Organizimi për zgjedhjet e 23 Qershorit, Rama mbledh aleatët

545
Sigal

 TRYEZA/ Rimblidhen aleatët e majtë rreth PS-së, mungon Vangjel Dule i PBDNJ-së

 Organizimi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare ka qenë në qendër të diskutimit mes kryesocialistit Edi Rama dhe aleatëve të PS-së. Takimi i Ramës me aleatët u zhvillua për rreth 1 orë e 20 minuta në selinë rozë, me pjesëmarrjen e kreut të PSD-së, Skënder Gjinushi, liderit të PDS-së, Paskal Milo, kryetarit të PSV ‘91, Petro Koçi dhe kreut të PLD, Spartak Ngjela. Në takim mungoi kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Në përfundim të takimit kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi deklaroi se, “u diskutua mbi rrugën që do të ndjekë opozita shqiptare për të hyrë në fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit.” Duke folur mbi numrin e partive që do të futen në koalicion Gjinushi u shpreh se, nuk ka shumë rëndësi numri i partive, sesa fryma e bashkëpunimit. “Ky është fillim i mbarë. Tashmë e rëndësishme është që opozita ka një platformë bindëse. Më pas do të diskutohet edhe marrëveshja për formën e bashkëpunimit. Ka një marrëveshje për të realizuar fitoren në zgjedhje dhe një për të qeverisur vendin në zgjedhjet e ardhshme”, tha Gjinushi. Ndërsa kreu i PSV 91, Petro Koçi, theksoi se, “riaktivizimi i koalicionit me rreth 30 parti është mjaft i mirë për Shqipërinë, sepse ka të bëjë e objektivin për të fituar zgjedhjet”. Sipas tij, boshti i këtij koalicioni do të jetë rikthimi i politikës tek ndërgjegjja kombëtare që kërkojnë qytetarët. “Duke përputhur forcën organizative me numrin e nevojshme të partive në koalicion, nevoja e qytetarëve për ndryshim do të realizohet”. Ajo çfarë ra në sy në këtë takim mes aleatëve të opozitës ishte mungesa e kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule, që sipas z. Koçi mungonte për arsye teknike dhe jo politike. Ndërsa kreu i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela u shpreh se, “është vendosur të rritet spektri i partive të koalicionit, ka arritur 30 dhe mund të rritet akoma. Por çështja është tek fushata elektorale. Çdo njeri duhet të dijë të bëjë fushatë elektorale dhe duhet të jetë krijues për mbrojtjen e votës. PD-së i kanë rënë aksionet, por ne duhet të ruajmë votat. Kemi bërë një skemë perfekte për ruajtjen e votës. Do na duhet një marrëveshje bilaterale që do e bëjë kreu i PS me secilën parti. Është një frymë për fitore nga ky koalicon. Duhet të jesh i aftë të shfrytëzosh këtë mendim që ka opinion se fitohet majtas”. Ngjela theksoi se, “duhet të fillojë një fushatë shumë e mirë, në të gjitha poret e shoqërisë. Duhet të dalë formula, ose platformë për dalje nga kjo gjendje e rëndë. Kjo është kriza nga e cila do e nxjerrë shoqërinë opozita”. “Nuk ka drejtësi, ka krizë në treg, nuk funksionon kapitalizmi, ka krizë morale shoqëria. Duhet të ngremë humanitetin që ta ngremë shoqërinë nga kjo krizë morale”,- tha Ngjela.