Pa transparencën e financimeve të partive politike, nuk ka dekriminalizim të politikës

520
nga fushatat më të shtrenjta, për sa i përket shpenzimeve financiare që harxhuan partitë politike. KQZ, madje, ngriti edhe Komisionin monitorues të Medias që monitoronte kohën që mediat vizive i kushtonin fushatës elektorale të partive. Pas zgjedhjeve, nga auditi që zhvilloi KQZ, sipas ligjit për financimin e partive politike, qoftë në Kodin Zgjedhor, qoftë edhe në Kodin Penal, parashikon rregullat financimit të partive politike, të subjekteve zgjedhore, si dhe kontrollin e shpenzimeve të burimeve financiare. Mirëpo edhe pse të gjithë shqiptarët, edhe vetë partitë politike e pranuan që u shpenzuan shuma të mëdha, marramendëse, që janë shumë herë më të larta në shifra, nga ato burime financiare që u jep ligji, madje edhe nga hamëndesitë që mund të dhurohen parive dhe subjekteve zgjedhore nga donatorë ndryshëm, sipas ligjit, prapëseprapë, auditi i KQZ nuk mundi të gjente asnjë qindarkë leku, që subjektet zgjedhore dhe partitë politike shpenzuan më shumë sesa ato deklaruan. Atëherë, gjithkush e ka të qartë, se partitë politike dhe subjektet zgjedhore kanë donatorë që nuk i deklarojnë sipas ligjit, për burimet e tyre financiare dhe paskëtaj, edhe i shpenzojnë po në mënyrë të paligjshme, siç është edhe blerja e votës, (fenomen që u shkrua edhe në raportet e OSBE/ODIHR-it), për reklama të shumta, duke prishur paskëtaj edhe balancën e barazisë të garës midis kandidatëve dhe subjekteve zgjedhore. Pyetja është: Kush janë këta donatorë financues të jashtëligjshëm të partive politike dhe të subjekteve zgjedhore? Mund të jenë edhe biznesmenë të ndershëm, por kur partitë politike financohen me shuma marramendëse, atëherë detyrimisht, asnjë donator nuk i jep fonde financiare partive politike, pa parë fitimin e vet. Dhe ky financim i jashtëligjshëm i partive politike dhe subjekteve zgjedhore, vjen (edhe) nga bota e krimit. Njerëzit e krimit të organizuar bëhen donatorë financiarë të partive politike, qoftë për pastrimin e parave që fitojnë nga aktiviteti i tyre kriminal, por edhe për të pasur një mbrojtje të tyre nga ligji nga pushteti që do fitojnë partitë politike dhe subjektet zgjedhore, pasi të fitojnë zgjedhjet, me ndihmën e financimeve të botës së krimit. Gazeta “Telegraf”, në këtë forum, ftoi Prof. Kristaq Kume, ish-Kryetar i KQZ, Dëshira Subashi, ish-gjyqtare e Apelit, Dashamir Shehi, kryetar i LZHK dhe deputet, si dhe Nard Ndoka, kryetar i PDK dhe deputetë, duke u drejtuar pyetjen: 
Derisa nuk bëhen transparente burimet financiare të partive politike dhe subjekteve elektorale, a mund të dekriminalizohet politika?
Flasin për “Telegraf”:
Dëshira Subashi, ish-gjyqtare e Apelit: Bashkë me dekriminalizimin, të fuqizohet edhe kontrolli i financimeve të partive politike
Po, transparenca e financave nga partitë politike, në mënyrë të drejtpërdrejtë duket pa lidhje me dekriminalizimin e politikës, në të vërtetë. Megjithatë, mungesa e transparencës së financimit është në vetvete një shkelje ligji dhe nga shkelja e ligjit krijohet shteg për gjithçka, përfshi edhe favorizimin e financimeve që vijnë nga bota e krimit. Ndaj pyetja që më drejtoni duhet të marrë përgjigjen që bashkë me dekriminalizimin, të fuqizohet edhe kontrolli i financimeve të partive politike. Rregullat e hetimit te financimit të partive politike ekzistojnë, ato mund të fuqizohen për të bërë të mundur transparencën e plotë të tyre, veçanërisht disa rregulla ndryshe nga ato që janë sot në periudha elektorale. Në ligjin elektoral duhet të fuqizohen mekanizmat e kontrollit të donacioneve të partive politike.

