Pandemia e Covid-19/ Basha: Populli të ngrihet, nuk ka më vetëm këshilla për Ramën

369
Sigal

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka sulmuar ashpër qeverinë për menaxhimin e situatës së pandemisë së koronavirusit.

Gjatë një interviste për “News 24”, Basha u shpreh se opozita nuk ka më këshilla për ti dhënë qeverisë, pasi deri më sot nuk ka marrë asgjë parasysh.

Kreu i PD-së tha se protesta e qytetarëve për krizën ku ka futur vendin Edi Rama kanë nisur dhe nuk është një reagim për politikë, por për të drejta që kanë të bëjnë me ekzistencën civile.

Basha tha se opozita nuk ka më kohë për këshilla, pasi sot është koha për reagim.

“Ne mbështesim protestën e drejtë të qytetarëve që ka nisur tashmë. I kanë detyrim në Kushtetutë t’i zbatojë qeveria kërkesat e tyre, se shteti i detyroi njerëzit të mbyllen në shtëpi, shteti duhet t’i përgjigjet me ndihmë financiare, me ndihmë ekonomike. Nuk është lëmoshë as vullnet i mirë i Edi Ramës, pra e ka në detyrë. Pyetja që shtrohet sot është ku janë lekët e shqiptarëve? Lekët e taksapaguesve shqiptarë? Si do ta mbajnë gjallë frymën ata, me fjalë, me cinizëm? Mbështes me të gjitha format dhe mënyrat protestat e qytetarëve që kërkojnë të drejtat e tyre në një situatë keqmenazhimi nga qeveria. Ne nuk do ta shfrytëzojmë këtë zemërim të tyre për pushtet”,- tha Basha.

Basha kritikoi ashpër paketat ekonomike të qeverisë “Rama” duke i cilësuar si të pamjaftueshme dhe tallëse ndaj qytetarëve. Gjithashtu, kreu i PD-së deklaroi se masat e marra për pandeminë nuk po rezultojnë efikase.

“Duket se karantina nuk po jep fryte. Sepse lihen bomba me sahat si fasoneritë dhe hapin infeksionet. Qeveria nuk zgjidhi qesen për të paguar vajzat, nënat. I mbajti t’ja japë oligarkëve. Ku janë paratë e qytetarëve? Tani që kanë nevojë për shtetin shteti zhduket. Dhe më pas zgjat gjendjen e jashtëzakonshme? Çfarë bëri këto 4-5 javë? Drejtim nga Facebooku, tjetër gjë thotë tjetër gjë bën. E paaftë, qeveria ka dështuar, një shtet i rrënuar nga korrupsioni. Nëse do vendoste interesat e shqiptarëve të parat do ishte ndryshe, por jep 100 milionë euro për oligarkët dhe lë gratë dhe vajzat të klithin, s’kam asgjë thonë. As ta lusim, as ta këshillojmë, por tani është dita të ngremë zërin. Gjysma e parlamentit është shtojcë e këtij dështimi”,- tha Basha.