Një vit pas 23 Qershorit: Një rotacion politik i (pa)mjaftueshëm

444
Sigal

ISPSH/ Treguesit kryesorë të zgjedhjeve, sjellja e partive politike, risitë dhe sfidat kryesore

“Maxhoranca vijon të sillet si opozitë, opozita vijon të sillet si maxhorancë. Publiku ka më tepër pritshmëri sesa rezultatet e arritura, klima e besimit është pozitive, emergjente reformat e thella për të cilat qytetarët votuan. Zgjedhjet e 23 qershorit sollën rotacion politik demokratik, palët pranuan rezultatin dhe kjo përbën një risi nga e kaluara. Një risi tjetër ishte aftësia e grupeve testuese (sondazhe) për të paralajmëruar rezultatin zgjedhor. Risi mbetet fushata pa incidente e ndihmuar edhe nga diferenca e thellë e pritshme midis dy kampeve politike. Në ecurinë e deritanishme të maxhorancës politike risi mbetet një frymë më liberale në trajtimin e çështjeve të mëdha publike, si dhe përpjekjet për rivendosjen e autoritetit të shtetit në kontrollin e territorit, në mbledhjen e të ardhurave, në rritjen e besimit tek partnerët financiarë, si dhe në aspekte të tjera të qeverisjes. Maxhoranca ka shënuar progres edhe në çështjet e legalizimeve, të luftës ndaj grupeve kriminale, si dhe në thjeshtëzimin e procedurave burokratike në raport me biznesin e qytetarët. Në çështjet e tjera të premtuara, sidomos krijimi i një administrate të aftë dhe jopolitike, në vendosjen e sistemit të drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit si dhe në kthimin e sjelljes së re liberale në sistem qeverisës, – rezultatet kanë qenë minimale  dhe pritshmëritë vijojnë të jenë pesimiste edhe për të ardhmen e afërt”. Këto janë disa nga rezultatet e publikuara në një analizë që Instituti Shqiptar i Studimeve Politike i ka bërë periudhës që nga koha e 23 Qershorit 2013 dhe deri në përmbushjen e vitit.

Disa nga pika e prekura në raport janë:

46 NGA 66 PARTI POLITIKE JANË LIGJËRISHT TË PALIGJSHME

Bazuar në ligjin mbi partitë politike (neni 26), detyrimit që numri i votuesve të jetë më i madh sesa numri i anëtarëve themelues dhe faktit se për themelimin e një partie politike

kërkohen 3000 nënshkrime, rezulton se, nga 66 parti politike konkurruese më 2013, vetëm 20 prej tyre kanë numër më të madh votash sesa numri minimal i anëtarëve themelues. Në total, 46 parti të tjera politike, 27 të majta dhe 17 të djathta, si dhe dy parti janë koalicioneve, kanë më pak vota sesa votues, për pasojë, plotësojnë kriterin ligjor për shkrirjen e një partie politike. Ligji mbi partitë përcakton kriteret, por nuk përcakton institucionin që ka përgjegjësinë për ndjekjen e zbatimit të ligjit, ndaj megjithëse 47 parti janë në kundërshtim me ligjin, askush nuk kërkon prej tyre përtalljen me pasojat e

ligjit. Numri i partive simbolike, me pak vota vijon të jetë fenomen i të gjitha zgjedhjeve në Shqipëri. Më 2013 rreth një e treta e të gjitha partive konkurruese kanë më pak sesa 1000 vota, madje 10 prej tyre kanë më pak sesa 500 vota nga 1.7 milion votues gjithsej.

Tabela paraqet disa prej partive politike që rregullisht marrin numër minimal votash në zgjedhje parlamentare: në zgjedhjet 2013 më shumë se 5-6 parti morën nën 500 vota, disa prej tyre

vijojnë me të njëjtën numër votash edhe në zgjedhjet parlamentare 2009 ose atë lokale 2011.

PARTI POLITIKE 09/11* 2013
Ora e Shqiperise 796 770
Reformat Demokratike 495 1371
Mbrojtja e Emigranteve 397 2275
Mbrojtja e Punetoreve 389* 316
Bashkimi Pensionisteve 523* 406
Persona me Af. Kufizuar 910* 459
Levizja Punetore 98* 316
Levizja per Drejtesi 540* 508
Partia e Ceshtjeve Shqiptare 366* 476

