Një deputet i “Rilindjes” në qershor 2017 shkon drejt LSI

407
Sigal

 

“Turp, na vunë njollën e zezë me hashashin”

Gazeta Telegraf/ Duket se turpin që hashashi po i vë vendit, politikës qeverisëse dhe segmenteve të caktuara edhe në strukturat e Policisë Shtetit, nuk duan ta kapërdijnë edhe një pjesë e mirë edhe nga deputetët e pa përfolur të Rilindjes. Një deputet i shumicës socialiste, që ka garuar dy herë dhe ka fituar me shumicë vota në qarkun e Elbasanit, ka shprehur indinjatën e tij të ligjshme lidhur  me situatën në të cilët ndodhet vendi, imazhi i tij, dhe ai i qeverisë aktual në sytë e popullit dhe ndërkombëtarëve. “Nuk mund të pajtohem kurrsesi me një situatë të tillë, kur konstatoj nga  informacionet në rrugë operative dhe ato zyrtare se si vendi po mbushet në çdo cep me parcela me hashash, nuk mund të pajtohem intelektualisht dhe politikisht me implikimin e emrave dhe segmenteve të ndryshme të policisë, ushtrisë, politikës, qeverisë vendore dhe asaj qendrore. Lidhur me kultivimin dhe trafikun e hashashit, ndaj kam vendosur të bëj zgjedhjen time, largimin nga PS në 2017, dhe afrimin pa asnjë mëdyshje tek LSI”- deklaroi për “Telegraf” deputeti aktual i shumicës, i cili nuk pranoi të identifikohej për shkak të ndonjë hakmarrje  politike apo edhe familjare. Duke shprehur indinjatën e tij, deputeti që realisht bën pjesë tek ajo pakicë e atyre ligjvënësve që kanë ruajtur marrëdhënie të mira dhe të forta me elektoratin e tyre, për shkak të qëndrimit larg nga klanet e rrezikshme, u shpreh se “nuk ka ditë të mos dëgjoj, të mos marr telefonata  dhe sms nga miq, shokë, votues të mi, për të mësuar fakte skandaloze, për mbjelljen e parcelave të dikurshme të grurit dhe misrit, tashmë me “bimën” e hashashit, nuk e kuptoj çfarë është kjo lukuni, kjo babëzi e padëgjuar që ka prekur edhe qeveritarët, që në 2013 erdhën me tjetër program, apo edhe zyrtarë të këtij shteti, që duke shkelur ligjet e vendit, duke diskredituar figurën dhe emrin e tyre, kërkojnë të bëhen milionerë me para droge, me mbështetje trafikantësh, jo kjo nuk është në agjendën time, jo kjo nuk është rruga ime politike, jo kjo nuk është rruga ime drejt karrierës, pasi  jam intelektual, jam dinjitoz, dhe kam firmosur në 2013 një program tjetër nga ky që sot po u bëhet prezent shqiptarëve, përmes kultivimit dhe pasurimit  përmes  korrupsionit, hashashit”. Deputeti mendon se “rruga e vetme dhe e drejtë do të ishte dorëheqja urgjente e të paktën tre ministrave, ku e para duhej të ishte ajo e Sajmir Tahirit, dhe gjithë shpurës së tij, që kanë marrë përsipër të mbushin thasët me para hashashi, pavarësisht se i vunë njollën e zezë vendit, qeverisjes dhe ligjvënësve të mazhorancës, imazhit të shqiptarëve në botë. E dini, para 1 muaji isha në Kanada tek njeriu im i afërt, dhe sapo morën lajmin se isha deputet në Parlamentin e Shqipërisë, erdhën dhe më takuan, por edhe më pyetën shqiptarë dhe vendas atje, “kemi dëgjuar se Shqipëria po mbulohet nga hashashi, e vërtetë është, si ka mundësi nuk vepron shteti fare atje ”. U vura në siklet, por realitetin nuk mund ta mbuloja me gjethe fiku, ndaj u thashë nga turpi se ,” qeveria po punon”. Duke vazhduar bisedën, deputeti që shpërtheu në akuza dhe deklarata tha se “shpesh pendohem që i hyra  politikës, pasi do të ishte më mirë për mua të vazhdoja rrugën time në profesionin tim, nga ku ndjehesha i qetë, i vlerësuar, i nderuar, dhe larg skenarëve dhe intrigave klanore dhe të ndyra me të cilat jetojnë sot shumica e atyre që i thonë nga mëngjesi deri në darkë “lepe-peqe” kryetarit apo sejmenëve të tij, dhe meqë ra fjala , Blushi sapo hapi rrugën i pari, mendoj se pas tij rrjedhja pritet të jetë më e madhe nga kjo shumicë të cilën Rilindja, po e diskrediton çdo ditë në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve”.