Nisja e Vetingut, avokatët: Pesimistë për rezultatet, shkak politika

449
Komisionet e Vetingut kanë nisur punën e tyre për kontrollin e gjyqtarëve dhe pastrimin e sistemit të drejtësisë. Ja si e shohin avokatët Fana, Hysi, Qeleshi dhe Daka
Avokatët penalist dhe ata civilist, nuk shohin dritë në fund të procesit që ka nisur për të reformuar gjithë sistemin e drejtësisë. Ndonëse argumentet janë të ndryshme për secilin prej tyre, përfundimi është i njëjtë. Janë pesimist dhe sipas tyre shkak për gjithë këtë pesimizëm është ping-pongu i luajtur nga forcat politike. Për ish-drejtorin e Shkollës së Magjistraturës kjo reforma ka shumë pikëpyetje. Ai thotë se nuk e shqetëson nisja e procesit, por ajo çfarë do të vi më pas. Sipas tij aktorët e kësaj reforme duhet të mendojnë se si do të mund të plotësohet vakumi që do të krijohet pas largimit të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve. Një tjetër avokat, Detar Hysi , përveç fakti që është pesimist, flet edhe për mangësitë që ka kjo reformë. Ai tha se për aq kohë sa në këtë reformë nuk shkruhet asnjë rresht për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, është e destinuar të dështojë. Reformë të plotë për Hysin do të ishin vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë. Të njëjtin mendim ndajnë edhe avokatët Denisa Daka e Arben Qeleshi. Sipas tyre vullneti politik ka rol të madh në këtë reformë. Peshë të madhe do të ketë edhe roli kontrollues i ndërkombëtareve. 
Komisionet e Vetingut sapo kanë nisur punën për kontrollin e gjyqtarëve. Si e mendoni përfundimin e Reformës në Drejtësi? A do të pastrohet i gjithë sistemi?

Neshat Fana: Ish/Drejtor i Shkollës së Magjistraturës, avokat
Shpresoj që reforma në Drejtësi të funksionojë dhe dua të besoj se do funksionojë. Ky proces duhet të jetë i drejtë, duhet të largojë vërtetë njerëzit e padenjë nga sistemi. Ajo që më shqetëson lidhet me atë që vjen pas kësaj. A do jemi në gjendje që vakumin ta mbushim me magjistratë të denjë që të munden të përballojnë presionin? Nga do t’i gjejmë ata? Kush do t’i edukojë që të mendojnë e e punojnë ndryshe dhe me çfarë garancish? Ne shqiptarët kemi treguar se për të shkatërruar jemi shumë të zotët, ndërsa për të ndërtuar institucione jemi totalisht të pazotë. 
Detar Hysi, avokat
Unë nuk jam optimist. Kjo për faktin se në të ashtuquajturën Reformë për Drejtësi, në asnjë paragraf të saj nuk diskutohet për lirinë dhe të drejtat themelore të njeriut. Kështu, duke qenë përballë një situate të tillë, ku të drejtat e njeriut, të cilat janë të sanksionuara në Konventën Evropiane, nuk respektohen dhe për to nuk flet askush në këtë reformë, unë do e konsideroja pseudo reformë. Nga ana tjetër kemi politikën e cila luan ping–pong. Në një shtet demokratik reformat bëhet për të respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Flitet vetëm se do të pastrojnë sistemin e drejtësisë. Por në të njëjtën kohë nuk flasin asgjë për qytetarët. Unë them se reforma në vetvete këtë qëllim ka, në të kundërt çfarë fryti do të ketë. Liritë dhe të drejtat e qytetarëve janë primare në një reformë. Por ato duket se nuk janë marrë për bazë nga mjeshtrat e hartimit të reformës. Sistemi i Drejtësisë ka shumë për të diskutuar. Personalisht, si jurist dhe penalist jam pesimist. Kurse ana politike është tjetër gjë. Politikanët janë ata që e fillojnë reformën dhe duan ta përfundojnë. Por ka shumë mangësi. Palët nuk kanë vullnetin për ta realizuar këtë reformë. Nëse do të ekzistonte ky vullnet, aktualisht duhej të ishin ngritur dy institucionet KLP dhe KLGJ dhe gjithçka të funksiononte sipas ligjit. Por këtu vazhdon të mos respektohet kjo gjë dhe, për pasojë, ne vazhdojmë të kemi në krye një Prokuror të Përgjithshëm që përfiton nga mosfunksionimi i kësaj reforme. Mendimet e juristëve janë të ndryshme. Por unë reformë do të quaja 30 vendime unifikuese të Gjykatës së Lartë që të jenë të zbatueshme për gjykatat poshtë. Praktika gjyqësore duhet të jetë e njëjtë për të gjitha gjykatat e shkallës së parë në rrethe. Por sot ne jemi në një situatë, kur për të njëjtën vepër penale, për shembull, armëmbajtje pa leje, gjykatat japin vendime të ndryshme. Sot ne kemi mungesë të vendimeve unifikuese për shumë vepra penale. Ndaj ne në gjykata hasim vështirësi të shumta. Reforma në Drejtësi, nëse nuk prodhon produkt, është e destinuar të konkurrojë me pjesën e vjetër të saj, që është e kaluara. 

Derisa Daka, avokate
Unë jam e bindur se për të realizuar një proces të mirëfilltë të Reformës në Drejtësi mungon vullneti politik. Për sa kohë ne nuk e kemi një gjë të tillë, atëherë jemi të destinuar për të pasur pjesë të këtij sistemi për shumë vite, të korruptuarit dhe të paaftit. 

Arben Qeleshi, avokat
Kam bindjen se ende jemi në fillimet e saj dhe nuk mund të themi se kemi siguri në këtë reformë që pritet të ndërmerret në sistemin e drejtësisë. Është rrugë e gjatë dhe përfundimi madhështor është herët të thuhet. Gjithsesi mendoj se kryerja e kësaj reforme është hap i madh pozitiv dhe rezultate do ketë patjetër. Mendoj gjithashtu se rendësi të veçantë ka roli kontrollues i ndërkombëtarëve. 
Sigal