Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka publikuar rezultatet paraprake të zgjedhjeve të mbajtura të dielën, pas përpunimit të votave të mbi 90.13% të vendvotimeve.
Sipas këtyre të dhënave Lëvizja Vetëvendosja ka fituar 41.00%, të votave, PDK-ja 22.37%, LDK-ja, 17.57%, AAK-ja 7.56, Lista Serbe 3.98% e Koalicioni për Familje 2.30%.
Sipas këtyre të dhënave LVV-ja ka fituar 311 mijë e 907 vota, PDK-ja 170 mijë e 198, LDK-ja 133 mijë e 693, AAK-ja me Nismën 57 mijë e 539, Lista Serbe 30 mijë e 273 e Koalicioni për Familje 17 mijë e 507.
Të dhënat e KQZ-së janë përditësuar pas orës 11:00, nga numërimi i 2 mijë e 283 vendvotimeve nga gjithsej 2 mijë e 533 sa kanë qenë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit është tejkaluar problemi për publikimin e rezultateve paraprake për subjektet politike nga procesi i votimit më 9 shkurt.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, të dhënat po shfaqen pa ndonjë pengesë në platformën e rezultateve.