Pandeli Majko del hapur kundër Ramës për “Shengenin Ballkanik”

563
Sigal

Ministri i kabinetit “Rama” dhe ish-kryeministri gjatë luftës së Kosovës, Pandeli Majko ka kundërshtuar idenë e “Mini Shengenit Ballkanik”, të propozuar nga Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

Në një takim me studentët shqiptarë të arkitekturës që studjojnë në universitetin e Firences në Itali, Pandeli Majko ka deklaruar se Shengeni më i rëndësishëm për Shqipërinë është ai me Italinë dhe jo me Rajonin. “Kemi dëgjuar këto kohë të flitet për shumë lloje Shengeni në rajon, por mendoj se Shengeni më i rëndësishëm i Shqipërisë është ai me Italinë”,- tha Majko.

Deklarata e Majkos është një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj politikës rajonale që po ndjek kryeministri Edi Rama. Gjatë javës së kaluar, teksa Edi Rama përgatitej për takimin e Ohrit ku bëri deklarata të ashpra kundër Kosovës, mësohet se ka pasur tensione në kabinetin e qeverisë “Rama”. Ministri i Disaporës nuk e ka përkrahur idenë e kryeministrit, e cila përjashton Kosovën nga takimet rajonale dhe afron Shqipërinë me Serbinë. Burime në PS thonë se ka pasur një debat me tone të ashpra në mbledhjen e qeverisë, mes Edi Ramës dhe ministrit të Diasporës, që mban edhe pasaportë si shtetas i Kosovës.

Këto debate nuk kanë dalë në publik, por sot nga Italia, Pandeli Majko ka dhënë sinjalin e parë se është kundër projektit të Edi Ramës me Aleksandar Vuçiç. Majko është zyrtari i parë i PS-së në postin e ministrit që del kundër ideve të shefit të tij për projektin e rajonit. Opozita shqiptare ka shprehur kritika për këtë projekt, ndërsa klasa politike dhe shoqëria në Kosovë ka reaguar shumë ashpër kundër Edi Ramës. Drejtuesit kryesorë të institucioneve të shtetit të Kosovës kanë deklaruar se Edi Rama po mbështet idenë serbe që krijon “Jugosllavinë e Re” duke dëmtuar rëndë interesat e Kosovës dhe shqiptarëve në rajon. Kundër kryeministrit Rama dolën presidenti Thaçi, kryeministri në ikje Haradinaj, kryeministri në ardhje Albin Kurti, lideri i LDK, Isa Mustafa etj.