Opozita fasadë/ Pse Basha nuk i denoncon me emra oligarkët dhe veprimet e tyre

151
Sigal

Një nga manipulimet më të mëdha jo vetëm në politike njihet me emrin Efekti Barnum.

Kjo është një referencë për një artist cirku, i cili thoshte se ne kemi çdo gjë për këdo.

Me fjalë të tjera, përgjithësimi bëhet deri në atë pikë sa askush nuk e kupton për çfarë është fjala konkretisht.

Kështu ndodhi edhe me Lulzim Bashën sot. Pak pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi me tone paniku se vendin e pret një krizë energjetike e jashtëzakonshme, e cila do të sjellë rritje marramendëse çmimesh, Basha doli në një konferencë të paralajmëruar dhe si zakonisht pa pyetje gazetarësh.

Ndërsa Rama kishte shpallur dy ditë më parë se Shqipëria është një superfuqi energjetike, sot shpalli në krizë e cila paska kohë që gatuhej e për të cilën nuk ka folur askush përveç ndonjë zëri gazetaresk, se opozita u bë kohë që nuk flet për gjë.

Basha doli sa për të larë gojën e për të thënë se çmimet janë rritur vazhdimisht.

Por bie në sy se sërish foli për oligarkët. Njësoj si efekti Barnum, thjesht i përmendi në përgjithësi, ashtu si pa të keq.

Por oligarkët kanë emra dhe kanë kryer vepra që kanë sjellë pasoja dhe situata të caktuara. Këtu Basha dhe ndjekësit ndalen. Opozitës fadadë kaq i lejohet.

Kur i keni dëgjuar të përmendin dhe denoncojnë me emra oligarkët? Kur i keni parë të protestojnë kundër tyre? Kur i keni parë të bëjnë denoncime konkrete dhe të ngrenë padi ndaj tyre?

Asnjëherë. Kjo i bën qytetarët të besojnë se mes tyre ka një aleancë të heshtur, ku opozita mjaftohet me përgjithësime.

A nuk e patë të premten kur teksa bënin njoftime për shpallje komisionesh hetimore kundër Arben Ahmetajt, dikush bërtiste kundër tij dhe një tjetër deputet i PD filmohej në një kafe miqësore me Ahmetajn?

A e keni parë që teksa thonë se do ngrenë komision hetimor për zgjedhjet, akoma edhe 5 muaj pas tyre nuk kanë bërë një denoncim konkret dhe nuk kanë dorëzuar ndonjë dosje nëpër kancelaritë perëndimore. Opozita ka ditur në të shkuarën të denoncojë manipulimet zgjedhore dhe të ngrihet për të fituar zgjedhjet.

Kurse PD-së aktuale dhe kryetarit të saj i ka mbetur vetëm kjo mënyrë e të bërit opozitë përgjithësuese fasadë. Si në një cirk ku askush nuk u beson triket që bëhen për të fshehur realitetin.