Nishani pritje mediave, kuroni si duhet imazhin e Shqipërisë

426
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mikpriti dje në mbrëmje në Pallatin e Brigadave në kuadër të pritjes tradicionale të Vitit të Ri 2014 drejtues dhe përfaqësues të shumtë të mediave shqiptare. Kreu i Shtetit shprehu urimet më të përzemërta përfaqësuesve të mediave dhe mirënjohjen për kontributin e pazëvendësueshëm që japin në shoqërinë shqiptare si dhe në jetën dhe dinamikën e përditshme të vendit, në të gjitha aspektet. Në fjalën e tij Nishani u shpreh se: “Dëshiroj që t’ju garantoj juve dhe të gjithë kolegëve tuaj në këtë takim se, gjatë gjithë kohës që do të ushtroj mandatin e Presidentit të Republikës do të vazhdoj t’u qëndroj fort atyre parimeve për të cilat besoj dhe gjykoj se i shërbejnë më së miri ushtrimit të rolit të Presidentit të Republikës në të gjithë dimensionin që Kushtetuta, i parashikon, institucionet dhe, në tërësi, kolonat e shoqërisë kërkojnë nga Presidenti i Republikës”. Presidenti Nishani nënvizoi se media njëkohësisht mund të japë dimensionin e plotë institucional, për të cilin të gjithë kemi nevojë për ta ofruar dhe për ta konsoliduar në shoqëri. Ai u kërkoi përfaqësuesve të mediave shqiptare, duke respektuar politikat redaksionale që ka gjithsecili prej tyre dhe secila nga mediat që ata kanë dhe ku punojnë e kontribuojnë, që të përpiqen sa më shumë të jetë e mundur, larg klisheve, tërësisht të pandikuar dhe të paangazhuar në gjëra artificiale, por me përgjegjësi për të kuruar, në mënyrë të merituar, imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.