Nishani priti sot Anëtarin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Dragan Čović

425
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot në një takim të veçantë Anëtarin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Dragan Čović, i cili me ftesë të Kreut të Shtetit shqiptar, po zhvillon një vizitë pune, një ditore, në Shqipëri. Pas ceremonive të rastit, Presidenti Nishani dhe Anëtari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës zhvilluan një takim të shkurtër kokë më kokë dhe më pas një takim të zgjeruar mes delegacioneve të të dy vendeve.
Presidenti Nishani përshëndeti vizitën e zotit Čović në Shqipëri, që zhvillohet vetëm pak muaj pas vizitës shtetërore të Kreut të Shtetit shqiptar në Bosnje-Hercegovinë, duke e konsideruar atë si një vijim të dëshirës e vullnetit për t’i zhvilluar dhe forcuar edhe më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Kreu i Shtetit, në vetëm pak muaj, vlerësoi edhe njëherë marrëdhëniet e mira dhe vullnetin e përbashkët politik për forcimin e marrëdhënieve dhe kontakteve, si dhe shprehu në mënyrë të veçantë nevojën e nxitjes dhe mbështetjes më të madhe nga strukturat e të dy vendeve të bashkëpunimit ekonomik e tregtar. “Potencialet ekonomike të të dy vendeve tona, veçanërisht në fushën e turizmit, energjetikës, bujqësisë etj. janë ende të pashfrytëzuara dhe ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të mbështetur dhe nxitur dhomat e tregtisë dhe të gjithë strukturat ekonomike e të biznesit për një bashkëpunim më intensiv në këtë drejtim.” – u shpreh Presidenti Nishani.
Presidenti Nishani vlerësoi rolin e veçantë që luajnë komuniteti shqiptar në Bosnje-Hercegovinë dhe ai boshnjak në Shqipëri, duke i konsideruar ato ura lidhëse të rëndësishme për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe dy popujve. Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu se komuniteti boshnjak në Shqipëri, megjithëse i kufizuar në numër gëzon të gjitha të drejtat që garantohen nga konventat e Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit të Evropës, si dhe theksoi gjithashtu se është e nevojshme që edhe komuniteti shqiptar në Bosnje-Hercegovinë të ketë një vëmendje më të madhe shtetërore, veçanërisht sa i përket shkollimit në gjuhën shqipe dhe integrimit të tyre në institucionet shtetërore, etj.
Presidenti Nishani gjatë takimit iu referua edhe bashkëpunimit rajonal dhe pasi vlerësoi organizimin e suksesshëm dhe substancial nga Presidenca e Bosnje-Hercegovinës të Takimit të Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, në Sarajeve në fund të muajit maj të këtij viti u shpreh se rajoni ynë ka hyrë në një fazë të re bashkëpunimi dhe pavarësisht sfidave me të cilat po ballafaqohet rajoni ynë dhe i gjithë kontinenti evropian, vendet tona duhet të jenë të vendosura për të vijuar me agjendën evropiane dhe euroatlantike. Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit vlerësoi se roli i Bosnje-Hercegovinës mbetet shumë i rëndësishëm, veçanërisht në kuadër të marrëdhënieve me Kosovën dhe lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve të të dy vendeve. Gjithashtu, Presidenti Nishani e siguroi zotin Čović për vijimin e mbështetjes nga Shqipëria në kuadër të NATO-s, si pjesë e mbështetjes për politikën e dyerve të hapura të Aleancës për të gjitha vendet e rajonit që e aspirojnë atë.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në çështjet e sigurisë, si dhe kërcënimet nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm e me baza fetare që po prekin vendet dhe rajonin tonë. U theksua nevoja e koordinimit dhe harmonizimit të veprimeve për luftën me sukses të këtyre fenomeneve.
Sigal