Panariti takon Veliajn, i propozon krijimin e “Polit të Bujqësisë për Tiranën”

398
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti gjatë një takimit të zhvilluar dje me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka propozuar tij krijimin e Polit të Bujqësisë për Tiranën.
Në kuadër të koordinimit dhe bashkëpunimit midis dy institucioneve pas kompetencave të reja që merr pushteti vendor, pas reformës administrativo-territoriale, Panariti propozoi disa çështje konkrete për të kanalizuar bashkëpunimin midis dy institucioneve.
Ministri ka hedhur idenë e krijimit të Polit të Bujqësisë për Tiranën, një organizëm që do të përbëhet nga strukturat e Drejtorisë së Bujqësisë së Tiranës dhe strukturës përkatëse të bashkisë së re të Tiranës.
Poli i Bujqësisë për Tiranën do të jetë një strukturë për mbarëvajtjen dhe inkurajimin e zhvillimit të bujqësisë në Bashkinë e Re të Tiranës. Bashkëpunimi në këtë sektor do të jetë dhe për krijimin e tregjeve të reja të shitjes së fruta-perimeve, ndërtimin e thertoreve etj. Ministri Panariti ofroi gjithashtu gatishmërinë për të bashkëpunuar nëpërmjet dhe ekspertëve të Institutit të Veterinarisë për zgjidhjen e problemit të kafshëve të rrugës.
Veliaj mirëpriti propozimet dhe shprehu vullnetin për bashkëpunimin midis dy institucioneve, duke thënë se falë këtij bashkëpunimi do të sigurohet një standard evropian për Tiranën për çështjet që kanë të bëjnë me bujqësinë, infrastrukturën e tregjeve etj. 
Sigal