Olldashi : “Kreditë po i paraprijnë lirimit të banesave”

422
Sigal

Ministri i Punëve Publike ndan titujt ekzekutivë për pronarët në Shkodër

 Ministri i Punëve Publike e Transportit, Sokol Olldashi, ishte dje në qytetin e Shkodrës, ku shpërndau titujt ekzekutivë të rimarrjes së pronësisë për ish- pronarët shkodranë. Sipas tij, në listën e miratuar për rimarrjen e pronës së tyre përfshihen shumë qytetarë shkodranë, por gjatë ceremonisë së djeshme u dorëzuan 18 tillë. Ministri Olldashi bëri të ditur se deri tani janë 210 tituj të dhënë në dorë pronarëve legjitimë, ndërkohë që numri i kredive për qiraxhinjtë që kanë pasur të zëna pronat e ish-pronareve deri tani është 303. Një gjë e tillë, sipas tij, rrëzon çdo pretendim se po mbrohet një palë dhe po keqtrajtohet një palë tjetër. “Është kënaqësi të jem sot në Shkodër bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Entit të Banesave dhe me drejtorin Rajonal, për të shpërndarë titujt ekzekutivë, nxjerrë nga Gjykata  e Shkallës së Parë, Shkodër, në favor të pronarëve,  banesat e të cilëve kanë qenë të zëna për dekada me radhë. Është kënaqësi në shumë pikëpamje, sepse është një proces në të cilin kemi investuar shumë vëmendje, është një proces që po e monitorojmë me shumë kujdes dhe është një proces, e kjo është më kryesorja, që po ecën mbarë. Deri tani janë 210 tituj ekzekutivë të vëna në duart e pronarëve legjitimë, ndërkohë që numri i kredive për qiraxhinjtë  që kanë pasur në zotërim pronat  tuaja ka arritur tanimë në 303. Dhe kjo rrëzon pretendimin që “po mbrohet një palë dhe po keqtrajtohet një palë tjetër”. Po mbrohet në fakt një e drejtë, e drejta e pronarëve për të zotëruar pronën e tyre, e drejtë që u është mohuar për dekada me radhë dhe, nga ana tjetër, po mbrohen edhe ata që kanë qenë qiraxhinj në banesat apo pronat tuaja. Vetë fakti që kemi 210 tituj ekzekutivë dhe 303 kredi  të dhëna për qiraxhinjtë tregon se procesi i dhënies së kredive po i paraprin procesit të lirimit të banesave. Pra askush nuk po diskriminohet. Të gjitha shtresat marrin atë që u takon. Shtresa e qiraxhinjve merr mundësinë për të pasur edhe ajo pronën e vet, përmes blerjes me kredi të subvencionuar nga shteti, pronarët marrin atë që, ligjërisht, në bazë të kushtetutës, u takon, pronën e tyre. Unë dua të falënderoj të gjithë pronarët që e kanë ndjekur procesin. Nga ana tjetër dua të falënderoj trupën e gjyqësorit të vendit që ka reaguar me shpejtësi dhe korrektesë, duke përjashtuar  ndonjë rast sporadik. Për të eliminuar edhe këto raste sporadike, sado të papërfillshme në numër, do të ftoja drejtuesit e Gjykatave të Faktit që të verifikojnë rastet e mundshme të konfliktit të interesit të ndonjë gjyqtari me objektin e gjykimit. Ndarja e këtyre titujve ekzekutivë sot në Shkodër, është një moment I veçantë, sepse Shkodra është një nga qytetet që e ka vuajtur  më së shumti fenomenin, së bashku me Tiranën, Durrësin, Korçën dhe  Vlorën. Nga ana tjetër, Shkodra është qyteti ku ne kemi patur një bashkëpunim model me Bashkinë, këshillin bashkiak dhe Entin Rajonal të banesave, për të bërë të mundur që familjarët që nuk u përgjigjen dot kushteve për të marrë kredi, të kenë mundësi strehimi përmes programeve të posaçme të pushtetit vendor. Duke qenë se jemi në vigjilje të Krishtlindjeve, kam kënaqësinë që titullin e parë ekzekutiv në Shkodër, t’ia jap Provincës Françeskane”, -tha ministri Olldashi.  Përfaqësuesi i  Provincës Françeskane Shkodër: “Falënderoj Zotin që ia mbërritëm këtij momenti. Po i kthehet shtëpia Fishtës, po i kthehet shtëpia Harapit. Falënderoj qeverinë dhe ministrin Olldashi për përkushtimin në këtë proces.