‘Nuk pranova ‘republikën’ e Sorosit’/ Berisha-Ramës: Do përballesh me demokratët!

75
Sigal

Nga Foltorja e Dibrës, Sali Berisha rezervoi një tjetër mesazh ndaj kryeministrit Edi Ramës.

“I them Edi Ramës, që ato daulle nuk janë dasme, por beteje dhe vetëm beteje. Do përballesh me demokratët për të gjitha këto që ke bërë,” tha Berisha, duke entuziazmuar sallën. “Ju kërkoj ndjesë që gjatë këtyre viteve nuk kam ngritur problemet me të cilat përballej PD-ja.  Në vitin 2017, duhej të vendosja të rikthehesha, që Rama të mos merrte një mandat siç e kemi sot,” tha Berisha.

Ai tha se vendimi në SHBA ndaj tij u mori pasi ai doli kundër ‘republikës së Sorosit’.

“Sot drejtësia shqiptare është më e kapur se kurrë. Sapo u emërua në drejtim të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, vëllait të ministres i doli regjistrimi për 500 mijë euro që kishte bërë një takim me një mafioz që tani nuk ndjehet më. Ku është kjo çështje? E zhduku sapo u emërua. Janë tre gjykatës në Gjykatën e Lartë me veting top-sekret. Atë nuk mund ta shihni ju, nuk mund ta shohin qytetarët sepse janë të krimbur. Por ata janë gjykatësit e partisë që janë marrë peng nga Edi Rama.


Dvorani u shpall kampion i luftës kundër korrupsionit në botë, i cili pasi mori 17 mijë euro, dha 11 vendime në favor të Albtelekomit. Ky është kampioni i antikorrupsionit? Ky është mega-korruptor. Të gjitha këto vepra janë të lidhura me miliarderin Soros, një armik i demokracisë dhe të djathtës shqiptare. Nëse askush nuk ngrinte zërin, këtu do bëhej republika e Sorosit.

Ish-kreu i PD, në vend që të rreshtohej me republikanët amerikanë, ministri në hije i tyre e quajti vendimin ndaj meje një akt hakmarrës politik ndaj të djathtës shqiptare, por këto nuk kishin vlerë për ish-kreun e PD-së. Për të kishin vlerë kurthi dhe intrigat kundër Sali Berishës nga Soros dhe Rama. Që ditën e parë, iu drejtova gjykatës në Paris dhe padita për shpifje personin që më dizenjoi non-grata. Thashë që të sjellin çdo fakt dhe çdo provë. Por kurrë nuk pranoj fajësinë pa faj. Unë aq sa jam i përulur para të vërtetës, aq jam i pathyeshëm para mashtrimeve. Unë mbroj dinjitetin tuaj, mbroj dinjitetin e atyre që më kanë votuar dhe besuar. Unë kurrë nuk e pranoj një gjë që nuk e kam kryer. Mbetem përjetësisht mbrojtës i dinjitetit njerëzor,” tha Berisha.