PAKTI PËR DETIN, MËSIMET QË DUHET NXJERRË SHQIPËRIA

594
Flet Vladimir Beja, ish-komandant i Flotës Detare dhe kreu i ekspertëve të ndarjes së detit me Italinë. Si shkoi kufiri në 15 milje, kërcënimi amerikan, debatet me Romën dhe pse negociatorët duhet të kenë integritet të provuar
Me përvojën si kryetar i grupit të ekspertëve të ndarjes së detit mes Shqipërisë dhe Italisë, Vladimir Beja flet në një intervistë për “Telegraf” për mësimet që duhen nxjerrë nga historia. Ish-komandanti i Flotës Detare rrëfen çfarë ndodhi mes Shqipërisë dhe Italisë, ndërsa shprehet se ekipi shqiptar në negociatat me Greqinë duhet të jetë më i kompletuar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 6 ministrive që kërkon Kodi Detar. Për Vladimir Bejën, vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzon marrëveshjen e vitit 2009 duhet të jetë zanafilla e çdo negociate me Greqinë. “Përfaqësuesit tanë duhet të jenë shtetas shqiptarë, me certifikatë e besueshmëri të lartë sigurie, me integritet të provuar”, thotë Beja. Në intervistë, ish-drejtuesi i Flotës ndalet edhe te çështja “Meçollari”, që duket se po mban pezull institucionet shqiptare.

Keni qenë kryetar i grupit te ekspertëve për ndarjen e detit me Italinë. Sa e vështirë është për një qeveri të përgatitë dhe të realizojë negociata për ndarjen e vijës së kufirit me fqinjët?
“Kufijtë e Republikës së Shqipërisë, siç e dimë nga historia, janë përcaktuar qysh në vitin 1913, duke u zyrtarizuar përfundimisht nga Protokolli i Firences në janar 1925. Ky protokoll përcaktoi qartë kufirin tokësor të Republikës së Shqipërisë, si dhe kufizoi kufirin detar, si në Jug me Greqinë, ashtu dhe në Veri me ish-Jugosllavinë, sot Mali i Zi! Meqenëse bëhet fjalë për vitin 1925 nuk mund të pretendohej që atëherë kufiri detar të precizohej me koordinata të fiksuara, por është dhënë orientimi i duhur për skajin jugor të bregdetit shqiptar, kepi i Stillo-s, drejtimi në thellësi, duke vazhduar përgjatë mesit të Kanalit të Korfuzit! Në vitin 1926, Shqipëria deklaron me ligj të veçantë që deti territorial i saj ishte në kufijtë e 3 miljeve detare (1 mil=1852 m). Në vitin 1946, shteti shqiptar i shtrin ujërat territoriale në 6 milje detare. Duke parë pretendimet në rritje të shteteve bregdetare për zgjerim të vazhdueshëm të detit të tyre territorial, OKB-ja tenton të hartojë Ligjin Ndërkombëtar të Detit. Më 1958-n, OKB organizon një konferencë ndërkombëtare dhe harton 4 draft-projekte mbi detin, por ngaqë pjesëmarrja ishte e kufizuar u mblodhën rreth 60 vende dhe ajo nuk mori fuqi implementuese. Në vitin 1961 mblidhet përsëri Konventa Ndërkombëtare, UNCLOS II, dhe ndonëse përsëri nuk ishte kuorumi i nevojshëm për vendimmarrje, konventa projektoi kufirin maksimal të shtrirjes së ujërave territoriale deri në 12 milje detare. Po në vitin 1961, Republika e Shqipërisë deklaroi se gjerësia e ujërave territoriale të saj shtrihej në 12 milje. Në vitin 1982, në Montego Bay (Xhamajka) mblidhet UNCLOS III dhe përcaktoi qartë parimet, rregullat, metodologjinë e caktimit të kufijve detarë, midis vendeve fqinj që ndanin detin bashkë. Konventa përcaktoi si të detyrueshme që Deti Territorial i çdo vendi të shtrihet maksimalisht deri në 12 milje dhe asnjë metër më tepër. Konventa u zyrtarizua dhe u miratua nga mbi 160 shtete, duke marrë fuqinë e duhur për t’u zbatuar detyrimisht nga çdo shtet bregdetar. Pra siç mund të kuptohet dhe nga historia, nuk është e lehtë të ndahet deti, sidomos aty ku gjerësia e ujërave nuk lejon zbatimin e ligjit të kufirit detar, pasi largësia midis shteteve fqinj është më pak se 12 milje”.

