Nuk ka marrëveshje Rama-Basha

444
Nuk ka marrëveshje Rama-Basha, pse dështuan negociatat
Edhe pas ndërmjetësimit të Departamentit të Shtetit, kryeministri dhe kreu i opozitës nuk kanë rënë dakord për kohën e shtyrjes së zgjedhjeve. PD pranon vetingun
Qeveria dhe opozita nuk kanë arritur një marrëveshje për të mbyllur krizën disamujore në vend, pavarësisht dy ditëve intensive negociatash, të kërkuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Duke komunikuar në distancë, palët politike dhanë disa herë shpresë, se mund të gjenin gjuhën e përbashkët për të mundësuar pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje, por kjo nuk ndodhi. Edhe përpjekja e zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili qëndroi për dy ditë në Tiranë, ka dështuar dhe Rama e Basha janë rikthyer në pozicionet e tyre. Pikërisht takimet e diplomatit të lartë nga Uashingtoni i rinisën negociatat, duke mbështetur të ashtuquajturën “Paketa McAllister”. Vetë Yee e cilësoi atë “një propozim të ndershëm” dhe deklaroi se shpresonte që “partitë do ta pranojnë si mjet për të arritur një marrëveshje për të bërë të mundur që të marrin pjesë në zgjedhje”. Paketa parashikon shtyrjen e datës së zgjedhjeve, emërimin e disa ministrave teknikë, si dhe dhënien opozitës të disa institucioneve të pavarura. Këtë paketë, kryeministri e kushtëzoi me votimin e komisioneve të vetingut në Kuvend. Më pas vetë Rama ofroi një paketë më të tërhequr, që fokusohet te një zv/kryeministër dhe disa zv/ministra për të mbikqyrur angazhimin shtetëror në fushatën elektorale. 

Megjithatë zhvillimet e ditës së djeshme, ndonëse kanë qenë intensive, nuk ka dhënë rezultat. Opozita, sipas burimeve politike, e pranoi në parim paketën e propozuar nga eurodeputeti gjerman, duke hequr dorë nga kërkesa për largimin e kryeministrit Rama, si kusht për të hyrë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Lëshimi i opozitës është bërë, duke kërkuar realizimin e identifikimit biometrik të zgjedhësve, ndërsa është pranuar se votimi e numërimi elektronik është i pamundur për arsye kohore. Pikërisht për të realizuar identifikimin elektronik të votuesve nëpërmjet kartave të identitetit e shenjave të gishtave në çdo qendër votimi është kërkuar një shtyrje e datës së zgjedhjeve. Në të njëjtën kohë, është kërkuar nga opozita që të ketë përcaktime të qarta të detyrave të zv/kryeministrit apo ministrave të rinj.

Sipas burimeve politike, pikërisht shtyrja e datës së zgjedhjeve mësohet se ka qenë pika kryesore për të cilën nuk është rënë dakord në negociatat në distancë mes Ramës e Bashës. Variantet e dhëna për të votuar më 16 apo 23 korrik nuk janë pranuar nga kryeministri, ndërsa nuk kanë munguar propozimet apo kërkesat për një shtyrje edhe më të gjatë të datës së votimit për Kuvendin e ardhshëm. Burime nga opozita bënë të ditur se prej pakicës parlamentare është ofruar edhe votimi i vetingut, pra dërgimi i deputetëve në komisionet e Kuvendit për të plotësuar vendet bosh, duke i dhënë startin zbatimit të reformës në drejtësi. 

Sipas të dhënave deri në mesnatë, gjithçka duket se ka dështuar dhe palët politike nuk kanë mbërritur te një marrëveshje, pavarësisht sponsorizimit të fortë amerikan. Nga ana e saj, opozita nuk është regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, duke kërkuar plotësimin e kushteve për një proces të lirë e të ndershëm. Ndërkohë që Kolegji Zgjedhor pritet të vendosë të enjten lidhur me vlefshmërinë e listave të kandidatëve për deputetë. Një hap ky që ndoshta do ta komplikojë apo shtyjë drejt zgjidhjes krizën e stërzgjatur politike. 

Basha, tre takime me aleatët
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar dje tre takime me aleatët për të diskutuar rreth propozimeve për zgjidhjen e krizës politike. Në takimin e parë, Basha dhe aleatët kanë diskutuar propozimet që i janë paraqitur palës qeveritare, ku është përfshirë shtyrja e datës së zgjedhjeve, përcaktimi i zv/kryeministrit dhe disa ministrave teknikë dhe dhënia e drejtimit të disa institucioneve të pavarura. Më pas gjatë mesditës, Basha është ritakuar me aleatët për të diskutuar mbi negociatat dhe në mbrëmje është zhvilluar një takim i tretë, ku është konstatuar se mungon konsensusi nga pala qeveritare. Gjithashtu, Basha është takuar dje edhe me ish-kryeministrin Berisha. 

Rama, bisedë me ambasadorin Lu
Kryeministri Edi Rama është takuar dje me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu, për të diskutuar lidhur me zgjidhjen e krizës politike në vend. Nga takimi mungojnë detajet, por në fokus ka qenë trajtimi i paketës së propozimeve “McAllister”. Ndërkohë, zv/ndihmëssekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee, është larguar nga Tirana, duke ia besuar ambasadorit Lu vijimin e negociatave në distancë mes palëve politike. Në të njëjtën kohë, shefi i qeverisë ka spostuar edhe axhendën e tij të takimeve elektorale, duke u fokusuar te kontaktet me opozitën për të gjetur një zgjidhje mbi krizën politike. Prej ditësh, Rama po zhvillon një tur në qytete të ndryshme për të nxitur shqiptarët të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që sipas qeverisë, do të zhvillohen më 18 qershor. 

Sigal