Olldashi: “Investimet kanë bërë që jeta në fshat nuk është më mundim”

430
Sigal

Partia Demokratike organizoi dje kongreseve konventën e dytë, pas asaj për punësimin, me në fokus mbështetjen ndaj fermerëve shqiptarë.

Ministri i Transporteve, në fjalën e tij në Konventën e PD-së, “Për më shumë mbështetje për fermerët”, renditi investimet e qeverisë në zonat rurale, duke theksuar se vështirësitë e fshatit kanë qenë sfidë gjatë 8 viteve të fundit. Sipas ministrit Olldashi, investimet kanë bërë që jeta në fshat të mos jetë më një mundim.  “Sot në çdo cep të Shqipërisë, ku me parë ishte bela të jetojë, ku çdokush mendonte të ikte, mjafton që të shpëtonte prej fshatit, sot situata është ndryshe, në fshat ka rrugë të shtruara, ka biznese, ka jetë. 8 vjet rresht ne kemi bërë detyrat tona, kemi ndërtuar 10 mijë km rrugë, kemi përmirësuar sistemin e ujësjellësve, duke siguruar furnizimin me ujë të rrjedhshëm brenda standardeve. Në sajë të investimeve sot situata ka ndryshuar për mirë dhe jeta në fshat nuk është më një mundim. Ne jemi ndryshimi, ne jemi ata që mbajnë premtimet, që ndryshojnë Shqipërinë, përpara”,- u shpreh ministri Olldashi.

Patozi: “Rama bllokon zhvillimin e fshatit, se atje votojnë për Saliun”

 Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi deklaroi gjatë konventës se PD-ja do vazhdojë të punojë fort për lidhjen e zonave rurale me akset kombëtare, por edhe për t’ju ofruar atyre më shumë arsimim e teknologji moderne. Në anën tjetër tha Patozi qëndron Rama me alternativën e tij të bllokimit. Sipas Patozi, Rama nuk e do zhvillimin e fshatit. “Zoti Rama ka një vizion të krijuar në odën e tij të fantazive, ai s’do që Shqipëria rurale të zhvillohet, nuk punon që gjithë shqiptarët të zhvillohen njësoj, do të vërë mur bllokues për zhvillimin e fshatrave, duket se ai thellë- thellë e urren fshatin, banorët e Shqipërisë rurale i ka konsideruar si injorantë që votojnë Saliun”, tha Patozi.

Sipas Patozit, strategjia e tij elektorale, përbëhet vetëm nga axhenda e tij personale. “Nga ai nuk pres asgjë të mirë është kundër çdo lloj zhvillimi”.