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ: Duhet kuadër ligjor, i cili do të bëjë verifikimin e çdo qindarke që do të marrin partitë politike
Ligji, pra Kodi Zgjedhor, siç duket ka lënë hapësira, të cilat keqpërdoren nga subjektet politike në funksion të interesit të tyre për të aktivizuar sa më shumë fonde të pa deklaruara. KQZ, auditin që i ka bërë financave të përdorura në zgjedhjet e fundit ka arritur në atë përfundim që ju tha, për mendimin tim sepse ai ishte referuar atij informacionin që i është servirur nga partitë politike, ndërkohë që ligji zgjedhor ka hapësira, që të bëjnë të mundur që partitë politike t’i përdorin dhe të mos munden të jenë objekt i kontrollit, në auditet e komisionit qendror të zgjedhjeve. Është e domosdoshme për mua që të ri shikohen kuadër ligjor, sipas të cilit, duhet të realizohen mbështetjet financiare për fushatat zgjedhore edhe kuadër ligjor, sipas tij duhet të monitorohet i gjithë ky aktivitet financiar i partive politike. Ndërhyrjet mund të bëhen në Kodin Zgjedhor ashtu sikurse edhe në ligjin për financimin e partive politike. KQZ nuk mundet të veprojë ndryshe për të verifikuar financimin e partisë politike, që përveçse siç është përcaktuar në Kod Zgjedhor. KQZ-ja bën atë që i përcakton ligji, dhe ligji KQZ-në e detyron që pas përfundimit të procesit zgjedhor të aktivizojë auditin për të kontrolluar deklarimet e bëra. Auditi i KQZ nuk mundet të monitoroi shpenzimet, të hetoi dhe të monitoroi shpenzimet reale nëpërmjet edhe komisionit të medias që ka vetë duke ndjekur sa minutash kjo parti ka vënë reklamë në këtë televizion. Ligji ja ka përcaktuar mënyrën se si KQZ-ja të veproi. Partitë politike, forcat kryesore politike kanë rënë dakord dhe janë gati për të përfunduar një kuadër ligjor që në qendër të tij ka zvogëlimin e hapësirave për të konkurruar dhe për të sjellë njerëz me probleme në të shkuarën e tyre, që quhet dekriminalizimi i politikës, për mendimin tim i të gjithë organeve që qeverisin ose që kryejnë detyra. Për mendimin tim, kjo nuk do të mjaftojë, edhe nëse do të ndërtojë një kuadër ligjor shumë të mirë, i cili do të bëjë të pamundur që njerëzit me të kaluar penale ose njerëzit problematikë në aktivitetin e tyre jetësor, të futen në organet e zgjedhura, ose në ekzekutiv, nuk do të mjaftojë vetëm kjo, sepse në qoftë se në rrugë të tilla joligjore, siç është, mundet të realizojnë veprimtarinë e tyre subjektet politike, partitë politike, dhe në këtë rast për mendimin tim përdorimi i financave, të cilat nuk iu bëhet transparencë, nuk iu tregohet burimi, bëjnë pjesë tamam në veprimtarinë të cilat prodhojnë situata që mbarsin pas kësaj efekte jo normale në shoqëri dhe ai individ që bëhet pjesë e saj , i cili si rrjedhojë e ligjin për dekriminalitimit nuk konkurron me parat e tij, pa qenë fare i zgjedhur, arrin të komandoi të gjithë aktivitetin e subjektit të tërë. Pra nuk mjafton që të themi se luftuam efektin që na sjell bota e krimit në zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit, duke ja zgjeruar mundësitë me ligj që ajo të bëhet pjesë aktive efektive në organet e zgjedhura, ose në organet ekzekutive, po duhet me domosdo që të ndërtojmë një kuadër ligjor të tillë që ata të mos kenë asnjë mundësi që me paratë e tyre të ndikojnë në sjelljet e subjekteve politike. Këtu për mua e shton akoma më shumë nevojën për ndryshimin e gjithë statusit ligjor, i cili ka në objekt të tij transparencën e burimeve të financimit të partive politike. Krijimin e një kuadri ligjor që t’iu ngushtojë ose t’iu zerojë mundësitë këtyre njerëzve për të ndikuar të partitë politike nëpërmjet parave të tyre. Që do të thotë një kuadër ligjor i cili do të bëjë verifikimin e çdo qindarke që do të marrin partitë politike në përgjithësi për aktivitetin politik të tyre dhe në veçanti gjatë fushatave zgjedhore. 
