Opozita, jo negociata me qeverinë e drogës. Pozita, zhurmës së kënetës iu bashkuan edhe mediat e huaja

575
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Parlamenti voton me votat e mazhorancës Rezolutën mbi gjetjet dhe rekomandimet e raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2018

Edhe dje, siç ka ndodhur 3 javët e fundit, seanca plenare e Parlamentit u zhvillua e tensionuar. Kryetari i PD-së ka marrë fjalën, dhe ka ndodhur përsëri që ai të tejkalojë kohën, kryeparlamentari t’i mbyllë mikrofonin, sipas germës së Rregullores, deputetët e PD-së të bllokojnë foltoren, kryetari i PD-së të vazhdojë fjalimin nga rrjeti social dhe, pas kësaj, deputetët e opozitës të braktisin seancën. I njëjti skenar, në çdo seancë parlamentare. Javë më para ishte çështja “Tahiri”. Tani kauza e Opozitës është çështja “Xhafaj”. Edhe dje, që në fillim, kryetari i PD-së Lulzim Basha, akuzoi fort kryeministrin Rama, dhe u përqendrua tek çështja më e debatuar e ditëve të fundit, ajo e audio-përgjimit të Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Basha e ka bërë të qartë, se negociatat me BE nuk do të hapen, dhe kjo, jo për faj të opozitës, apo të ndonjë vendi të BE, por vetëm për fajin e Edi Ramës. “Kushtetua ka rënë, kodi penal ka rënë, kodi i procedurës penale ka rënë, ligji antimafie ka rënë, sa kohë në atë karrige dhe tjetrën që i kanë lënë bosh për faqen e tyre të zezë, Rama dhe Xhafaj, që kanë dalë zbuluar si zbatuesit e një skenari kriminal që ka për qëllim, të mbulojë veprimtarinë kriminale të Fatmir Xhafajt, vëllanë e bosit të drogës në Vlorë”- tha Basha.

Mbyllja e mikrofonit gjatë fjalës së Bashës

Meqë kryetari i PD-së tejkaloi kohën e fjalës, krye/parlamentari Ruçi i ka mbyllur mikrofonin Bashës, çka ka bërë që deputetët e PD-së, të çohen dhe të bllokojnë foltoren.

Ata shpalosën edhe një pankartë, ku shkruhej: “Shqipëria si gjithë Evropa. Jo qeveri e krimit dhe e drogës”. Kryetari i PD-së e vazhdoi fjalën, duke e transmetuar atë nëpër mjet rrjetit social.

Mazhoranca voton rezolutën e çeljes së negociatave

Kuvendi ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës rezolutën mbi gjetjet dhe rekomandimet e raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2018. Por deputetët e opozitës kishin lënë më herët sallën e Parlamentit, ndaj kryeministri Rama ka mbetur sot në dorë të aleatëve për të bërë kuorumin e nevojshëm në Kuvendin. Gjatë votimit të prezencës në seancën e djeshme plenare, kanë qenë 74 deputetë, kur 3 prej tyre janë të PDIU-së, 1 deputet i LSI, Robert Bitri, dhe deputeti Tom Doshi.

Opozita: Rezoluta e qeverisë nuk ishte një tekst konsensual i shqyrtuar

Partia Demokratike reagoi, duke deklaruar, se Rezoluta e qeverisë shqiptare për Rekomandimin e Komisionit Evropian nuk ishte një tekst konsensual, i shqyrtuar dhe votuar në Komisionin e Integrimit si të gjitha dokumentet e tjera të kësaj natyre, por një tekst i hartuar vetëm nga PS-ja dhe i miratuar po vetëm prej saj në parlament me synimin për të spostuar vëmendjen nga Xhafajt.

Deputeti Pollo: “Rezoluta për integrimin evropian, që paraqiti PS-ja vetë e hartoi dhe vetë e votoi, ishte një tekst plot furça dhe bojëra për makijazhin e fytyrës së qeverisë. Nëse qeveria dhe Edi Rama do të donte një rezolutë konsensuale, atëherë do të lejonte që teksti i PS-së, normalisht, siç është vepruar gjithmonë, të shqyrtohej në Komisionin e Integrimit Evropian, madje edhe në Këshillin e Integrimit Evropian të Kuvendit për raportet me BE-në”.

