Grupi i Shullazit në marrëdhënie me drejtorin e Veliajt, zbulohet kontrata

2264
Sigal

Një pronë që ishte premtuar për afro një milion euro, në pak kohë, bind pronarët ta japin me 5 milionë lekë, duke u konsideruar dakordësi dhe dëshirë. Brenda kësaj historie, ka edhe një atentat ndaj njërës palë, ndonëse zyrtarisht, autorët nuk janë emërtuar. Pas plumbave ka ardhur dhe bindja për të braktisur çmimin e dëshiruar dhe zbritur në atë komik, në raport më çmimet e tregut, sigurisht dhe tej atyre të referencës. Gilmando Dani, njeriu i bandës së Shullazit, akuzuar për vepra të rënda, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ka gjetur kohë, mundësi, para dhe mjete të bëjë biznes në Tiranë, duke marrë premtim për blerje të kësaj prone biznes, pikë shitje karburantesh në Tiranë. Mbase OFL do ta ketë në axhendë të shkojë për të kërkuar barrën e provës si edhe për shumë raste të tjera të deritanishme.

Familjarë të Alban Dokushit, një nga drejtorët e rëndësishëm të Bashkisë Tiranë, ndër bashkëpunëtorët më të afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj, janë ish-pronarët që kanë shitur në mënyrë disi të sforcuar, për aq sa dokumnetacionet paraqesin, duke ditur se premtim-blerësi, ishte person me rekorde kriminale. Alban Dokushi ka qenë këshilltar në Gjykatën e Lartë në vitin 2014, kur ndaj tij është bërë një atentat me armë zjarri dhe Prokuroria aso kohe dyshonte se problemi me pronat, ishte një ndër pistat zyrtare të hetimit, e asgjë nuk shkoi deri në fund. Duket se kjo pronë, pasi ka marrë emër të ri pronari të premtuar, ka qëndruar e patrazuar nga ansjë projekt, sepse ka pasur projekt konkret si ai i zgjerimit të rrugës së Kavajës dhe ndërhyrjes për në Unazën e Re, por është gjetur dakordësi paqeje me shumë palë pushteti dhe të interesuarve.

Tjetër detaj është dhe fakti, ku ndonëse banorë të Tiranës, palët Dokushi dhe Dani, kanë gjetur një notere, Perian Bodinaku në Kavajë, për të nënshkruar aktin e premtuar, aty ku edhe më herët, janë bërë akte të tjera me fuqi ligjore. Një pronë e rëndësishme në Tiranë, pikë tregtimi karburanti e aksesorë të ndërtuar në këtë truall, e regjistruar në Zyrën e regjistrimit si truall plus pikë karburanti, me një çmim banese sikur të ishte në periferi të kryeqytetit, ndërron pronarë me dakordësi të shpejtë, ndonëse afro tre muaj më përpara, ishte dhuruar në emër të një tjetër qytetari. E megjithatë, kjo histori ka disa episode jo fort të qarta me perosnazhet pjesëmarrës në marrëveshje, premtim shitje dhe blerjeje, ku përfshihen dhe profesionistë dhe palë të interesuara.

Deklarata Noteriale

Lutfi Dokushi është pronari, babai i Dokushit, drejtori juridik në Bashkinë Tiranë, i cili me 26 mars të vitit 2014 para noteres Perioan Bodinaku, deklaron me vullnet të lirë, se pronën e tij të paluajtshme në kryqëzimin e Rrugës së Kavajës me Unazën e RE, pikë tregtimi karburantrui dhe aksesorë, ia dhuroj shtetases Haxhire Banaca, banuese në Tiranë, zonjë 77 vjeçare, në momentin e dhurimit, e datëlindjes 31 dhjetor 1937. Edhe ky akt formësohet në Kavajë.

