”Një dolli për Dritëroin”, Gramoz Ruçi: Shkrimtari dhe njeriu i paarritshëm

806
Sigal

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi në festën e 87 vjetorit  të  Dritëro Agollit,  në Menkulas.

Me ftesë te Bashkisë së Devollit dhe Shoqatës “Devolli”, ne vendlindjen e Dritëroit, Menkulas, u organizua një festë e bukur në nderim të këtij patriarku të kulturës shqiptare, në 13 tetor, ditën e tij të lindjes. Në këtë aktivitet ishin edhe deputetët z. Spartak Braho, znj. Edlira Bode, z. Ilir Xhakolli, Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane Haxhi Baba Edmond Brahimaj dhe personalitete të tjerë.

Festa filloi me këngët më të dashura të Dritëroit, ato që dëgjonte e këndonte me miqtë si dhe me këngë  kushtuar poetit të madh nga artistët e zones. Vajza e djem të  zonës  recituan poezi të Dritëroit dhe kërcyen valle tradicionale të Devollit.

Në përshëndetjen e tij, Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruci, shprehu vlerësimet, ndjenjat dhe nderimin e thellë për veprën letrare, kontributin shoqëror e politik dhe përmasat e pakrahasueshme njerëzore të Dritëro Agollit, mikut, kolegut dhe shkrimtarit, kaq shumë të admiruar.

“Kam shkuar nëpër mend shumë vlerësime, por të gjitha më janë dukur të varfëra para pasurisë së Dritëroit. Janë të vakëta, para furisë së pasionit dhe të cekëta para thellësisë së mendimit të tij. Tingëllojnë prozaike dhe rutinore, krahasuar me poetikën dhe talentin e tij. Dritëroi është ndër diamantet e letërsisë, kulturës dhe të botëve shqiptare të të gjitha kohrave. Dritëroi u bë shenjt i botës së letrave shqipe.  Dritëroi është borizani që u priu socialistëve shqiptare drejt shndërrimit në një forcë politike e demokratike të majtë dhe i inspiroi atë të bëhen partia më progresiste e vendit.  Dritëro Agolli është njeriu i madh që  mbeti i drejtë, kur rrethohej nga padrejtësitë, i vërtetë përballë gënjeshtrës, i mirë përballë të keqes.”, u shpreh z. Ruçi.

Aktiviteti vazhdoi me mozaik urimesh në vargje, këngë e valle nga grupi i serenatave të Bilishtit dhe nxënës të shkollës “Dritëro Agolli”.

Znj. Elona Agolli, vajza e shkrimtarit te shquar, shprehu mirënjohjen për të gjithë dashamirësit dhe miqtë e Dritëroit  dhe falenderoi organizatorët e kësaj feste të bukur.

Në përfundim të festës, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i shoqëruar nga z. Nallbati dhe të ftuar të tjerë, vizituan stendat me produktet ushqimore dhe tradicionale të fermerëve të zonës.

Fjala e plotë e kryetarit të kuvendit:

-Të dashur miq,

Ju falenderoj nga zemra që më nderuat duke më bërë pjesë të kësaj feste e dollie për Dritëronë.

Sot Dritëro Agolli, po të shprehemi si Ai, e mbushi xhepin me vitin e tetëdhjetë e shtatë.

Unë them mbushi dhe jo do të mbushte sepse kështu flitet për të gjallët.

Dritëroi ynë është dhe do të vazhdojë të jetë i gjallë.

Dritëroi, përveçse djalë i Menkulasit dhe miku juaj, ishte ndër miqtë e mi më të shtrenjtë, më fisnikë, më të mënçur dhe më të çmuar.

Jam krenar që e kam njohur, që kam qenë lexues, bashkëkohës dhe mik i tij.

Është fat i madh të kesh mik Dritëronë, por edhe të të ketë mik Dritëroi.

Si të gjithë ju, miqtë e tij, duke ardhur në këtë festë, jam munduar të meditoj ç’është Dritëroi për ne.

Kam shkuar nëpër mend shumë gjëra, por të gjitha më janë dukur të varfëra para pasurisë së Dritëroit.

Janë të vakëta, para furisë së pasionit dhe të cekëta para thellësisë së mendimit të tij.

Tingëllojnë prozaike dhe rutinore, krahasuar me poetikën dhe talentin e tij.

Dhe unë u binda, miqtë e mi, se Dritëroi është i pakrahasueshëm.

Dritëroi është ndër diamantet, jo vetëm të letërsisë e kulturës, por të botëve shqiptare të të gjitha kohrave. Të kohrave që kaluan, të kohës që jetojmë dhe të kohrave që vijnë.

