Osmani justifikon Kushtetuesen në Kosovë: Vendosi në mbrojtje të interesit publik

375
Sigal

Përmes një statusi në rrjete sociale, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në lidhje me vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese që pezulloi dekretin e Presidentit Thaçi për krijimin e qeverisë së re në Kosovë.

Osmani tha se Gjykata Kushtetuese vendosi në përputhje me interesin e publikut, teksa pezulloi dekretin e presidentit Hashim Thaçi.

“Kam arsyetuar pse vendosja e masës së përkohshme është e nevojshme, pa paragjykuar vendimin final të Gjykatës për pjesën meritore të rastit”,-tha Osmani.

Shkrimi i plotë:

Sot Gjykata Kushtetuese mori vendim për ta vendosur masën e përkohshme ndaj dekretit të Presidentit për mandatarin e ri të qeverisë së vendit, deri në një vendim meritor.

E vlerësoj lart faktin që Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta trajtojë këtë çështje, megjithëse ditë feste, në mënyrë që të mbrohet integriteti institucional në rrethanat e krijuara.

Në funksion të kësaj, unë i kam drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese komente (në afatin që ishte caktuar nga ana e Gjykatës), me të cilat kam arsyetuar pse vendosja e masës së përkohshme është e nevojshme, pa paragjykuar vendimin final të Gjykatës për pjesën meritore të rastit. Në këto komente kam sqaruar se “vendosja e masës së përkohshme mbi ekzekutimin ose ndërmarrjen e veprimeve që rrjedhin nga dekreti është po ashtu e domosdoshme për shkak se vetëm në këtë mënyrë do të garantohet që Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë në sistemin tone politik, nuk do të marrë vendime që mund të rezultojnë kundërkushtetuese, e që për pasojë do të dëmtonin rëndë besimin e publikut dhe vetë integritetin e këtij institucioni.

Në këtë mënyrë, përveç se është në përputhje të plotë me interesin publik, vendosja e masës do të parandalojë shkaktimin e një dëmi të pariparueshëm në kuptim të funksionimit kushtetues dhe ligjor të institucioneve më të larta kushtetuese në vend.”