Panariti: Kryqëzata e konfiskimeve të AKU-së dhe helmimi i opinionit publik me “fake news”

423
Sigal

Nga Edmond Panariti

Kryqëzata e konfiskimeve të AKU-së dhe helmimi i opinionit publik me “fake news” nga “eksperte të vetëshpallur ” të sigurisë ushqimore. Në vëmendje të Prokurorisë së shtetit dhe organeve të hetimit! Ka muaj që epiqendra e goditjes nga AKU janë bërë bizneset që përdorin qumësht pluhur dhe vaj vegjetal palme, kinse për rrezikun që paraqitin këto produkte për konsumatorin. Për mua qëllimi është i qartë. Synohet goditja e sponsorizuar e industrisë vendase të qumështit, si blerësja e vetme e qumështit të freskët të fermerëve , duke favorizuar qumështin dhe nënproduktet e tij të importit. Në fakt nuk është hera e parë që kjo ndodh! Ndodhi edhe para shtatë vitesh, po nga AKU e cila përdori shpifjen e sponsorizuar të aflatoksinave, duke çuar në faliment dy fabrikat më të mëdha vendase të qumështit. AKU-ja sot me vendim të prerë gjyqësor u detyrohet këtyre bizneseve me miliona euro dëmshpërblim për shkak të falimentit të provokuar ! Po pse po riaktivizohet sërish i njëjti mekanizëm dhe ku fle “lepuri” ? Kjo bëhet për t’i ndaluar prodhuesit tanë, ti përdorin këta përbërës të ligjshëm dhe shumë masive në Evropë dhe Amerikë. Kjo ndalesë, i nxjerr ata automatikisht jashtë loje, sepse cënon teknologjinë e prodhimit dhe rrit koston! Qartë dhe pastër! Por le të shohim me syrin e profesionistit, çështjen e qumështit pluhur dhe të vajit të palmës. I ftoj mediat dhe gazetarët tanë tu drejtohen zyrtarisht gjigandëve botërore të bulmetit Nestlé, Danone, Lactis por edhe Autoritetit Evropian dhe Amerikan të Ushqimit me pyetjen: “A është i ligjshëm përdorimi i këtyre përbërësve në industritë e tyre të qumështit, kosit? Përgjigja do jetë Po! A duhen ndaluar dhe vënë kufizime në sasitë e importuara? Përgjigja do jetë JO! Atëherë me ç’të drejtë u konfiskohen këto produkte bizneseve shqiptare? Sipas kësaj logjike hajde t’u heqim edhe bebeve në maternitet, qumështin e biberonit, sepse është qumësht pluhur? Kjo është çmenduri! Qumështi pluhur është qumësht të cilit i është hequr uji për efekt transporti dhe steriliteti! Por ai është qumësht i plotë . Po vaji i palmës? Është provuar me studime serioze se ky vaj është më i shëndetshëm dhe me më shumë vlera se vaji i misrit! Atëherë hajde ta ndalojmë edhe vajin e misrit!!