Klajda Gjosha, ish-ministrja e Integrimit, ka reaguar kundër projekt-rezolutës së integrimit të vendosur nga qeveria. Sipas ish-ministres së Integrimit, parlamenti serviri fshehtazi dhe pa dakortësi këtë projektrezolutë. Një rezolutë e njëanshme nuk i shërben askujt dhe aq më pak të presësh që ky do të jetë një dokument i suksesshëm. Askush nga ne nuk do të refuzonte asnjëherë të ishte pjesë e një dakordësie të përbashkët për integrimin, por kur mazhorancës i mungon dëshira dhe vullneti i mirë, opozita e ka të pamundur të jetë pjesë e saj.

Deputeti Hahn: I shqetësuar për reformën zgjedhore

Deputeti gjerman Hahn ka shprehur shqetësime për reformën zgjedhore. Mësohet se gjatë takimeve, ai u ka shprehur politikanëve shqiptarë interesin e lartë të Gjermanisë për një reformë zgjedhore përfundimtare e të plotë. Ndërkaq, deputeti Hahn është interesuar dhe për reformën në drejtësi. Ai ka vlerësuar progresin me vetingun, por nga ana tjetër ka nënvizuar ritmin e ulët të ecurisë së procesit. Deputeti Hahn në këto takime nënvizoi, se vendimi për çeljen e negociatave në mbledhjen e qershorit të Këshillit Evropian, i shoqëruar nga kushte të qarta, është vendimi i duhur që duhet të merret për Shqipërinë. “Kjo do të lehtësonte punën dhe përpjekjet e qeverisë së Shqipërisë për integrimin evropian dhe progresin e vendit. Kjo do të ndihmojë që populli shqiptar të marrë një sinjal të qartë pozitiv për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ky është vlerësimi im dhe i grupimit politik që përfaqësoj për çeljen e negociatave më Shqipërinë”, nënvizoi Z. Hahn.

Monika Kryemadhi u takua me deputetin gjerman, Florian Hahn: Takimi për negociatat, jo për politikë, por për shqiptarët

Para se të merrte pjesë në seancën e djeshme të Kuvendit, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u takua me zëdhënësin për Evropën në grupin parlamentar të CSU në Bundestagun gjerman, Florian Hahn. Në krah të zonjës Kryemadhi ishin edhe ish-ministria e Integrimit, Klajda Gjosha. Burimet konfirmojnë për gazetën “Telegraf” se Kryemadhi dhe deputeti gjerman Hahn kanë diskutuar në këtë mëngjes pune edhe për negociatat. Për takimin ka reaguar edhe vetë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila pranon se ka folur për negociatat, jo për politikën, por për shqiptarët. Vizita e Florian Hahn në Tiranë ishte planifikuar në fillim të këtij muaji, pikërisht ditën kur Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit, por u bë e ditur se deputeti gjerman i shtyu takimet për shkak të anulimit të fluturimit.

Ruçi takon deputetin gjerman Hahn: Kuvendi i Shqipërisë e mirëpret vendimin për çeljen e negociatave

Kryeparlamentari Ruçi u takua dje me deputetin gjerman Florian Hahn, njëherësh edhe zëdhënës i grupit parlamentar CDU/CSU për çështje të politikave evropiane. Kryetari i Kuvendit, Ruçi e falënderoi deputetin Hahn për mbështetjen e madhe e të veçantë të qeverisë dhe Bundestagut të Gjermanisë, posaçërisht Kancelares Merkel për Shqipërinë dhe progresin e vendit tonë drejt integrimit evropian. “Ne i jemi thellësisht mirënjohës Kancelares Merkel për vizionin e saj largpamës dhe mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, edhe si nismëtare e Procesit të Berlinit. Rekomandimi i Komisionit Evropian për çeljen e negociatave me Shqipërinë në mbledhjen e Këshillit Evropian në muajin qershor ishte një vlerësim për arritjet e Shqipërisë në plotësimin e pesë prioriteteve si edhe standardeve të tjera të integrimit evropian. Ky vendim u mirëprit nga qeveria, Kuvendi i Shqipërisë, por në mënyrë të veçantë nga populli shqiptar. Shqiptarët”, vuri në dukje Ruçi.