Para dhe Vota! Shteti në kaos nga fuqia e mafies shqiptare

231
Sigal

Pas skandalit të pagave, të targave, të dhënave personale dhe 3 mln numrave celulare që janë ncjerrë në shitje, në Shqipëri po futen kontrabandë edhe kartat SIM nga Anglia një pjesë e të cilave përdoren nga krimi për shpërthimet me tritol. Kjo ka bërë që bizneset të mbyllin aktivitetet, qytetarët të ndërrojnë targat e makinave, numrat e telefonave, kartat e llogarive bankare etj. Nga ky kaos i organizuar për qëllime elektorale, kanë përfituar patronazhistët dhe çetat kriminale, por kanë humbur 3 milionë shqiptarë.

“Gazeta Telegraf verifikoi disa nga numrat e kësaj liste, pjesën që është e publikuar për të treguar përmbajtjen. Rezultoi se janë në përdorim e i përkasin personave emri të cilëve shkruhet në të djathtë të kësaj liste.”

Nuk ndalen skandalet me të dhënat sensitive të qytetarëve shqiptarë. Duket se administrata dhe institucionet janë kapur nga një armatë militantësh e patronazhistësh, të cilët janë gati të shesin të dhënat personale të qytetarëve të thjeshtë për shuma parash krejt të papërfillshme. Rasti i fundit ishte kur qindra mijëra të dhëna për qytetarët në Tiranë u publikuan pasi ishin blerë për vetëm 200 mijë lekë të vjetëra nga një punonjës administrate. Një situatë e tillë ku skandalet e publikimit të të dhënave personale të qytetarëve duhet të ngrihet një alarm për sigurinë kombëtare pasi është në rrezik. Ndërsa vetë autoritetet, që duhet të merren me mbrojtjen e këtyre të dhënave sensitive duket se i kanë duart të lidhura e nuk mund të veprojnë. Nuk mund të themi nëse është paaftësi për shkak të mundësive teknologjike për identifikimin e autorëve që mundësuan nxjerrjen e të dhënave nga sistemet ku janë regjistruar apo thjesht Prokuroria nuk mund të hetojë. Skandalet që ndjekin njëri-tjetrin kanë bërë që pasiguria në vend të rritet në nivele të frikshme. Qytetarët, bizneset e kompanitë kanë reaguar. Qytetarët shqiptarë po i drejtohen vendeve të huaja për të siguruar të dhënat bazë e qoftë edhe për të siguruar një numër telefoni. Në Shqipëri ka mjaft pasiguri edhe në jetën e përdishme ndërsa në thuajse çdo javë të vitit ka të paktën një ngjarje kriminale, që përfshin vrasje për hakmarrje, për gjakmarrje, për larje hesapesh, vrasje me pagesë për llogari të dikujt tjetër, vrasje për llogari të bandave kriminale që operojnë në vend, vrasje për prishjet e pazareve të drogës, vrasje apo krime të ndryshme kundër personit edhe për ngjarjet më banale. Kërcënime me eksploziv, me armë zjarri, me rrëmbim personi, me pengmarrje, me gjobëvenie. Po sa e lehtë do të jetë secila prej këtyre krimeve nëse të dhënat e të gjithë personave një një klikim larg? Shqiptarët, individët dhe kompanitë vendase e të huaja, po kërkojnë të ndryshojnë adresat, banesën, gjendjet civile, numrat e telefonit, targat e mjeteve, dejtuesit teknik të kompanive, madje edhe emrin e statusin civil. Kjo nuk po bëhet për shkak se shqiptarët kanë nevojë të fshihen, por sepse të dhënat e tyre më sensitive janë në rrezik e janë lehtësisht të cënueshme. Ndryshimet po bëhen për t’i shpëtuar një ndëshkimi kapriçioz nga ‘të fortët’ që duhet thënë se Shqipëria është një vend që i ka me bollëk.

“Kartat SIM që mbërritën në Shqipëri kontrabandë janë të një kompanie britanike dhe ishin dërguar me postë të shpejtë.”

01.

