Skandali me përgjimet, prokuroria fut dosjen në sirtar, zhduken provat
Një nga ngjarjet më të bujshme që shoqëroi për muaj me radhë vitin 2016 me akuza të rënda ndaj ish-ministrit të Brendshëm, është drejt dështimit të plotë
Ne e njohim si skandali me pajisjen e përgjimit “Imsi Catcher”. Prej tetorit të vitit 2016 Prokuroria e Tiranës kishte nisur hetimet lidhur me futjen e kësaj pajisje, mënyrën e përdorimit dhe nëse kanë qenë të përfshirë ose jo strukturat e Ministrisë së brendshme dhe Policisë së Shtetit në këtë skandal. Por ndërsa prokurori vijoi për disa muaj hetimet, herë pas here Ministri i Brendshëm ka kërkuar mbylljen tyre, duke e cilësuar pajisjen një aparat të thjeshtë, që sipas tij bënë përgjime, por vetëm zbulon numra të personave që kërkohen nga policia. Mes prokurorisë dhe policisë nisi një betejë e vërtetë. Policia nga ana e saj bënte me dije se këtë pajisje e kishte future për të kërkuar numra telefoni të personave të shpallur në kërkim, ndërsa prokuroria nga ana se saj pretendonte se një pajisje e tillë nuk mund të futet në doganë, pa marrë më parë lejen e organeve kompetente që në këtë rast është prokuroria. Gjithsesi, lufta vazhdoi gjatë mes dy institucioneve, të cilët hidhnin akuza të rënda ndaj njëri tjetrit. Ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri në tetor të vitit të kaluar, i konsideroi lapsus nisjen e hetimeve. Kjo pajisje sipas Tahirit ishte future nga partnerët Italianë për të bërë proktikë punonjësit e policisë. Ndërkohë në asnjë rast ai nuk dha shpjegime se pse një pajisje e tillë duhej të futej pa lejen e prokurorisë. Megjithatë, ndërsa kishin kaluar disa muaj nga nisja e hetimeve, Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, kërkoi mbylljen e tyre, me argumentin se janë pa asnjë sens. Por kërkesa e Çakos u rrëzua nga gjykata. Nga ana tjetër mësohet se për këtë pajisje është marrë në pyetje edhe ish-ministri Sajmir Tahiri si dhe zyrtarë të tjerë që kanë pasur lidhje me të. Tahiri u mundua me çdo kusht të mbronte tezën e tij se pajisja nuk ndodhej në vendin tonë dhe se ajo për të cilën flitej, përdorej vetëm për kërkimin e numrave. Sipas tij kjo pajisje nuk nuk mund të bënte përgjime të bisedave dhe të zbardhte mesazhet. Në këto kushte që jemi, mësohet se Prokuroria e Tiranës i ka pezulluar hetimet. Burime të besueshme nga organi i hetimit, bëjnë me dije se shkak për pezullimin e hetimeve është bërë mungesa e letër porosisë që pritet të vijë nga autoritetet Italiane. Ato duhet të vërtetojnë faktin se kur ka dalë pajisja nga vendi i tyre, kush e ka porositur, pse është futur pa lejen e organeve të caktuara në vendin tonë, çfarë roli luante ajo. Pas skandalit të parë, në Aeroportin e Rinasit janë kapur edhe pajisje të tjera, të cilat janë future nga shtetas izraelitë. Ata janë lënë të lirë.