Panariti: Shkatërrimi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Bimëve dhe të atij Veterinar, hodhi në erë themelet e sigurisë ushqimore në vend

276

Ish-deputeti i LSI-së, Edmond Panariti me anë të një postimi ka risjellë në vëmendje problematikën e shkatërrimit të inspektoratit të mbrojtjes së bimëve dhe të atij veterinar.

Panariti ka theksuar se prodhimet dhe eksportet janë në rrezik për këtë shkak.

Ja postimi i plotë:

Shkatërrimi i inspektoratit të mbrojtjes së bimëve dhe të atij veterinar, ishte ai që hodhi në erë themelet e sigurisë ushqimore në vend. Prandaj prodhimet dhe eksportet janë në rrezik!

Sipas ligjit të Ushqimit, përgjegjësia kryesore për ndotjen e prodhimit bujqësor bie te prodhuesi dhe tregtuesi! Kjo do të thotë se nuk mund të prodhosh dhe shesësh nëse nuk garanton pastërtinë e produktit me kartë teknologjike dhe analiza fundore. Pyetja shtrohet: kush duhet ti bëjë këto të dyja. Përgjigja është Inspektorati i Mbrojtjes së Bimëve dhe ai Veterinar.

Po pse nuk e bën? Sepse këta inspektore nuk ekzistojnë më, sepse u dërmuan dhe u shkatërruan nga Rilindja, me gjoja reformimin e Drejtorive të Bujqësisë ! Nuk duhet të ketë parcelë, serë, stallë, pikë grumbullimi pa inspektorat dhe kartë teknologjike ku duhen përcaktuar se çfarë duhet bërë dhe se çfarë nuk duhet bërë, çfarë duhet të përdoret dhe çfarë jo.

Janë këta inspektorë, të cilët sipas ligjit përcaktojnë kufizimet dhe ndalesat në procesin e prodhimit. Janë këta inspektorë që ishin, por që nuk janë më  “check lista” e prodhuesit para se të guxojë të shesë perimet, frutat, qumështin, mishin. Prandaj sistemi i sigurisë ushqimore nuk ka themele dhe duhet rindërtuar.