OSHEE zbraz xhepat e shqiptarëve me çmimin më të shtrenjtë dhe mbyll 2018-n me 40 mln USD fitime

442
Sigal

Jakup B. GJOÇA

OSHEE në janar 2014 rriti gati 30 % çmimin e kilovatit të energjisë elektrike, duke hequr edhe fashën mbrojtëse për çmimin më të ulët për familjet e varfra, (ku çmimi për 1 kilovat/orë deri në 300 kv ishte me çmim më të ulët dhe dihet që kaq energji elektrike konsumojnë familjet e varfra) me pretendimin se humbjet në rrjetin energjetik janë shumë të mëdha, për shkak të vjedhjes së energjisë elektrike. Madje OSHEE u zotua, që kur të ulet vjedhja e energjisë elektrike, do të rishikohet edhe çmimi i energjisë. Niveli i humbjeve në rrjetin e Shpërndarjes së Energjisë ka arritur në 23.9% në fund të 2018-s, nga 45% që ishte ky tregues në 2013-n. Kompania po mbyll vitin me një bilanc prej 40 milionë dollarësh fitime. Sot Shqipëria ka çmimin më të shtrenjtë të energjisë elektrike në Rajon, dhe ndër më të shtrenjtat edhe në Evropë, ndërkohë që të ardhurat për frymë janë më të ulëtat në Evropë. Familjet e varfra shumë herë privohen nga e drejta më themelore, e furnizimit me energji elektrike, sepse nuk kanë asnjë mundësi të paguajnë, ndërkohë që OSHEE nuk ndjek asnjë politikë sociale në diferencimin e pagimit të çmimit të energjisë elektrike për familjet pa të ardhura, siç ndodh në çdo vend tjetër të Botës. Pyetja është: Ndërkohë, që OSHEE përfiton qindra milionë euro fitim nga energjia elektrike, për shkak të rritjes së çmimit që ka bërë, ku shkojnë këto fitime? Përse nuk shkojnë për investime të uljes në minimum të humbjeve dhe, pas kësaj, për uljen e çmimit të energjisë dhe në zbatim të politikave sociale të diferencimit të çmimit të energjisë elektrike për familjet e varfra? Apo me qindra milionë euro fitime zyrtarët e OSHEE bëjnë turizëm zyrtar dhe shpenzojnë për makina të shtrenjta që përdorin?