 3 milionë numra telefoni të qytetarëve shqiptarë në shitje për 4000 dollarë amerikanë

Skandali i fundit është publikuar nga gazetari Muhamed Veliu në Top Channel dhe bëhet fjalë për 3 milionë numra telefoni të shqiptarëve të nxjerrë në shitje në një faqe të huaj. Ndërsa përdorimi i telefonave celular për të gjithë ne është kthyer në një pjesë të domosdoshme të jetës tonë dhe duke qenë të tillë, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të identitetit tonë. Por, numrat e telefonit të 3 milion shqiptarëve janë reklamuar në një faqe në internet për t’u shitur. Një tjetër thyerje e të dhënave personale pas daljes të databaze të pagave dhe targave të shqiptarëve. Gazetari Veliu, ka identifikuar një faqe në internet, e cila disponon një databaze me 3 milion numra celularësh, së bashku me emrat e përdoruesve të këtyre numrave dhe pozicionin e punës të personit që i përket numri i telefonit. Poseduesit e databaze të këtyre numrave kanë listuar edhe çmimet e shitjes. Mjafton të kesh një kartë banke dhe në pak sekonda bëhesh posedues i tyre. 4.000 dollarë është çmimi për blerjen e 3 milion të dhënave për numrat shqiptarë të telefonisë mobile. 1.500 dollarë nëse do të blesh të dhënat e 1 milion numrave, 1.000 dollarë për 500.000 numra dhe vetën 350 dollarë për 100.000 numra. Poseduesi 3 milion numrave telefonik të shqiptarëve dhe shitësi i tyre përmes një platforme në internet është një person, i cili përdor emrin Munnaf Hossain. Sipas tij lista që ai ka nxjerrë në shitje është e saktë, autentike, e freskuar me informacione korrekte shoqëruar me numrin e telefonit, emrin e personit dhe kodin postar. Për ta vërtetuar këtë Munnaf Hossain ka publikuar në faqen e tij në internet si shembull një pjesë të kësaj databaze.

Gazeta Telegraf verifikoi disa nga numrat e kësaj liste, pjesën që është e publikuar për të treguar përmbajtjen. Rezultoi se janë në përdorim e i përkasin personave, emri të cilëve shkruhet në të djathtë të kësaj liste. Mbetet e paqartë se si Munnaf Hossain ka mundur të sigurojë 3 milion numrat e celularëve të shqiptarëve në një kohë kur ligji parashikon në mënyrë strikte se kush duhet t’i disponojë këto numra. Në listë është edhe numri i pedagogut Sokol Shameti. Pedagogu Shameti shprehet se ky numër është i saktë dhe në përdorim prej tij. “ Real është, por lista qenka e para 20 viteve. Se moshën e kanë vënë 25 vjeç. Megjithëse unë numër kam po atë. Por në këto 20 vite mund ta kenë ndërruar shumica e njerëzve, që kanë dalë në listë. Ai numri im është, por s’e kuptoj pse ma shesin të tjerët ndërkohë që unë vetë nuk e shes.” Po ashtu gazeta Telegraf konfirmoi se edhe numri i cili është nën emrin e Azmi Stringës është i saktë, por Stringa nuk ka dhënë një prononcim në lidhje me rastin. Në listën e publikuar si shembull për blerësit, është edhe emri i ekspertit të sigurisë Redion Qirjazi, i cili tha për Top Channel se “gjetja e fajtorit mbetet gjithmonë sfida më e madhe në kërcënimet e sigurisë kibernetike”. “Kjo mund të nxisë kërkesën e qytetarëve për të mos regjistruar të dhëna personale ose akoma më keq, të synojnë forma të jashtëligjshme për zotërimin e një numri celulari. Në terma afatgjatë kjo mund të krijojë një situatë pasigurie për qytetarët dhe qeverinë, që do ta kishin të pamundur të identifikonin thirrësit, në raste të veprimeve kriminale ndaj individëve të tjerë, shoqërisë apo dhe qeverisë”, –deklaroi eksperti Redion Qirjazi. Të gjithë blerësit e një numri duhet të firmosin një mori me letra e më pas bëhen posedues të numrit. Por e gjitha kjo zhvlerësohet si në aspektin e privatësisë apo edhe të sigurisë në një kohë kur 3 milion numra celulari shqiptarësh janë nxjerrë në shitje. “Nëse rrjedhja e këtyre numrave është bërë nga punonjës së institucioneve të sigurisë, që janë të autorizuar për të pasur akses, kjo do të dëmtonte imazhin e institucioneve dhe krijonte ndjenjë pasigurie tek qytetarët”,- tha Redion Qirjazi. Sipas ekspertit Qirjazi, kjo do të sjellë uljen e besimit tek institucionet, të cilat kanë akses në numrat e celularëve të shqiptarëve, të cilat tashmë janë në shitje.


