Pakti Rama-Basha, zbulohen ministrat teknikë

476
Pas një takimi të kryeministrit me kreun e opozitës, dakordësi edhe për Avokatin e Popullit dhe kreun e KQZ-së
Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i kanë dhënë fund procesit të përzgjedhjes së anëtarëve teknikë të qeverisë, të cilët do të emërohen në zbatim të marrëveshjes politike. Të dy politikanët janë takuar sërish mbrëmjen e djeshme, ndonëse këtë herë biseda mes tyre ka qenë më e shkurtër. Në Pallatin e Kongreseve, edhe larg syve të medias, Rama e Basha kanë fiksuar listën e anëtarëve teknikë të qeverisë, si dhe drejtimin e dy institucioneve të tjera.

Me propozim të Bashës dhe miratim të Ramës, Ledina Mandija do të jetë zv/kryeministre. Ajo do të zëvendësojë Niko Peleshin, ndërsa më parë ka qenë Avokate e Shtetit në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike. Ndërkohë, Dritan Demiraj, një ish-ushtarak dhe pjesëtar i misioneve jashtë vendit, do të jetë drejtuesi i ri i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai u shkarkua nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, me justifikimin se ishte larguar jashtë vendit pa leje, por tashmë të dy ministrat duhet të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit. Propozimet e reja vijojnë me Gazment Bardhin, një jurist i njohur, i cili do të jetë në krye të Ministrisë së Drejtësisë. Mjeku Arben Beqiri do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa Helga Vukaj, me eksperiencë pune në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Agjencia e Pronave, do të jetë drejtuesja e re e Ministrisë së Financave. Gjithashtu, dy zonja të tjera do t’i shtohen listës së qeverisë. Sipas propozimit të Bashës dhe miratimit të Ramës, Mirela Karabina do të jetë ministre e Mirëqenies Sociale e Rinisë, ndërsa Xhulieta Kërtusha do të drejtojë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. 

Në listën e emrave të miratuar është edhe ai i Erinda Ballancës, avokate, e cila do të jetë Avokatja e re e Popullit. Ndërsa Klement Zguri do të ndërrojë kolltukun me Denar Bibën, duke marrë drejtimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 

Emrat e propozuar nga opozita dhe të pranuar nga kryeministri mbeten persona teknikë, ndërsa lista përkatëse ka udhëtuar drejt Presidencës për t’u dekretuar.
LEDINA MANDIJA, zv/kryeministre
Ka qenë drejtuese e lartë e Avokaturës së Shtetit gjatë kohës së drejtimit të qeverisë nga Partia Demokratike. Karriera e saj nis gjatë periudhës 1996-2007, si lektore dhe anëtare e Senatit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Në periudhën 2007-2010 ishte përfaqësuese në Avokaturën e Shtetit; 2010-2013 u emërua Avokate e përgjithshme e Shtetit; 2013-2014, përfaqësuese në Arbitrazhin Ndërkombëtar dhe konsultimin e kontratave në Avokaturën e Shtetit. Prej vitit 2014, asistente ligjore pranë institucionit të Presidentit të Republikës. Lektore në Shkollën e Magjistraturës dhe universitetin “Marin Barleti”. Ka shërbyer edhe si eksperte në organizata ndërkombëtare dhe organizata jofitimprurëse. 
DRITAN DEMIRAJ, ministër i Brendshëm
Pedagog në Akademinë Ushtarake “ Skënderbej” (02.06.91-20.11.1994); Reparti Special i Antiterrorit (Komandant Grupi) (20.11.94-03.09.1995); instruktor i Përgatitjes Speciale (03.09.95-18.05.1997); Reparti Special i Antidrogës (Shef Stërvitje ) (18.05.97-13.12.1999); Batalioni i Parë i shoqërimit të Presidentit (13.12.99-01.04.2003); pedagog i Mbijetesës në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” (01.04.03-01.06.2004); zv/ Komandant i Shkollës së Trupave Speciale (01.06.04-01.02.2007); Komandant i Forcave Speciale të Ushtrisë (01.02.07-01.10.2009); Komandant i Regjimentit Komando dhe FS (01.10.09-25.05.2010); Komandant i Forcave Speciale të Ushtrisë (25.05.10-16.11.2013); Shef i Qendrës së Simulimit, KDS (16.11.14-05.12.2015); pedagog në Universitetin e Sporteve të Tiranës (05.12.15-30.08.2016).

