Nishani uron Tusk: Integrimi evropian, projekti më i madh i shqiptarëve

512
Presidenti Bujar Nishani ka uruar Presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk me rastin e Ditës së Europës.

Përmes një letre, Nishani shpreh mirënjohjen për mbështetjen që Tusk ka dhënë ndaj vendeve të Ballkanit për procesin e anëtarësimit.

Urimi i Presidentit Bujar Nishani:
Në Ditën e Evropës dhe Ditën e “Deklaratës Schuman” kam kënaqësinë dhe privilegjin e veçantë që edhe në emër të qytetarëve shqiptarë, t’ju shpreh Ju dhe të gjitha institucioneve e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, urimet më të përzemërta për më shumë suksese, begati e harmoni!

Me këtë rast i bashkangjitem mesazhit historik që Robert Schumani u përcolli të gjithë popujve të Evropës në vitin 1950, se bashkimi i vendeve të kontinentit të vjetër do të sillte një zhvillim dhe fuqizim më të shpejtë të tyre. Ajo ide vizionare që u shndërrua shumë shpejt në një realitet të prekshëm, bëri të mundur që edhe Shqipëria të futej në rrugën e pakthyeshme të integrimit në Bashkimin Evropian.

Përfitoj nga kjo mundësi që të ritheksoj mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe e të pakursyer që i keni dhënë procesit të integrimit evropian të vendit tim dhe vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ashtu siç e kam theksuar edhe në takimet me ju, integrimi evropian mbetet alternativa e vetme dhe projekti më madhor i shqiptarëve, ndaj dhe ju siguroj se jemi të vendosur për të vijuar përpara në këtë drejtim, si në aspektin e reformave të brendshme, ashtu edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal.

Jam i bindur gjithashtu se pavarësisht sfidave dhe çështjeve të mprehta me të cilat po përballet Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij, vëmendja, përkrahja dhe përkushtimi juaj do të vazhdojë të përqendrohet edhe mbi Shqipërinë e rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Duke ju uruar edhe njëherë suksese në këtë ditë të shënuar, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!
Sigal