Nishani përplaset me Ramën, refuzon propozimin për shefin e shtabit të FA

447
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, refuzon propozimin e Kryeministrit Rama për dhënien e një mandati të dytë shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Jeronim Bazos. Propozimi ka mbërritur pak ditë më parë në zyrën e kreut të shtetit, pas përfundimit të mandatit trevjeçar të gjeneralmajor Bazos.
Presidenti Nishani ka refuzuar t’i japë një mandat të dytë shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, Jeronim Bazos, për shkak të shkeljeve kushtetuese që ky i fundit ka kryer gjatë mandatit të tij 3- vjeçar. Sipas të njëjtave burimeve, motivacioni me të cilin kreu i shtetit ka refuzuar emrin e gjeneralmajor Bazos është:
Sigal

Mosrespektimi i Kushtetutës dhe shkelje të ligjit të komandimit zinxhir të Forcave të Armatosura.

“Gjatë tri viteve nuk ka raportuar as edhe një herë të vetme te Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura (Bujar Nishani) dhe nuk ka dërguar asnjë informacion të vetëm apo realizuar një konsultë për dokumentet, planet e përhapjes, strukturat dhe FA-të”, janë disa nga arsyet përse Presidenti Nishani e ka refuzuar propozimin e Kryeministrit Rama për t’i dhënë një mandat të dytë gjeneralmajor Jeronim Bazos.

Gjithashtu, sipas Presidentit, “Shefi i Shtabit ka nxjerrë jashtë përdorimit nga Forcat e Armatosura me qindra prona, pa marrë miratimin e Komandantit të Përgjithshëm të FAve, detyrim që e la në fuqi edhe Gjykata Kushtetuese pas ankimimit që iu bë ndryshimeve në ligjin për zinxhirin komandues të FA-ve”, sqaron në arsyetimin e tij kreu i shtetit.

Mandati trevjeçar i Jeronim Bazes ka skaduar më 7 nëntor, ndërkohë që kërkesa e Kryeministrit Rama për një mandat të dytë për gjeneralmajorin mësohet të ketë mbërritur disa ditë më pas.

LIGJI

Në përmbushje të detyrimit të tij kushtetues, Presidenti Nishani, me propozim të Kryeministrit, dekretoi më 7 nëntor 2013 emërimin e gjeneralmajor Jeronim Bazos në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Më herët, kreu i shtetit pranoi kërkesën për dorëheqje të gjeneralmajor Xhemal Gjunkshit, i cili deri në nëntor 2013 mbajti detyrën e shefit të Shtabit të FA-ve. Në bazë të pikës 5, të nenit 15 të ligjit për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të FA-ve, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shërben për një periudhë prej tre vjetësh, me të drejtë riemërimi vetëm për një mandat tjetër.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është autoriteti më i lartë ushtarak në gradë dhe në hierarkinë e drejtimit e të komandimit strategjik në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.