Çfarë mësimesh mund të nxirren nga eksperienca e mbledhur deri më tani nga Shqipëria, qoftë në rastin e Italisë, qoftë dhe në atë të Greqisë (marrëveshja e parë)?
“Pas hyrjes në fuqi të ligjit ndërkombëtar të detit, Italia dha sinjalet e para, duke kontaktuar në rrugë diplomatike për të shprehur gatishmërinë e saj për të ndarë detin përballë me Shqipërinë. Duke pasur parasysh që atëherë Republika e Shqipërisë ishte një shtet i mbyllur, në dijenitë e mia këto përpjekje kanë mbetur me përgjigje të vakëta, diplomatike disavjeçare. Për rrjedhojë shteti italian, edhe kur nga shteti shqiptar i ktheu përgjigje se ishte i gatshëm për të filluar bisedimet diplomatike, shprehu pretendimin se nuk mund të ulesh në bisedime, qoftë dhe diplomatike, nëse Shqipëria nuk rishikonte dy probleme në ligjin e saj për kufirin: 1 – Detin territorial në 15 milje dhe 2 – Vijën e drejtë bazë. Republika e Shqipërisë, me ligjin e kufirit të vitit 1975 i kishte shtrirë ujërat territoriale në 15 milje. Ky ligj tashmë binte ndesh me Konventën Ndërkombëtare të Montego Bay, që siç e thamë më lart, detyronte çdo shtet që Detin Territorial ta shtrinte deri në 12 milje. Shteti shqiptar nuk e ndryshoi ligjin e kufirit, derisa në vitin 1989 kemi një notë të qeverisë amerikane, në formë ultimative, që kërkonte tërheqjen e menjëhershme të ujërave territoriale në kufijtë e 12 miljeve detare. Në vitin 1990 Shqipëria ndryshon ligjin për kufirin, duke e rikthyer në 12 milje Detin Territorial të saj. Me ndryshimin e ligjit mund të themi që u shënua dhe çelja zyrtare e negociatave për ndarjen e detit me Italinë. Nga viti 1990 deri në dhjetor 1992 është edhe periudha e negociatave me ekipe të plota ekspertësh, ku unë isha kryetar i grupit të ekspertëve ose dhe përfaqësuesi zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. Negociatat me Italinë patën 3 debate thelbësore: 1 – Vija e drejtë bazë; 2 – Statusi i Ishullit të Sazanit; 3 – Korrektimi i matjeve nga diferenca teknologjike e dy palëve. Theksoj se krahas vështirësive të kohës dhe ndryshimeve të mëdha teknologjike, pala shqiptare tregoi, jo vetëm integritet, por dhe nivel të lartë profesional të vlerësuar mjaft edhe nga pala italiane. Fakti që kjo marrëveshje u pranua dhe ndërkombëtarisht, na bën të ndihemi mjaft mirë para opinionit kombëtar, që një detyrë kaq e vështirë, por e rëndësishme, u realizua me sukses të plotë”.

Aktualisht ka një debat të ndezur politik dhe publik mbi negociatorët që do të angazhohen. Si është përgatitur grupi negociator në 2 rastet e shkuara?
“Delimitimi i Detit Territorial, Zonës Ekonomike Ekskluzive dhe shelfit kontinental me Greqinë, që u tentua të kryhet në vitin 2009 është për të ardhur keq që nuk pati fatin e asaj me Italinë, pasi ajo thjesht nuk mori parasysh eksperiencën e mëparshme të shtetit shqiptar, si në rrugë institucionale, ashtu dhe për sa i përket përvojës së individëve ekspertë, tashmë dhe të specializuar ndërkombëtarisht në fushën e së drejtës ndërkombëtare detare. Kjo marrëveshje u hodh poshtë në mënyrë tepër të argumentuar nga Gjykata Kushtetuese, jo vetëm për vërejtje formale, por dhe për gabime thelbësore, në ndarjen e pabarabartë të ujërave apo zonave detare, duke i shkaktuar dëm interesave kombëtare, si në sasi, ashtu dhe në cilësi. Unë personalisht ndihem mirë moralisht dhe profesionalisht që u rreshtova ndër ata që e kundërshtuan këtë marrëveshje si jo transparente dhe jo të ndershme, që dëmtonte interesat tona kombëtare”. 

A ka ekzistuar më parë edhe frika apo shqetësimi se agjentura të huaja mund të angazhohen apo përfshihen në çështjet e ndarjes së detit?
“Marrëveshja e re me Greqinë duhet të marrë si bazë të gjitha vërejtjet e dala nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Aty duhet të jetë dhe zanafilla e negociatave të reja. Pala shqiptare duhet të jetë dinjitoze, jo vetëm për sa i përket integritetit, por edhe nivelit të lartë profesional. Gjithashtu ekipi shqiptar duhet të jetë më i kompletuar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 6 ministrive që kërkon Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë. Ngaqë bëhet fjalë për kufijtë detarë, ku shtrihet sovraniteti i plotë i Republikës së Shqipërisë, të cilat përcaktojnë dhe sipërfaqen ajrore të RSH, përfaqësuesit tanë duhet të jenë shtetas shqiptarë, me certifikatë e besueshmëri të lartë sigurie, me integritet të provuar”.

Në debatin publik mbi çështjen “Meçollari” ka dalë në pah edhe mungesa e ekspertëve për realizimin e një marrëveshje cilësore. Sa është e përgatitur Shqipëria në këtë drejtim?
“Kapitenin e rangut të parë, Artur Meçollari e njoh personalisht, para shumë vitesh, kur unë isha me shërbim si komandanti Flotës Luftarake Detare. Me pak fjalë për situatën ku ai ndodhet, sot unë mund të them: Shpreh keqardhjen e thellë për këtë oficer të përgatitur mirë, nëse ato që thuhen janë të vërteta, si dhe shpreh urrejtjen më të thellë për shpifësit, kudo që janë, nëse ato që thuhen për Arturin, nuk janë të vërteta”.
Sigal