Paç fatin e Benit, ministrit të fatkeqësive

389
Sigal

Drejtoi financat e vendit. Nga duart e ministrit Arben Ahmetaj kaluan dhjetëra firma të kontratave të koncesioneve, pas së cilës fshiheshin qindra miliona euro.

U përlot fort kur Edi Rama me shumë dhimbje i komunikoi dhjetorin e vitit 2018 shkarkimin nga detyra. U pre i gjithi, u mërzit shumë, por kurrë nuk i humbi shpresat se kryeministri një ditë do e merrte sërish në kabinet. Vetëm një vit fiks ndenji në pritje, pasi dhjetori i vitit 2019 e “lumturoi”.

Ai u emërua Ministër Shteti për Rindërtimin (një post i shpikur nga portofoli qeveritar) për të menaxhuar fondet dhe koordinuar punët për ndërtimin e vendit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit të kaluar.
Me duart plot u kthye nga “Konferenca e Donatorëve” kur për shqipërinë u premtua se do të lëvroheshin 1.15 miliardë euro, pjesa më e madhe rreth 800 milionë euro borxhe dhe kredi, për rindërtimin, sidomos në zonat e prekura në qarkun Tiranë, Durrës dhe Lezhë.

Padyshim me “fat personal” ministri i “fatkeqësive”! Prej datës 18 të këtij muaji arka që menaxhohet nga Ahmetaj është fryrë edhe më shumë. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228, datë 18.3.2020, Ministri i Shtetit për Rindërtimin është përgjegjës për koordinimin dhe drejtimin e punës, ndërmjet ministrive dhe institucioneve, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19.

Ishte një nga emrat më të etiketuar dhe akuzuar nga opozita si i dyshuar për përfshirje në afera korruptive, por ai ka shumë fat. Ndërsa ishte bërë një “tabelë e lehtë qitjeje”, e “ndihmoi” për tu “vetëmartirizuar” shoku i tij Damian Gjiknuri, ministër në kohën e shpërthimit të skandalit të Unazës së Re, por edhe i dalë në audiopërgjimet e gazëtës gjermane “Bild” në krimin elektoral të Dibrës në vitin 2016.

Ahmetaj gjithsesi nuk do i shpëtonte akuzave sidomos për një lidhje direkte të tij me çdo konçesion të dhënë për inceneratorët në vend. Kur shumëkush pas shkëlqimit po shihte venitjen dhe rënien e Ahmetajt, tërmeti tragjik “shkundi” edhe kryeministrin Edi Rama, që mes shumë ekspertëve apo kontribuesve me dekada në PS, zgjodhi pikërisht Arben Ahmetajn.

Ai është një emër i përfolur gjatë për afera korruptive, që në kohën e qevrisjes së ish-kryeministrit Fatos Nano. U akuzua për përfshirje në aferën e privatizimit të telefonisë fikse, duke shtuar të ardhura të paimagjinueshme, deri në 30 milionë dollarë në kompaninë “Hermes”, e drejtuar prej tij dhe Dhimtraq Raftit. Nisën edhe hetimet për të, por shpejt u shuan si me magji në Prokurorinë e Tiranës, me vendimin e mbylljes së çështjes në mënyrë fort të dyshimtë.

Megjithatë Beni eci…, jo krejtësisht vetë, por me ndihmën e Edi Ramës, menjëherë sapo ai mori partinë. I pari që iu vetëofrua nga “ish-nanoistët” për tiu bashkuar lobit Rama ishte Ahmetaj. Padyshim u tregua i “zgjuar” duke e kuptuar se Rama do ishte e ardhmja e partisë, më vonë edhe e qeverisë. Ndonëse në zgjedhjet e vitit 2005 humbi në Tiranë përballë Lulzim Bashës, përsëri Ahmetaj nuk iu shqit liderit të partisë.

Momenti i shumëpritur i erdhi në vitin 2013 ku ishte nga emrat e parë që Rama thirri në kabinet, duke i ofruar jo pak, por ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe pa kaluar shumë kohë, kapërcehet me rritje, si Ministër i Financave, duke zëvendësuar Shkëlqim Canin.

Ky i fundit pati përplasje me Ramën për çështjen e konçesionit të mbledhjes së TVSH-së dhe disa aferave të tjera të cilat refuzoi ti firmoste dhe kryeministrit i duhej një njeri i bindur, kush tjetër me mirë se Ahmetaj do e bënte këtë?

Edhe pse formimi i tij ishte si “mësues anglishteje” iu besuan financat e vendit. Kushdo që e njeh nga afër ia di “meritat” është fort i përunjur para më të mëdhenjve (Ramës, duke mos ia kthyer urdhrat), por me “dorë të hekurt” me vartësit.

Padyshim është politikani më me benefite të larta shtetërore nga pjesa e majtë, duke njohur vetëm rritje në detyrë dhe gjithnjë në vendin ku i besohen çelësat e arkës së shtetit. Me shumë fat ministri i fatkeqësive!/Boldnews.al