Opozita e Bashkisë së Tiranës: Me 6 mandate false, mafia e naftës betonizon Parkun “Rinia”

619
Parku “Rinia” do të jetë nën kujdesin e veçantë të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit
Parku “Rinia” në qendër të Tiranës pritet që të transformohet në një ambient më të gjelbër, më argëtues e me rregulla më të qarta menaxhimi e përdorimi. Sipas këshilltarëve të majtë, pas transformimit të Parkut të Madh të Liqenit Artificial që është shndërruar në një nga hapësirat më të frekuentuara nga të gjitha grupmoshat, edhe Parku “Rinia” pritet që të ketë të njëjtën përkujdesje. Sipas vendimit të Keshillit Bashkiak, tashmë kjo hapësirë do të jetë nën kujdesin e veçantë të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit të Bashkisë së Tiranës, e cila ka hartuar një strategji zhvillimi bazuar në nevojat e komunitetit, për mirëmbajtjen e hapësirave ekzistuese e ndërtimin e hapësirave të reja rekreative, nëpërmjet krijimit dhe vënies në zbatim të projekteve të ndryshme si dhe riorganizimin e aktiviteteve të larmishme argëtuese dhe çlodhëse për fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit. Përmes kësaj ndërhyrjeje, pritet që Parku “Rinia” të kthehet si një nga hapësirat që ofron më shumë mundësi rekreative për qytetarët e të gjitha moshave dhe të jetë një pikë atraktive për qytetin e Tiranës dhe, si rrjedhojë një zonë e frekuentuar nga një numër i madh qytetarësh.
PD-LSI braktis mbledhjen e Këshillit Bashkiak 
Këshilltarët e LSI dhe PD janë larguar nga mbledhja e Këshillit Bashkiak ditën e sotme, ku pritej të diskutohej e më pas të miratoheshin një sërë vendimesh të rëndësishme. Pasi kanë dalë nga ambientet e Bashkisë, këshilltarët e opozitës kanë shpjeguar edhe arsyet e vendimit të tyre. Këshilltari demokrat Kreshnik Çollaku tha se në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës marrin pjesë 6 anëtarë me mandate të falsifikuara. Sipas tij, kjo bëhet me qëllim që të rritet numri i votave, për të kaluar vendimet që kërkojnë 2/3 dhe 3/5 e votave. “Ne grupi i këshilltarëve të PD-së dhe LSI-së vazhdojmë të mbajmë një marrëdhënie të kushtëzuar me Këshillin Bashkiak të Tiranës. Kjo është e kushtëzuar nga prania në këtë këshill e 6 anëtarëve me mandate të bëra nul nga Gjykata. Sillen sikur janë këshilltarë, debatojnë dhe votojnë sikur janë të tillë. Prania e tyre hedh në erë legjitimitetin e Këshillit Bashkiak. Kjo bëhet për të votuar akte të tilla kriminale, siç është projekti i sponsorizuar nga një mafie e re në Tiranë, siç është mafia e naftës, që kërkon të betonizojë parkun “Rinia”. Vendimi i dytë që është edhe më kriminal është fillimi i rrugës për shkatërrimin Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit aty të disa kullave. Ky është një talebanizëm kulturor. Ky vendim kërkon 3/5 të votave të këshillit bashkiak. Këto vota ata sot nuk i kanë, nuk do t’i kenë nesër, dhe asnjëherë për sa kohë do të jenë këta persona në Këshillin bashkiak. Çdo gjë që ndodh në atë sallë është e paligjshme dhe e kompromentuar. Sot grupi që mbështet PS dhe bashkinë e Tiranës, është minorancë. Mbajnë brenda njerëz me mandate të falsifikuar për të çuar përpara projekte të sponsorizuara nga mafia. Ndaj ne jemi këtu jashtë, në mbështetje të qytetarëve, në mbështetje të kryeqytetit”, u shpreh këshilltari Çollaku.

Kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës sqaron: Parku i kalon APR për mirëmbajtje, s’ka tjetërsim
Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi ka sqaruar vendimin e Këshillit Bashkiak për të kaluar administrimin e parkut ‘Rinia’ tek Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit si dhe akuzave të opozitës se parku mund të tjetërsohet dhe se mund të ketë ndërtime apo kioska. Aldrin Dalipi tha se agjencia do kujdeset për mirëmbajtjen e parkut dhe se çdo gjë është transparente. Dalipi tha se nuk ka ndonjë skenar apo vendim që është në dëm të qytetarëve dhe tjetërsimi i Parkut nuk mund të bëhet pa miratimin e Këshillit Bashkiak. “Parku “Rinia” kalon në Administrim të Agjencisë së Parqeve që do kujdeset për parkun dhe që ai të mos ketë degradim. Çdo gjë është transparente dhe njerëzit do përdorin vetë parkun. Aty nuk mund të ndryshojë asgjë dhe nuk mund të ketë tjetërsim pa miratim të Këshillit Bashkiak. Nuk ka ndonjë skenar apo vendim që është në dëm të qytetarëve. Kjo pronë thjesht do administrohet dhe është në sy të qytetarëve. Jam i bindur që do ketë një hov cilësor administrimi i parkut nga Agjencia”- tha Dalipi.
PD: Aldrin Dalipi kërcënon publikisht gjyqtarët e çështjes së 6 anëtarëve të PS, pa mandat këshilltari


PD-ja akuzon kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, se ka kërcënuar publikisht gjyqtarët e çështjes së 6 anëtarëve të PS-së, pa mandat të vlefshëm në Këshillin Bashkiak. PD ndalet tek deklarata e Aldrin Dalipit gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit Bashkiak, pasi këshilltarët e PD dhe LSI braktisën mbledhjen me pretendimin se 5 anëtarë janë me mandate false. “Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, kërcënon publikisht gjyqtarët e çështjes së 6 anëtarëve të PS-së, pa mandat të vlefshëm në Këshillin Bashkiak. PD e ka fituar shkallën e parë, por PS dhe Edi Rama, kanë nisur presionin e hapur ndaj drejtësisë. Duke shpallur të paligjshëm procesin e marrjes së mandatit nga 6 anëtarë të PS, çdo vendim nga 26 Korriku i Bashkisë së Tiranës, bëhet i pavlefshëm, përfshirë rritjen e taksave, rritjen e çmimit të ujit, betonizimit dhe shkatërrimit të Teatrit Kombëtar”, thuhet në reagimin e PD.
Sigal