Prej 60 vjetësh, kur në librin e tij të parë iu shfaq lexuesve firma Dritëro Agolli, ai u rrit në përpjestime të papara, krahasuar me punëtorët e tjerë të mëdhenj të letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Dritëroi u bë shenjt i botës së letrave shqipe.

Nëse historianët e letërsisë dhe kulturës dëshirojnë të mësojnë përse Dritëroi i këndoi sa me pathos, aq dhe në mënyrë jetësore e të natyrshme Luftës, përgjigja është se ky korrier dhe vjershëtor partizan u rrit në luftë.

Ai është partizani më i ri në moshë sepse iu bashkua Luftës Nacional Çlirimtare qysh kur ishte 9 vjeç. Dritëroi, të dashura motra dhe vëllezër, është një mal i lartë. Ky mal dhe maja e tij janë të paarritshëm.

Nëse dikush mendon se mund ta arrijë Dritëronë si shkrimtar dhe poet, kjo nuk mund të ndodhë.

Sepse talenti, krijimtaria dhe imagjinata e tij nuk njohin kufij dhe janë të pashokë.

Sepse ai e bëri të pavlefshëm parimin se i gjalli nuk mund të shndërrohet në legjendë.

Sepse ai ishte i pari që nën një rregjim pa liri, krijoi poezinë e “individit”, përkundër poezisë së “kolektivit” dhe të “masave”.

Sepse ai është ndër të rrallët shkrimtarë pa qibër, që ka shkruajtur vjersha e tregime si për heronjtë, malet, Nënën Shqipëri, baballarët e thinjur, lumenjtë, Devollin, rush-rushitin, barin,  baltën,  oxhaqet,  ashtu edhe për kecat, dhentë, dhitë, maçokun, qenin, kalin, lejlekun, rabeckat, xixëllonjat e pleshtat.

Dritëroi i ka gjetur dhe përshkruar bukuritë e jetës njerëzore dhe të natyrës në të tëra popullatat që gjallojnë në tokën tonë.

Secila prej tyre, na mëson Dritëroi, i jep diçka kësaj bukurie.

Ose, siç mund të thonë kritikët e mërzitshëm të letërsisë, është një vlerë e shtuar për jetën e planetit.

Askush si Ai nuk ndërtoi me artin magjepsës kultin e tokës, të gurit dhe të bukës, shenjtërimin e njeriut dhe të natyrës, mitin i atdheut, shijen e jetës dhe zhgënjimin e njerëzve të mirë nga shkëlqimi i rremë.

Rrallëkush si Dritëroi, ky pelegrin i vonuar, nuk udhëtoi i menduar në malet, asfaltin dhe trotuaret e qyteteve.

Askush si Ai nuk i ngriti hymne dashurisë, duke u bërë me vetëdije një i përndjekur i saj.

Por edhe nëse dikush shpreson se mund ta konkurrojë Dritëronë si politikan, përsëri e ka të vështirë, madje të pamundur.

Sepse Dritëroi është deputeti më jetëgjatë, rreth 30 vjeçar, në të dy kohrat dhe rrallëkush si Ai i dhuroi fisnikëri sallës së mërzitshme të parlamentit.

Sepse shkrimtari dhe politikani Dritëro u ngjizën në simbiozë dhe rrallëkush si Ai guxoi që me veprën e vet të na tregojë “Shqipërinë alternative”, si nën totalitarizëm, ashtu edhe në demokraci.

Sepse Dritëroi është borizani që u priu socialistëve shqiptare drejt shndërrimit në një forcë politike e demokratike të majtë dhe i inspiroi atë të bëhen partia më progresiste e vendit.

Por edhe nëse dikush një ditë do ta arrijë shkrimtarin Dritëro Agolli, nëse dikush do ta konkurrojë në vlera politikanin Dritëro Agolli, askush nuk do të mund të arrijë Njeriun e mirë dhe të madh Dritëro Agolli.

Njeriun që mbeti i drejtë, kur rrethohej nga padrejtësitë, i vërtetë përballë gënjeshtrës, i mirë përballë të keqes.

Që mbrojti të aftët dhe stigmatizoi mediokrët në çdo kohë, pavarësisht nëse ata, me humorin e tij therrës, i quajti Zylo apo shkërdhatokratë.

Që e mbrojti të vërtetën kur nuk kishte liri dhe luftoi për të mbrojtur lirinë e vërtetë.

Për këtë Njeri dëshiroj sot të ngrej një dolli, unë, miku, kolegu, lexuesi, i frymëzuar dhe i edukuar prej veprës së Tij.