Pakënaqësitë në Primare, kandidatët kërkojnë përsëritje të procesit pas problemeve me listat

123
Sigal

Votimi në Primare të Partisë Demokratike ngjalli edhe pakënaqësitë e tij për kandidatët, të cilët ishin të caktuar nga kryetarët e degëve të PD dhe jo nga ajo që do të kishin dashur anëtarët e partisë. Ndarja e tillë e punëve solli edhe përfshirjen në garë edhe të deputetëve apo edhe kryetarëve të Bashkive, ndërkohë që personat kishin të vërtetuar se kanë mbështetjen edhe të qytetarëve të thjeshtë jo vetëm të demokratëve, përse nuk pati një kalim në mënyrë automatike. Një fenomen tjetër që solli edhe rritjen e pakënaqësisë për Primaret ishte edhe përfshirja në lista e simpatizantëve, ndërsa ata që ishin anëtarë të Partisë Demokratike mbetën jashtë listave. Kjo solli edhe një përplasje me emrat, të cilët një pjesë e tyre ishin ‘tallje’ për anëtarët e vërtetë të PD pasi rezultonin edhe si simpatizantë të Partisë Socialiste.

Listat e tejngopura me ‘anëtarë’ sollën një zhgënjim në pjesëmarrje të votuesve, edhe kryetari i Bashkisë Shkodër Bardh Spahia apo deputeti që theu herësin në Elbasan, Luçiano Boçi kanë pasur një numër të ulët të votuesve që nuk përfaqësonin as 10% të votuesve të anëtarëve të PD. Kjo është marrë edhe si lojë për simpatizantët e PD, të cilët kanë shkuar të votojnë, por në fund janë zhgënjyer nga problemet me listat apo me emrat e kandidatëve, që në disa raste nuk ka pasur asnjë mundësi për të zgjedhur. Dyshohet se për shkak të pakënaqësive të këtij procesi është tërhequr nga gara në balotazhin e Tiranës kandidati Ilir Alimehmeti.

Asllan Dogjani për Primaret në Kamzë: U abuzua me procesin, ishin fshirë listat

Kandidati për Primaret e Partisë Demokratike në Kamëz, Asllan Dogjani thotë se ky proces pati parregullsi dhe abuzime. Dogjani u shpreh se kishte një fshirje të madhe të listave të simpatizantëve, por edhe anëtarëve të Partisë Demokratike. “Ajo që dua të them, në këto primare që për herë të parë zhvillohen në Shqipëri, unë sigurisht që kam menduar që nuk do të shkojë perfekt, sepse bëhen për herë të parë brenda një Partie Demokratike. Por nuk e kam menduar që mund të shkohet deri atje që të abuzohet me votë. Unë nuk flas asnjëherë pa prova. Unë i kam të dokumentuar në procesverbale. Kur kam hyrë në garë, kam hyrë për të fituar, por natyrisht që unë pranoj edhe humbjen, i jap dorën kur më mund me rregulla të barabarta. Dihej që në momentet e para, kemi konstatuar një çorientim, një fshirje të madhe të listave të simpatizantëve, por edhe anëtarëve të Partisë Demokratike, kryetarëve të seksionit dhe grupseksionit. Mendova që problemi i listës ishte problem teknik. Mendova disa herë të tërhiqem nga gara, por do më thonë e kanë paragjykuar garën. Kam marrë 1554 vota, i falenderoj pa masë ata qytetarë, edhe ata që votuan kundër, por nuk falenderoj ata që kanë abuzuar me procesin”,- theksoi ai.

Shemsi Prençi: Vazhdoj garën, nuk jam tërhequr në asnjë moment, kërkoj përsëritjen e zgjedhjeve

Shemsi Prençi është shprehur se nuk është tërhequr nga gara, duke shtuar se do të jetë një kontributor i PD gjithmonë, ndërsa ka shtuar se për procesin e Primareve ka rezervat e tij, pasi me procesin ka pasur probleme të theksuara me listat.  “Unë nuk jam tërhequr nga gara. Unë kam qenë anëtar i PD për 23 vite. Jam një kontributor i vlefshëm dhe do të jem deri në fund. Kemi bërë një fushatë shumë komode, me të tre kandidatët. Ne duam të zgjedhim një kandidat që të jetë i fortë. I kam kërkuar PD të përsëritet procesi”- tha ai. Ndër të tjera Prençi tha se në listat e zgjedhësve nuk ishin emrat e anëtarëve të PD madje as të atyre që janë pjesë e strukturave, ndërsa në to gjendeshin emrat e anëtarëve të PS.