Opozita në protestë / Ekspertët e diplomacisë, Prof. Elmaz Sherifi &Enver Bytyçi: Do përcillen mesazhe historike për orientimin e vendit

181
Sigal

 

“Një përgjigje më domethënëse mendoj se inicuesit e “Open Balkan”, Vuçiç- Rama do marrin më 6 Dhjetor në Tiranë se kjo nismë ka vdekur.”

Samiti i mbajtur në Tiranë, nuk duhet konsideruar si lëvizje politike për të mbështetur qeverinë, përkundrazi duhet konsideruar si presion diplomatik për plotësimin e standardeve europiane kushtetuese dhe institucionale të shtetit të së drejtës, i cili në Shqipëri është larg standardeve!”

Protesta e Samiti i 6 Dhjetorit/ Ekspertët e diplomacisë: Do përcillen mesazhe historike për europianët dhe për orientimin e Shqipërisë

Tirana do të jetë sot ‘kryeqendra’ e Europës, pasi do të mbajë për herë të parë Samitin BE-Ballkani Perëndimor. Liderët e shteteve të Bashkimit Europian dhe jo vetëm do të marrin pjesë në këtë samit, ndërsa fokusi i diskutimeve do të jetë te lufta në Ukrainë, emigracioni, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar si edhe përforcimi i sigurisë me qëllim parandalimin e ndërhyrjeve të huaja. Zhvillimi i këtij Samiti të rëndësisë së veçantë është konsideruar edhe si një mesazh që Europa po përpiqet të përcjellë për të treguar se nuk do të tërhiqet nga Ballkani Perëndimor. Ndërsa ekspertët kanë ngritur shqetësimet se Ballkani Perëndimor është aktualisht nën presionin në rritje të ndikimit të forcave ruse dhe të lindjes. Në një ditë të veçantë kur e gjithë vëmendja e Europës do të jetë në Shqipëri, opozita ka lajmëruar një protestë. Kryedemokrati Berisha deklaroi se protesta do të zhvillohet me çdo kusht me qëllim që t’i tregojë Europës se kush është në të vërtetë kryeminstri Rama. Ndërkombëtarët kanë vënë shpesh në qendër të kritikave Kryeministrin shqiptar për shkak të nismave, që ka ndërmarrë në lidhje me koncensione dhe përfshirjen në disa afera. Por kryeministri është treguar deri më sot shumë i vendosur në praktikat që ka nisur duke mos u tërhequr edhe pas kritikave dhe kërcënimeve që rrezikojnë edhe të ardhmen europiane të vendit. Për Profesor Doktor Enver Bytyçi protesta është një nismë shumë e mirë dhe përmban një mesazh historik për Europianët që të kuptojnë se Shqipëria nuk është Edi Rama. Në një prononcim për gazetën “Telegraf” Bytyçi shprehet se vendimi për të protestuar më 6 Dhjetor është një vendim i imponuar në disa dimensione:

“Së pari për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit dhe instalimit të shtetit mafioz në Shqipëri. Për shkak të emigrimit, varfërimit, mungesës së lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve! Të gjitha këto janë përkeqësuar nga Rilindja në nivele ekstreme, përtej imagjinatës!

Së dyti, protesta e 6 Dhjetorit ka një dimension të veçantë, unik, do të thoja! Do të dëshmojë faktin se një qeverisje që europianët e tolerojnë, janë shqiptarët ata që nuk mund ta tolerojnë as edhe një ditë të vetme më shumë! Nëse liderët e shteteve anëtare të BE-së marrin këtë mesazh, atëherë protesta ia ka arritur qëllimit dhe do të shënohet në histori.

Së treti, protesta është e motivuar për të çjerrë maskën e propagandës së Edi Ramës sa i përket fshehjes së të vërtetës! Ai ka investuar miliona e qindra milionë dollar ose euro për të lobuar për imazhin e tij në Europë e në SHBA.

Së katërti, protesta e 6 Dhjetorit, në ditën që në Tiranë do të jenë të gjithë kryeministrat ose kryetarë shteti të vendeve të BE-së do të duhet të zbulojë faktin se kryeministri Rama po instalon sistemin njëpartiak qeverisës në Shqipëri. Se ai po injoron opozitën shqiptare! Këtë mesazh duhet t’ua përçojnë edhe ndërkombëtarëve!” Bytyçi deklaron ndër të tjera se Europianët mund ta tolerojnë krimin dhe korrupsionin e qeverisë, por shqiptarët që po marrin rrugët e botës nuk e falin. Për Profesor Elmaz Sherifi protesta është një mjet legjitim dhe mund të përdoret nga populli që e ka zgjedhur qeverinë në çdo moment, veçanërisht në një ditë si ajo e një samiti europian. “Protestat janë mjet jo vetëm si e drejtë subjektive dhe duhet të ketë sa herë gjykohet dhe ajo shërben si mjet sensibilizimi. Por protestat nuk janë për ato subjekte që kanë të drejtë kushtetuese të bëjnë edhe ligje, pra për partitë që populli, apo zgjedhësit e tyre i kanë votuar t’i përfaqësojnë në pushtetin legjislativ. Pra, në bindjen time nuk është mjet për arritjen e qëllimit, por mjet sensibilizimi. Kë do të sensibilizojë protesta institucionet e BE-së? Kuptohet që në këto situata, protesta synon të faktorizojë një subjekt politik apo individ, që edhe Partitë Popullore të Europës i kanë dhënë këshilla të reflektojë e të shikojë nga e ardhmja!” Profesor Sherifi deklaron se protesta është dhe një mënyrë për të treguar se Shqipëria është gati që të ecë në rrugën e Procesit të Berlinit dhe jo të shkojë pas duke vijuar me Open Balkan. Ndërsa ka shtuar se gjithashtu Europa ndihet borxhlie ndaj Shqipërisë dhe Samiti është një mënyrë e saj për të shlyer borxhet e saj. “Europa i ka borxhe të mëdha shqiptarëve. Fillesat janë prej “Kohës së Skënderbeut”, kur i premtuan mbështetje nga frika se osmanët mund të kalonin Adriatikun, por nuk e mbajtën fjalën. Më 1913 i coptuan teritoret shqiptare, për të kënaqur ambicjet e Serbisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë.Më 1920 Europës ia ndali “vrullin e coptimit” Presidenti Wilson. Sot të gjithë udhëheqësit e BE mbërrijnë në Tiranë për t’i kujtuar “sllavizmit” se Shqipëria është vend Perëndimor, dhe duhet të orientohet nga kultura europiane Perëndimore e qeverisjes. Samiti i mbajtur në Tiranë, nuk duhet konsideruar si lëvizje politike për të mbështetur qeverinë, përkundrazi duhet konsideruar si presion diplomatik për plotësimin e standardeve europiane kushtetuese dhe institucionale të shtetit të së drejtës, i cili në Shqipëri është larg standardeve!” Opozita ka deklaruar se do të protestojë në çdo rrugë të kryeqytetit dhe është gati që të japë mesazhin e saj pasi Shqipëria është një vend shumë i pasur, por është i keqqeverisur ndaj edhe është një ndër vendet me numrin më të lartë të emigrantëve dhe azilkërkuesve në rajon. Kryeministri Edi Rama është shprehur se nuk ka pasur shqetësime nga liderët europianë për protestën e Sali Berishës. Por perimetri i sigurisë do të vendoset për shumë faktorë, përfshirë edhe persona të rrezikshëm, që të mund të kenë ardhur në Shqipëri me një axhendë të caktuar për personazhet e njohur dhe shumë të rëndësishëm që do të jenë në vendin tonë.