GAZMENT BARDHI, ministër i Drejtësisë
Prej nëntorit 2013 është këshilltar ligjor në Kuvendin e Shqipërisë. Në periudhën korrik 2015 – tetor 2016 ka punuar si ekspert pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi. Në vitet 2008-2013 ka qenë drejtor i Oponencës në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe këshilltar i ministrit. Gjithashtu ka punuar si specialist në sektorin e Analizës dhe Rekomandimeve Institucionale, Sektori i Oponencës Ligjore, Sektori i Mendimit Juridik, si dhe anëtar i bordit drejtues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Tetor 2012–shtator 1013 ka qenë anëtar i Komisionit Disiplinor të Avokatisë.

ARBEN BEQIRI, ministër i Shëndetësisë
Profesor i Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë. Më parë, zëvendësrektor, Universiteti Mjekësisë, Tiranë. Kirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Diplomuar mjek i përgjithshëm, ndërsa në vitet 1989-1990 ka punuar në Prekal, Dukagjin (Shkodër). Është i specializuar si kirurg i përgjithshëm. Në vitet 1994-1995 ka ndjekur studime të avancuara në endoskopinë gastrointestinale në San Diego, ndërsa është lektor “Fulbright” në Fakultetin e Mjekësisë, Departamenti i Kirurgjisë Digjestive, Universiteti i Tiranës.

HELGA VUKAJ, ministër e Financave
Ka punuar në Kontrollin e Lartë të Shtetit, si drejtore e përgjithshme deri në vitin 2016. Më parë, ajo ka qenë zv/drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në periudhën tetor 2005 – gusht 2006, Vukaj ka qenë drejtore e Drejtorisë së Shërbimeve Juridike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa në vitin 2003 ka qenë juriste pranë institucionit të Presidentit të Republikës. Ajo ka qenë pedagoge e jashtme në kursin e Masterit “Manaxher i Emigracionit”, në ciklin e leksioneve “Sistemi i vizave, rasti i Shqipërisë” dhe ”Legjislacioni komunitar për trafikimin e qenieve njerëzore, dhe riatdhesimi i të miturve të pashoqëruar Universitetin “Luigi Bocconi” (Itali).

MIRELA KARABINA, ministre e Mirëqenies Sociale
Ka punuar si pedagoge në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale, dhe në “Albanian University”. Në CV-në e saj profesionale renditen edhe detyrat si nëndrejtore, shkolla 12-vjeçare “Faik Konica” Tiranë (2014-2016); drejtore në shkollën 9-vjeçare “P. Budi”, Tiranë (2005-2011); nëndrejtore në shkollën 9-vjeçare “O. Myderizi”, Tiranë (2003-2005); mësuese dhe specialiste në edukim, Drejtoria Arsimore Elbasan (1993-1995); mësuese në shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi”, Elbasan (1992-1993); mësuese e lëndëve gjuhë dhe letërsi, Elbasan (1988-1992). Në vitet 1995-1998 ka qenë në ambasadën e Shqipërisë në Pakistan dhe në vitet 2011-2014 në ambasadën shqiptare në Sofje, si bashkëshorte e ambasadorit.

XHULIETA KËRTUSHA, ministre e Arsimit e Sportit
Menaxhere operimi në “Statkraft PContinent/UK/SE Europe”. Më parë, gusht 2010–dhjetor 2015, drejtoreshë e Njësisë së Blerjes së Energjisë dhe Zhvillimit Rajonal të Tregut në OSHEE (ish-CEZ Shpërndarje Sh.a. anëtare e CEZ Group); Tetor 2009 – gusht 2010, drejtoreshë e Divizionit të Furnizuesit Publik me Shumicë në KESH; Dhjetor 2009 – Qershor 2010, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Termocentralit të Vlorës, KESH; Janar –Tetor 2009, drejtoreshë e Shfrytëzimit dhe Monitorimit të Kaskadës së Drinit, KESH; Qershor 2004 – Janar 2009, inxhiniere mekanike në Departamentin Hidro Termo Mekanik , KESH; 1997-2002, inxhiniere mekanike, Drejtimi Energjetik, KESH.

