Opozita në Kuvend dhe merr edhe 2 komisione hetimore parlamentare

527
Sigal

Nën drejtimin e kreut Ilir Meta dhe me pjesëmarrjen e opozitës, Kuvendi i Shqipërisë çeli dje sesionin e IV të legjislaturës së VIII.  Kryeparlamentari Meta, në fjalën e tij drejtuar deputetëve, vuri theksin në forcimin dialogut ndërmjet maxhorancës dhe opozitës, me qëllim çuarjen përpara të procesit të integrimit përmes plotësimit të prioriteteve kyçe. “Komisioni i posaçëm në reformën në drejtësi, përveç se një instrument parlamentar, duhet të jetë edhe shprehje për ndryshim ndaj opinionit publik dhe institucioneve ndërkombëtare. Gjatë këtij sesioni do të përsosim më tej funksionimin demokratik të Kuvendit përmes konsolidimit të dialogut konstruktiv politik midis maxhorancës dhe opozitës. Do të synojmë rolin mbikëqyrës të Kuvendit përmes parimit intensiv dhe efikas të kontrollit”, tha Meta.  “Do synojmë të përsosim funksionimin e Parlamentit dhe të përmbushim prioritetet e BE. Gjithashtu do të përmirësojmë dialogun mes opozitës dhe maxhorancës” tha Meta.Kryetari i Parlamentit shtoi se mes prioriteteve kryesore është reforma në drejtësi. Më pas nisi votimi për të verifikuar prezencën dhe më pas votimi për Komisionin Hetimor mbi emërimet në administrate që do të kryesohet nga deputeti i PD, Genc Pollo. Ky komision u miratua me 120 vota pro. U votua gjithashtu edhe zgjatja e afatit për komisionin e serverit të Tatimeve, që do të kryesohet nga një tjetër deputet opozitar, Arben Ristani. Përveç 2 krerëve të Komisioneve Hetimore, në seancën e parë të këtij viti në Kuvend, u miratuan me konsensus edhe anëtarët e tjerë të këtyre Komisioneve. Për Serverin e Tatimeve, anëtarë të Partisë Demokratike në Komision përveç kryetarit do të jenë dhe deputetët Florion Mima, Jorida Tabaku, Helidon Bushati. Ndërsa për Komisionin Hetimor për largimet dhe shkarkimet në administratë, anëtarë të PD do të jenë kryetari Genc Pollo, si dhe deputetët e tjerë Voltana Ademi, Kletis Kruja, Alban Zeneli.