Nishani: SPAK ta fillojë hetimin me Ramën, askush se ka penguar të hetojë krimin

490
Sigal

Ish-Presidenti Bujar Nishani i ftuar në një studio televizive deklaroi se Edi Rama është i frikësuar prandaj po tenton të kalojë paketën ligjore Anti-KÇK.

Nishani i bën thirrje SPAK-ut që u ngrit sot, që të nisë punën me hetimin e kryeministrit Edi Rama.

“Kam parë diçka në media, por nuk kam asnjë kuriozitet, pasi skenari është i qartë i aktit të fundit të komedisë, madje zgjodhi një skenë teatri për ta luajtur. Një komedi që ka krijuar një tragjedi të madhe. Por çdo shqiptar do të pyeste, pse nuk u tregon në përfundim të vitit të shtatë të qeverisjes se çfarë ka bërë për ekonominë, rrogat dhe pensionet? Ai vijon me batuta bajate, para 20 viteve kur sapo kishte hyrë njerëzit tërhiqeshin nga batutat e tij, por tani pas 20 viteve janë konsumuar. Nuk e di kush e ka penguar kryeministrin për të luftuar krimin? Nëse flasim për drejtësinë e korruptuar ne po ndërtojmë drejtësinë e re? Kjo është një polici paralele. Ka një koklavitje të sjellës së kryeministrit, është e qartë se tashmë Rama është i frikësuar shumë se po afrohet ndërrimi i pushtetit. Me gjithë tendencën për të kapur drejtësinë dhe për ta bllokuar jam i bindur se me gjithë këto paudhësi, shpejt do të jetë subjekt i dosjeve të shekullit, në gjykimin tim. Prandaj ka një kaos kaq të madh.

Opozita sipas Edi Ramës është e frikësuar, por nuk ka asnjë gjë në dorë. SPAK-u dhe BKH janë të vonuara prej një viti e gjysmë, se Rama është i terrorizuar. Edi Rama, ky njeri që duhet të jetë subjekti i parë hetimit nga SPAK-u, ka arsye që të jetë i frikësuar prandaj po tenton ta vonojë për të mbivendosur, krijon alogjizma të tillë, i fut edhe këto akronimet qesharakë. Ai po sfidon popullin që mund të bëj teatër i pa shqetësuar. Unë besoj se nuk ka se çfarë të bëjë, pasi çfarë e ka penguar deri sot të luftojë krimin, i ka bërë pjesë të fushatave të tij dhe parlamentit. Edi Rama ka përgjuar me apo pa ligj edhe sot. Janë dy forma përgjimi, me vendim gjykate, që përbëjnë provë, por janë edhe përgjimet parandaluese, me leje nga prokurori i përgjithshëm. Edi Rama ka përgjuar me apo pa ligj. Unë kam qenë president dhe jam përgjuar nga qeveria. Skandali zuri pluhur dhe u zhduk. Unë nuk kam problem që mund të përgjojë njerëzit, por mungesa e motivit për të luftuar krimin” tha ai.