Akti II, Kontrata e Premtuar

Tashmë kjo pronë e dhuruar shtetases Banaca, rikthehet në një tjetër akt, për tu shitur, nga ai që e kishte dhuruar tre muaj më herët, duke mos u përmendur në kontratën pasardhëse, se akti po ndërtohej në një pronë të dhuruar dhe dhuruesi si përfitues nuk egziston gjëkundi në seancën e dytë, ndonëse jemi tek e njëjta zyrë noteriale, Bodinaku në Kavajë.

Vetëm pas dy muaj e një jave, afro 68 ditësh, kemi përpilimin e një kontrate, mes pronarëve Dokushi dhe Gilmando Danit, njeriut të shumë akuzuar për vepra të rënda penale, pjesë e grupit të strukturuar kriminal “Shullazi” i dënuar në vitin 2018 me 12 vite burg për disa akuza, ku ajo e shtërngimit për dhënie të pasurisë është një ndër to.  Me 2 qershor të vitit 2014, karburanti tashmë do t’i premtohet një tjetër kërkuesi, pikërisht Gilmando Danit.

Lutfi dhe Vera Dokushi, janë pala premtuese shitëse, ndërsa pala premtuese blerëse, është Gilmando Dani. Noterja shkruan në kontratë faktin se, pala premtuese shitëse, është pronare e pasurisë së paluajtshme dhe nuk përmend asgjëkundi se ajo vetë ka në arkivin e punës së saj, një deklaratë noteriale, ku e njëjta pronë ishte dhuruar nga pronarët Dokushi, qytetares Haxhire Banaca.

Pala premtuese blerëse ishte interesuar për blerjen e kësaj prone dhe dakordësohen për të lidhur një kontratë për shitje të pasurisë me një çmim 5 milionë lekë të reja, ose 50 milionë lekë të vjetra, më pak se një banesë modeste në të njëjtën zonë, ku gjendej njësia e biznesit. Në nenin 3 të kontratës tek përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palës premtuese të shitjes, thuhet se:

Me nënshkrimin e kësaj Kontrate, pala premtuese shitëse, merr përsipër të angazhohet:

“Të plotësojë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor për kalimin e pronës brenda afateve të përcaktuara në Kontratë dhe deklaron se angazhohet që për sa kohë kjo Kontratë është e vlefshme dhe deri në momentin e kalimit të titullit të pronësisë nuk do ia ofrojë për shitje, ose për transferim në cfarë do lloj mënyre një pale të tretë pasurinë.”

A ka pasur noterja Bodinaku dijeni se dy muaj e 7 ditë më parë ajo kishte noterizuar, firmosur e vulosur, një deklaratë të të njëjtit pronar për dhurimin e kësaj pronë objekt i kontratës së re??!!

Gjithashtu pala premtim blerëse ofron dhe shlyerjen e një kredie bankare, kolateral i së cilës ishte kjo pronë, ndonëse nuk përmendet sa ishte kjo kredi. Jo vetëm kaq, bujaria e blerësve angazhohet se pavarësisht përcaktimeve ligjore në fuqi, ata do të paguanin dhe detyrimet tatimore mbi shitjen dhe regjistrimin e kësaj pasurie, taksat e aplikimeve dhe çdo lloj tjetër detyrimi financiar. Prona ka pasur një kontratë tjetër, premtim blerje, të cilën gjykata e ka zhbërë dhe ia ka kthyer palës premtim shitjeje.

Ajo çka e bën interesant këtë pronë, ka të bëjë edhe me faktin se pala premtuese shitëse, Dokushi, vë në dijeni siç në kontratë përmendet, se në vendndodhjen e sendit objekt i kësaj kontrate, pritet të nisin punimet për nyjen lidhëse të Unazës së Re, me rrugën e Kavajës dhe pala premtim blerëse pohon se kishte dijeni për këtë investim të pritshëm. Ndërkohë sendi ishte bllokuar në favor të një kredie bankare. Edhe kjo nuk përbënte asnjë problem për Danin, që ka marrë parasysh të zgjidhë këto ngërçe shtesë të pronës. /Shijak tv