PALËT POLITIKE NJË VIT MË PAS, RISITË DHE DËSHTIMET

Pas një viti nga rotacioni politik, sjellja politike është e brishtë: maxhoranca e re ende flet dhe sillet si opozitë, sidomos në çështjet e sigurisë, drejtësisë, financave, etj, kurse opozita e re ende sillet si maxhorancë, duke mos kryer ende asnjë aksion politik opozitar reformues dhe reflektues të suksesshëm. Gjatë një viti nuk ka ndodhur asnjë mbledhje e krerëve të koalicionit qeverisës, nuk janë realizuar ende asnjë nga reformat e mëdha të premtuara në qeverisje, si dhe nuk ka zgjedhje të rregullta ende brenda partive, pavarësisht detyrimeve statutore dhe ligjore. Sukses për maxhorancën mbetet reforma e re territoriale, një frymë e ligjit në rivendosjen e rendit publik, si dhe aspekte të tjera përgjithësisht tipike për çdo maxhorancë të re pas rotacioneve politike. Sukses domethënës i saj mbetet edhe aftësia për të rinovuar elitën e saj politike, duke krijuar një bazë të mirë përfaqësimi për zgjedhjet e ardhshme. Tek opozita situata është edhe më gri. Ajo përveç ndryshimit të kreut të saj ligjor, njëfarë liberalizimi në imazhin e saj publik, etj, nuk ka arritur ende të analizojë rezultatin e zgjedhjeve, të ndahet nga pjesa e korruptuar e saj, nuk ka bërë zgjedhje brenda vetes, nuk ka reformuar programin dhe as sjelljen politike, dhe me dy grevat e fundit, nuk ka dëshmuar ende vizion të qartë që mundëson ndryshimin e shpejtë. Sukses tek opozita është aftësia për të mbajtur nën kontroll disa institucione dhe militantët, monitorimi i detajuar prej saj i cilësive të emërimeve të rëndësishme në poste politike e administrative, si dhe aftësia për të ndaluar rrjedhjen e votave tek partitë e reja politike ose për të krijuar fraksione të reja politike brenda vetë grupit parlamentar. Dy palët dështuan në mënyrën sesi e menaxhuan krizën e vjeshtës 2013 në lidhje me armët kimike, dy palët përsëritën të njëjtën sjellje e mentalitet në raport me integrimin si edhe në të kaluarën, dy palët u sollën njësoj me administratën publike dhe retorikat populiste parlamentare, dy palët vijojnë të parcelizojnë pushtetin në raport me partitë më të vogla aleate, dy palët kanë refuzuar çdo kritikë të brendshme në partitë respektive, dy palët kanë kontroll mbi mediat e tyre si dhe bizneset mbështetëse, dy palët kanë konsensus për mosndryshimin e kushtetutës dhe sistemit zgjedhor, si dhe dy palët e etiketojnë njëra tjetrën me terma parademokratikë.

VOTA POLITIKE 2009-2013: DIFERENCA NGA 10 MIJË NË MBI 160 MIJË

Zgjedhjet parlamentare ishin një votë e qartë kundër qeverisë së djeshme dhe pro rotacionit politik. Koalicionet politike vetëm sa kanalizuan këtë frymë politike në rezultate konkrete, duke maksimalizuar përfitimet për shkak të sistemit zgjedhor. Tabela e votave krahasuese 2007-2011 dhe 2009-2013 dëshmon rritjen e dukshme të hendekut midis palëve kryesore politike.

Partite 2011 2013 2009 2007

PS

432,823 713,407 620,586 305,583

PD

330,950 528,373 610,463 271,705

LSI

117,707 180,470 73,678 121,172

PR

73,806 52,168 31,990 75,730
PDIU 63,426 44,957 14,477 15,523
PDS 53,203 11,891 10,395 39,390
PDK 47,930 13,288 13,308 58,484
PSD 43,828 10,220 26,700 52,194
PBDNJ 40,710 14,722 18,078 49,730

MINISTRAT DHE DEPUTETËT “E DJATHTË” QË U BËNË “RILINDAS”