Ndryshimet në qeveri e institucione:
Ledina Mandija, zv/kryeministre
Dritan Demiraj, ministër i Brendshëm
Helga Vukaj, ministre e Financave
Gazment Bardhi, ministër i Drejtësisë
Arben Beqiri, ministër i Shëndetësisë
Xhulieta Kërtusha, ministre e Mirëqenies Sociale
Mirela Karabina, ministre e Arsimit dhe Sportit
Klement Zguri, kryetar i KQZ-së
Erinda Ballanca, Avokate e Popullit
Deputetët do të miratojnë zv/kryeministrin e ministrat e rinj, vetingun, kreun e KQZ-së dhe ndëshkime shtesë për blerjen e votave

PD i jep fund bojkotit, sot Kuvendi voton qeverinë e vetingun

Partia Demokratike do t’i japë sot fund bojkotit disamujor të Kuvendit, duke votuar së bashku me socialistët, marrëveshjen Rama-Basha. Zbatimi i paktit të 18 majit nisi prej ditës së djeshme, kur Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi 25 Qershorin si datën e re të zgjedhjeve, për të cilën u ra dakord mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Po më datë 25 qershor do të zhvillohen dhe zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e Bashkisë së Kavajës. Në sqarimin që shoqëron dekretet, presidenti Nishani shpjegon se vendimi i tij vjen në respekt të Kushtetutës dhe dispozitave të Kodit Zgjedhor, si dhe bazuar në kërkesën e krerëve të shumicës dhe opozitës. “Në vijim të iniciativës së Tij institucionale e të vazhdueshme për të nxitur dialogun politik me synim gjetjen e zgjidhjes politike mbi baza kompromisi, Presidenti i Republikës vlerëson maksimalisht këtë marrëveshje si një arritje të rëndësishme me interes për vendin dhe popullin shqiptar”, theksohet në deklaratën e Presidencës. Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit gjithashtu shprehu mirënjohjen dhe ndaj kontributit të çmuar të dhënë nga miqtë evropianë dhe amerikanë të Shqipërisë.

Ndërkohë, pas kërkesës së kryeministrit, kryeparlamentari Ilir Meta vendosi thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për sot në orën 18:00. Parlamenti do të miratojë fillimisht ndryshimet në qeveri, si dhe zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës zgjedhore, i cili po sot do të paraqesë një paketë ndryshimesh ligjore, që do të kenë të bëjnë kryesisht me financimin e partive dhe ashpërsimin e masave për veprat penale që lidhen me zgjedhjet, kryesisht me blerjen e votave.

Në të njëjtën kohë, opozita do të paraqesë kandidaturat e saj për anëtarët e komisioneve që lidhen me procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve. Deputetët do të votojnë dhe për kreun e ri të Komisionit Qendror të zgjedhjeve, i cili i kalon opozitës, dhe një anëtar të këtij komisioni.

Rendi i ditës
1 – Hapja e Sesionit të Jashtëzakonshëm të Legjislaturës së VIII –të të Kuvendit të Shqipërisë.
2 – Votimi i dekreteve të Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim të:
– Zëvendëskryeministrit
– ministrit të Punëve të Brendshme
– ministrit të Arsimit dhe Sportit
– ministrit të Shëndetësisë
– ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
– ministrit të Financave
– ministrit të Drejtësisë

(Kushtetuta, neni 98, votim me shumicë absolute).
3 – Projektvendim “Për një ndryshim të vendimit nr. 12/2017 “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore” (Me shumicë të thjeshtë).
4 – Shqyrtimi dhe miratimi i paketës ligjore propozuar nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore.
5 – Projektvendime “Për caktimin e përfaqësuesve të pakicës parlamentare në komisionet Ad Hoc. (Votim me shumicë të thjeshtë); “Për verifikimin e kandidatëve në institucionet e rivlerësimit, sipas vendimit nr. 41/2017 të Kuvendit të Shqipërisë me 6 anëtarë”; “Për përzgjedhjen e kandidatëve në institucionet e rivlerësimit, sipas vendimit nr. 45/2017 të Kuvendit të Shqipërisë me 12 anëtarë”; “Për përzgjedhjen e kandidatëve në institucionet e rivlerësimit, sipas vendimit nr. 46/2017 të Kuvendit të Shqipërisë me 6 anëtarë”; “Për caktimin e dy anëtarëve zëvendësues të opozitës në Komisionin Ad Hoc për verifikimin e kandidatëve për Institucionet e Rivlerësimit”.
6 – Projektvendime “Për lirimin nga detyra të një anëtari të KQZ-së” dhe “Për emërimin e një anëtari të KQZ-së” (Votim me shumicë të thjeshtë).
7 – Projektvendime “Për lirimin nga detyra të Kryetarit të KQZ-së” dhe “Për emërimin e Kryetarit të KQZ-së (Votim me shumicë të thjeshtë).
Sigal