Organizata e fuqishme: Meta të refuzojë paketën anti-shpifje

575
Sigal

Një nga organizatat më të fuqishme në botë për lirinë e medias, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, doli me një deklaratë sot, një ditë pasi Kuvendi miratoi nismën kundër shpifjes.

Organizata me bazë në Nju Jork, i bëri thirrje presidentit Ilir Meta të refuzojë firmosjen e kësaj pakete ligjore.

“Presidenti shqiptar, Ilir Meta duhet të hedhë poshtë legjislacionin e propozuar, i cili kufizon faqet e internetit dhe shtyp median e lirë”, tha KMG.

Edhe në një letër të publikuar para disa ditësh, KMG bënte thirrje për të mos miratuar këto nisma.

“Presidenti shqiptar, Ilir Meta duhet t’i shohë ligjet e propozuara për median ashtu siç janë: një goditje gjigande për lirinë e medias,” tha në Nju Jork koordinatorja e programit të KMG për Europën dhe Azinë, Gulnoza Said.

“Meta duhet të hedhë poshtë propozimet dhe të sigurojë që ligjet e ardhshme të mediave, të miratuara nga qeveria, të marrin parasysh shqetësimet dhe rekomandimet e grupeve vendase të lirisë së shtypit”, tha Said.