Për shkak të koalicionit politik parti të ndryshme politike, sidomos LSI, ishte në qeverinë e djathtë dhe në prag të zgjedhjeve parlamentare kaluan në opozitë, për të ardhur përsëri në pushtet në qershor. Për pasojë, disa zyrtarë të lartë të saj ishin në qeveri gjatë mandatit të kaluar dhe pas një “pushimi opozitar” 3 mujor, erdhën përsëri në qeveri. Në kabinetin e Rilindjes bëjnë pjesë ministrat E.Haxhinasto dhe E.Panariti, dy ministra që ishin pjesë e kabinetit të djeshëm dhe që vijojnë të jenë pjesë e kabinetit të ri, tashmë në emër të Rilindjes. I pari ishte edhe zv/kryeministër dhe i dyti ministër i jashtëm, poste me rëndësi në hierarkinë e ekzekutivit. I njëjti fenomen ndodhi me ministrin tjetër N.Nacco, i cili ishte ministër në qeverinë e djathtë dhe tani është ministër në qeverinë e majtë. Bashkë me ta janë edhe një numër i madh zv.ministrash, drejtorësh të përgjithshëm, drejtorësh rajonalë dhe zyrtarë të tjerë të lartë, – të cilët në pesë vitet e fundit përjetuan vetëm 2-3 muaj opozitë, duke qenë pjesë e qeverisë së djathtë dhe sot pjesë e qeverisë së majtë. Nga të gjithë zyrtarët, njëri prej tyre (zv.ministër) ishte në të njëjtin post në dy qeveritë, – rasti i vetëm në nivelet politike, – kurse të tjerët kanë ndryshuar dikaster. I njëjti fenomen ndodh edhe me disa parti të tjera të “djathta” që vijojnë të kenë postet politike dhe ekzekutive edhe në qeverinë “e majtë” megjithëse programi aktual qeverisës bazohet në modelin dhe filozofinë e kundërt të ish-qeverisë së mëparshme, madje, duke e akuzuar atë për keqqeverisje, abuzime dhe korrupsion të lartë. Nga ana tjetër, në radhët e opozitës së sotme ndodhen ish-ministra dhe ish-deputetë të majtë, të cilët ishin pjesë e opozitës së majtë dhe sot janë pjesë e opozitës së djathtë, për shkak se ndryshuan kah politik në momentin e fundit. Rasti më tipik ishte vendimi i PD-s ë në maj 2013 për të dhënë mandate parlamentare për tre deputetë socialistë që iu bashkuan asaj, si dhe një ish-ministër të njohur të qeverive të majta. Njëri prej dy deputetëve socialistë që erdhi nga PS dhe u bë deputet me PD, menjëherë pas zgjedhjeve ndryshoi parti, dhe tashmë u bashkua me të majtën, – një rast unikal kalimi brenda vetëm 6 muajve kalendarikë. Gjithashtu, një deputet republikan u bashkua me të majtën, si dhe të paktën pesë deputetë të tjerë janë në procese bisedimesh për të bërë të njëjtën gjë. Trafiku i mandateve ndodh rëndom dhe është një prej treguesve të mungesës së identitetit dhe korrektesës politike dhe elektorale të deputetëve.

POLITIKA “ANTI-FEMËRORE” DHE TRANSPARENCA E MUNGUAR

Megjithëse zgjedhjet 2013 sollën rotacion politik, ndryshimet thelbësore përsëri munguan. Një prej fenomeneve negative ishte hartimi i listave elektorale me më pak femra sesa 30%, sa është angazhimi politik i secilës palë politike si dhe detyrimi ligjor nga Kodi Zgjedhor. Palët politike jo vetëm nuk e respektuan këtë vendim, por praktika e zëvendësimit të deputetëve në Durrës, Lezhë, Dibër, Elbasan, Tiranë, etj, dëshmoi formalitetin e politikave dhe premtimeve gjinore. Disa kandidate femra u detyruan të tërhiqen nga mandati i deputetit për ti lënë vendin personave militantë meshkuj. Disa mandate vijojnë ende të jenë të pazëvendësuara pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve midis presionit për dorëheqje dhe deklarimit politik të ndarjes së mandateve ministra-deputetë.

PRITSHMËRITË DHE SFIDAT

Pritshmëria më e madhe është marrja e ftesës për anëtarësim në BE dhe reflektimi i elitës politike ndaj kësaj sfide historike për shqiptarët. Integrimi ka vlerë kur jetësohet për qytetarët, kthehet në standarde më të larta demokracie dhe jetese, ndaj sfidë tjetër me rëndësi mbetet zgjerimi i demokracisë përfaqësuese, transparenca më e madhe qeverisëse, reformat më të thella, më të plota dhe më të shpejta në sektorët kryesorë të qeverisjes, kalimi nga konflikti verbal politik tek bashkëpunimi për çështjet e mëdha politike, përgatitje dhe realizimi me sukses i zgjedhjeve të ardhme elektorale, përfundimi i reformës në drejtësi, arsim, shëndetësi, sistemin e pensioneve, etj. Në aspektin e cilësisë së shtetit dhe demokracisë sfidë madhore mbetet lufta kundër korrupsionit, kalimi më në fund përpara drejtësisë të zyrtarëve të lartë abuzues me ligjin dhe pronat publike, ndarja më e qartë e politikës nga bota informale, aftësia e parlamentit të bëjë reforma, duke tejkaluar konfliktet e interesit të vetë deputetëve, aftësia e politikës dhe partive të bëhen më demokratike nga brenda, ecja në drejtim të kundërt me partitë klienteliste të krijuara dhe trendy tashmë në Shqipëri, etj..