore për zbulimin e pronarëve të vërtetë të kompanive të ashtuquajtuara “guaska” të regjistruara në parajsa fiskale, që veprojnë në Shqipëri. Nisma ligjore, me ndërhyrjen dhe trysninë e drejtpërdrejtë të agjencive të specializuara të BE, ka filluar të trajtohet në Qeveri dhe deri në komisionet e Kuvendit të Shqipërisë mbi një vit më parë, por më pas është ndërprerë pa asnjë shpjegim publik. Konfindustria ka kërkuar publikisht në mënyrë të përsëritur prej pothuaj 3 vitesh domosdoshmërinë e ndalimit të kompanive të regjistruar në parajsa fiskale në përfitimin e tenderëve publike, koncesioneve, PPP, etj. Gjithashtu, është kërkuar bërja publike e emrave të pronarëve të vërtetë të kompanive “guaskë” të pranishëm në sektorë strategjikë të ekonomisë së vendit dhe përfitues të financimeve publike dhe licencave shtetërore të të gjitha llojeve. Prania e kompanive të regjistruar në parajsa fiskale është mjaft e përhapur në të gjitha sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare si prodhim, përpunim dhe tregti të hidrokarbureve, në sistemin financiar, infrastrukturë, mbetje, energji, etj. Pasojat e peshës së madhe dhe në rritje të kompanive “guaska” në ekonomi janë mundësia për korrupsion të përmasave të mëdha, prishja e konkurrencës në treg, rritja e rreziqeve financiare për buxhetin e shtetit dhe qytetarëve, pastrim i parave dhe deri te problemet me natyrë të pastër gjeostrategjike dhe sigurisë kombëtare. Rreziqet e ardhura nga prania e kompanive “guaskë” shtrihen drejtpërdrejt dhe në kapje të medias, politikës dhe vetë shkatërrimi i demokracisë. Konfindustria vlerëson se sipas të dhënave, që qarkullojnë në media dyshohet, se nga Shqipëria në 28 vitet e fundit mund të kenë dalë jashtë vendit mbi 30 miliard $ të nxjerra dhe ë vendosura në pjesë të madhe në “parajsat fiskale” me pronarë të panjohur. Një pjesë e tyre nga trysnia e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë, mund të jenë rifutur në vend, duke sjellë forcimin e fortë dhe të panatyrshëm të monedhës kombëtare Lek ndaj Euro-s dhe Dollarit amerikan me gjithë pasojat e rënda afatgjatë për ekonominë kombëtare.