Paloka: Anëtarët e kryesisë, pushime në Paris gjatë fushatës

464
Duke folur për analizën e rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit, Edi Paloka deklaroi për mediat se shumë anëtarë kryesie të PD-së në kulmin e fushatës elektorale postonin selfie nga Parisi apo u kërkonin publikisht zgjedhësve të mos votonin Partinë Demokratike. “Çfarë na ndodhi ne në zgjedhjet e 2017? Disa raste konkrete me anëtarë kryesie të PD-së. Një anëtar kryesie doli hapur gjatë fushatës elektorale dhe ju kërkoi demokratëve të mos votojnë PD. Pse? Sepse kishte problemet e tij me kryetarin e partisë. Të tjerë anëtarë kryesie, ndërkohë që ne ishim në fushatë, demokratët ishin në betejë se nuk ishte as fushatë, për zgjedhjet parlamentare, bënin selfie nga Parisi dhe i postonin në FB”, tha Paloka për “Ora News”. Nënkryetari i demokratëve, Edi Paloka, thotë se analiza për zgjedhjet e 25 qershorit do të nisë brenda pak ditësh me ngritjen e grupeve të punës, ndërsa do të kalojë në site çdo komponent që ka ndikuar në rezultat. “Duhet t’i kryejmë në këtë proces siç janë identifikimi i atyre që na kanë votuar të cilët pavarësisht presioneve, tundimit të parave dhe gjithçkaje tjetër, erdhën dhe votuan PD. Dhe sigurisht ne duam ti dimë se kush janë këta njerëz. Po ashtu duam të dimë dhe kush janë 200 mijë apo më shumë votues që këtë herë nuk e votuan PD. A janë këta nga ata që janë larguar, 200-300 mijë shqiptarë që janë larguar nga Shqipëria, a janë këta nga ata që u vunë nën presion, u morën karta, shitën votën apo nuk donin Lulzim Bashën apo Edi Palokën dhe nuk votuan”, tha Paloka. Me nisjen e analizës, selia blu do të përfshihet dhe në një proces ristrukturimi si në degë dhe në qendër.
Sigal