02.

Numrat e telefonit të shqiptarëve në shitje. Kapen rreth 4000 karta sim kontrabandë në Rinas

Ndërsa të dhënat personale të shqiptarëve janë në rrezik pasi janë vënë në shitje nga një person në një shtet krejt të largët nga vendi ynë, duket se një zgjidhje ka ardhur shumë shpejt. Në Rinas vetëm disa ditë më parë janë sekuestruar rreth 4000 karta SIM angleze të cilat do të hynin në tregun shqiptar. Por kjo praktikë mbart me vete edhe rrezikun se këto numra do të shiten në mënyr të fshehtë e duke qenë ilegale do të kishin komoditetin për t’u përdorur edhe në ngjarje kriminale. Një mënyrë mjaft e përhapur kohëve të fundit është ekzekutimi me anë të eksplozivit me telekomandë. Dhe nëse numrat e telefonit do të bliheshin në tregun e zi pa asnjë problem apo regjistrim do të rrezikonim të përballeshim me një fluks të ri kriminaliteti në vend. Por kërkesa e shqiptarëve për të blerë një numër qoftë edhe në treg të zi ku të dhënat e tij më vonë nuk rrezikojnë të shiten e blihen në market si një tufë sallatë është plotësisht me vend. Shqiptarët pretendojnë që gjatë këtij muaji të hedhin një hap më afër Bashkimit Europian, ndërsa skandale të tilla me të dhënat personale nuk refkletojnë aspak standardet e BE. Kartat që mbërritën në Shqipëri janë të një kompanie britanike, të cilat ishin dërguar me postë të shpejtë. “Njësia “C” për Hetimin e Krimit Kompjuterik, më datë 09 Qershor 2022, ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit M. H., për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Shitja e paautorizuar e kartave SIM”, pasi në adresë të këtij shtetasi, ka ardhur me postë, në Rinas, një pako postare me 3991 karta SIM angleze”, njoftoi policia.

03.

Sekuestrohet radio amatore në Rinas, mund të jenë përdorur për përgjime

Në këto foto shikoni disa pajisje që i janë kapur 2 shtetasve britanikë në Rinas, ndërkohë që ka dyshime se mund të jenë përdorur për përgjime të paligjshme. Britanikët P. T, 61 vjeç, dhe C.M 46 vjeç, janë lënë të lirë ndërkohë që para hetuesve kanë deklaruar se i kanë pasur për qejf pajisjet dhe nuk kanë bërë përgjime. Pajisjet janë sekuestruar dhe kanë kaluar për verifikim dhe ekspertize. Dyshimet janë se tradio analoge mund të jetë përdorur për të kapur valët nga radiot që përdor ushtria ose SHISH. Një tjetër pistë e hetimeve është ajo e përdorimit të këtyre radiove nga spiunët rusë. Skocezët pasi mbërritën në Tiranë morën me qira një vilë dhe ndërtuan aty një antenë të thjeshtë dhe mundën të transmetonin sinjalin e tyre në gjithë botën. Coli McGoan deklaroi se radio nuk ka të bëbë fare me spiunazhin, është thjeshtë radio të cilën autoritetet shqiptare nuk e kanë parë më parë dhe donin të siguroheshin, por nuk kemi pasur asnjë qëllim që të ndërhyjmë në frekuencat e radiove të policisë, pasi ne punojmë me frekuenca të ndryshme.