Dashamir Shehi: deputet, kryetar i LZHK: Transparencën e burimeve financiare të partive politike, do ta fusja si kapitull të veçantë edhe te ligji i dekriminalizimit
Edhe unë gjykoj se pa transparencë të burimeve financiare që shpenzojnë partitë politike, nuk ka dekriminalizim. Unë transparencën e burimeve financiare të partive politike, do ta fusja si kapitull të veçantë edhe te ligji i dekriminalizimit. Sepse pse buron kriminalizimi? Se partitë duan lekët, sepse nuk është puna se kanë nevojë për mendtë e këtyre, se janë ndonjë politik e madhe. Kjo është si një e një që bëjnë dy. Unë besoj se te ky ligji që deri tani shpeshherë këto komisionet janë edhe pak si nuk them sekret po nuk ka ndonjë transparencë të madhe që ta dimë ku kanë mbërrit çfarë kanë bërë që të japim edhe ne një gjykim. Është fare e qartë që partitë politike as në 21 qershor 2015 nuk e kanë zbatuar aspak ligjin për burimet financiare të tyre edhe që ato institucione që duhet t’i kontrollojnë, nuk kanë mundur të hetojnë, ndaj edhe ato kanë falimentuar në punën e vetë. Prandaj them që duhen përfshi tek ligji i dekriminalizimit edhe një pjesë e këtyre elementëve që kontrollojnë partitë. E dyta, është një punë pak më e gjerë, edhe unë shpresoj që edhe me ligjin e ri për drejtësi, se në fund të fundit kujt do t’i tremben këta që e shkelin ligjin? Do t’i tremben vetëm një sistemi prokurorësh e gjykatësish që mund t’i vejë përpara përgjegjësisë. Këto janë hallka të lidhura me njëra-tjetrën. Për ne sistemi ka qenë tolerant, ka mbyll sytë para aktivitetit të furnizimit të partive politike me burime financiare nga donatorë të dyshimtë. Në fund të fundit, këto janë më dorëlëshuarit, më zemërgjerët ndaj politikës. Se këto i kanë fituar pa ndonjë lodhje pa ndonjë djersë dhe jo më kot tani duan t’i investojnë brenda politikës. I japin 10 për të marrë 15 apo 20, ose për të pasur mbrojtje nga politika. Një njeri që i ka fituar me djersën e ballit nuk i jep para politikës. Shumë radhë ndodhë kjo punë. Ose jepen shifra të parëndësishme. Me këtë etje që ka politika jonë për propagandë, duhen shuma të mëdhaja, shumat e mëdha vinë vetëm nga këto duar që janë të lidhur me krimin.

Nard Ndoka, deputet, kryetar i PDK: PS-PD kanë biznesmenë, të cilët në një farë mënyre vijnë nga bota e krimit ekonomik
E para, të dy partitë politike kanë biznesmenë, të cilët në një farë mënyre vijnë nga bota e krimit ekonomik edhe e kanë blerë drejtësinë, pra kanë qenë të akuzuar edhe ata. Në Shqipëri blihet drejtësia, në përgjithësi ne po largojmë ato deputetë që janë dënuar nga drejtësitë e huaja, të vendeve evropiane, si Italia, Greqia, ndërsa këta deputetë që janë në Shqipëri normalisht që janë me precedentë më të rrezikshëm kriminal, se ata që janë dënuar, por nuk janë dënuar, sepse e kanë blerë drejtësinë i kanë blerë gjyqtarët i kanë blerë prokurorët edhe kështu me radhë edhe pastrimi nuk është vetëm çështje ligjore, është pjesë morale, është mision dhe është demokratizim i vetë partive politike. Ligji i dekriminalizimit nuk zgjidh asgjë për dekriminalizimin. Thjesht përdoret edhe prej opozitës edhe nga mazhoranca gjoja se arritëm një konsensus. Është një demagogji e pastër prej dy palëve. Është shumë e rëndësishme që i gjithë sistemi elektoral të pastrohet nga këto elementë të kriminalizuar. Duke vazhduar me komisionerët e zgjedhjeve të partive politike, nga kryepleqtë, nga kryetarët e fshatrave, nga anëtarët e këshillave bashkiak nga stafet e deputetëve nga drejtorët, të cilët janë vendosur në çdo institucion. Është më e rëndësishme për faktin, se është një mekanizëm i inkriminuar dhe kupton që ai do të prodhojë përsëri të njëjtët avantazhe dhe do të kemi përsëri të njëjtin produkt
Sigal