Opozita sërish akuza: Tahiri mbuloi vendin me drogë, kriminelët lëvizin lirisht

462
Sërish debate mes ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe deputetëve të opozitës. Këtë herë në Komisionin e Ligjeve ku ministri Tahiri ndodhej për të raportuar për marrëveshjen me Kroacinë.
Opozita vijon akuzat ndaj ministrit për lidhje me trafikun e drogës, nga ana e tij Tahiri thotë se akuzohet pa fakte. Madje ai tha se ishte gati për interpelancë por opozita duhej të ndalonte akuzat ndaj policisë.
Arben Ristani: Droga me tonelata në Shqipëri lëviz me bashkëpunim të policinë. Policia dhe ministri kanë bashkëpunim me krimin në vend. Tahiri ka mbuluar vendin me drogë, lihen kriminelët të lëvizin lirisht.
Saimir Tahiri: Do vazhdoj të ushtoj detyrën si ministër në luftën ndaj kriminalitetit. Sjellja e opozitës është arrogante dhe fyese ndërkohë që qytetarët presin rend dhe siguri. Opozita drejton gishtin ndaj meje pa pasur guxim të nxjerrë fakte. Më akuzon pa shkuar në Prokurori për të prezantuar faktet. Nuk u përgjigjem akuzave të opozitës, pasi nuk janë të faktuara. Ndalni akuzat ndaj policisë, jam i gatshëm për interpelancë. Fyerjet e opozitës kanë për qëllim vetëm për të kryer detyrat e partisë.
Oerd Bylykbashi: Tahiri s’ka mandat deputeti s’ka pse të na tregojë detyrën tone. Ministri nuk duhet të drejtojë gishtin ndaj opozitës. Policia italiane kap tonelata droge më shumë se gjatë qeverisjes së PD.
Debatet në Komisionin e Ligjeve
Arben Ristani : Tonelata droge kalojnë kufirin dhe kjo bëhet me ndihmën e policisë. Frroku e Shullazi janë lënë të lirë falë këtij.
Bashkim Fino: Bëjmë mbledhje sipas rregullores jo politike.
Saimir Tahiri: Shqiptarët nuk presin prej meje të përgjigjem me të njëjtën gjuhë si deputeti Ristani. Puna ime flet më qartë se ajo që thotë opozita sot.
Sot lufta kundër drogës është sukses i qeverisë dhe policisë. Kjo faktohet edhe në progres raport. Në vitin 2015 treguesit thonë së është mbjellë drogë 8 herë më pak. Të ndalojmë gjuhën e urrejtjes ndaj Policisë së Shtetit . Jam i gatshëm të përgjigjem atje ku të jetë e mundur, por të vërtetat duhet të dalin.
Oerd Bylykbashi: Nuk mund të na vijë ky të na tregojë gishtin. Të ulë kokën para këtij komisioni. Opozita nuk ka hedhur baltë mbi policinë, por do të vazhdojë të ngrejë gishtin e akuzës ndaj kupolës. Nën drejtimin e Tahirit është kthyer Shqipëria në bahçe të kanabisit. Mos të na vij ministri këtu të flasë broçkulla
Eduard Halimi: Faktet flasin vetë. Ky ka qenë një person që shante policinë e Shtetit nga mëngjesi në darkë për një gërvishtje makine.
Saimir Tahiri: Kam respekt për këtë komision, por neveris gjuhën e përdorur. Juve ju rrinte Lazarati nën hundë dhe nuk lëvizte një gisht. Çdo akuzë e juaja është forcë për mua për të luftuar krimin dhe informalitetin.
Arben Ristani: Ky ministër duhet të largohet. Kur ambasadori amerikan thoshte që ministra të korruptuar i tremben drejtësisë e kishte për këtë. 
Sigal