Nga një kërkim i thjeshtë në internet, nga kodet që duken në pajisje, rezulton se bëhet fjalë për produkte radio amatore KENWOOD, që shiten në mbarë botën, dhe që mund të bëjnë edhe transmetim, por edhe marrje të valëve. Megjithatë nëse bëhet fjalë për pajisje të modifikuara për përgjim kjo mbetet për t’u saktësuar nga Policia Shkencore. Megjithëse historitë me spiunazh në Shqipëri janë të freskëta, nga diplomati gjerman, i cili u gjet i vrarë në banesë deri te misionet e ndryshme që vijnë posaçërisht për spiunazh në Shqipëri. Por edhe ky rast në dukje i izoluar është një kambanë alarmi për sigurinë e qytetarëve në vend. Duket se Shqipëria është bërë një fushëbetejë për grupet e spiunazheve në mbarë botën, ndërsa kjo ndërthuret edhe me luftën e egër të bandave të lëndëve narkotike në vend.

“Shqiptarët, individët dhe kompanitë vendase e të huaja, po kërkojnë të ndryshojnë adresat, banesën, gjendjet civile, numrat e telefonit, targat e mjeteve, drejtuesit teknik të kompanive, madje edhe emrin e statusin civil.”


04.

Shqipëria u përfshi në disa skandale të publikimit të të dhënave të ndjeshme online

Shqipëria u përfshi nga disa skandale të rënda në vitin e shkuar që duket se tradita po vijon edhe këtë vit. Në vetëm 6 muaj u publikuaqn të dhënat sensitive fillimit të 900 mijë qytetarëve që jetojnë dhe votojnë në Tiranë. Patronazhistët kanë zbardhur ditarin e trye për personat që do të mbanin nën kontroll duke dhënë detaje të hollësishme, nga numri i telefonit e adresa e banesës deri te profesioni paga dhe madje edhe shoqëria e preferencat politike. Ishte një skandal i vërtetë që kërkonte një hetim të thelluar nga Prokuroria, por më shumë se me fajtorin, kjo e fundit vendosi të merrej me publikuesin. Në prokurori përfundoi Lapsi.al që ishte i pari që dha alarmin për skandalin që tashmë kishte plasur pasi të dhënat personale të qindra mijëra shqiptarëve ishin shitur për vetëm 200 mijë lekë. Prokuroria e kopsiti dosjen, por ende një vendim gjykate të formës së prerë nuk ka për fajtorin e një skandali të përmasave të tilla. Socialistët në pushtet vendosën ta kalonin me sportivitet një skandal të tillë madje kryeministri Rama edhe sot vijon të përshëndesë me nderim të gjithë patronazhistët, por pa kërkuar me ngulm se kush e shpërtheu skandalin që tërhoqi vemëndjen e zyrtarëve të lartë dhe organizatave me emër të Bashkimit Europian. Ajo që ishte një skandal i rëndë për shoqërinë, u trajtua si një çështje e rëndomtë e shkeljes së sigurisë teknike në një sistem kompjuterik të ruajtjes së të dhënave. Një tjetër skandal që u publikua në dhjetor 2021 vetëm 6 muaj pas skandalit me të dhënat e qytetarëve në Tiranë ishte ai i publikimit të pagave të punonjësve në kompani të ndryshme dhe në administratë. Ky skandal u ndoq nga publikimi i targave të mjeteve duke lënë të kuptohet se korrupsioni nuk ishte i vendosur vetëm në një sektor të administratës por te të gjitha ata që kanë në dorë administrimin e të dhënave të qytetarëve. Ndërsa skandale të tilla duket se do të vijojnë të qarkullojnë duke publikuar herë pas here të dhëna nga më të ndjeshmet për qyetetarët shqiptarë është edhe një herë Bashkimi Europian, i cili përmes përfaqësuesve ka bërë thirrje t’i kushtohet një vëmendje e veçantë situatës për të mos krijuar një thellim të skandaleve. Në Konferencën për Antikorrupsionin, ambasadori Gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf bëri thirrje për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve përmes një kornize strikte ligjore. Ai tha se lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë pa kompromise, duke shtuar se kjo është prioritet për Gjermaninë. Të njëjtën thirrje, bëri edhe zv/shefi i delegacionit të BE, Jean-Baptiste Le Bras  zv/shefi i delegacionit të BE. kërkoi mbrojtjen e të dhënave personale me ligj, duke argumentuar se me rastet e fundit të rrjedhjes së të dhënave kjo është më e nevojshme se kurrë.