Nishani në Prishtinë, takim me Presidentin e sapozgjedhur, Hashim Thaçi

524
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë sot në ceremonitë zyrtare të inaugurimit të Presidentit të ri të Republikës së Kosovës,  Hashim Thaçi, që u organizuan në Prishtinë, krahas shumë krerësh të tjerë shtetesh dhe qeverish. Pas ceremonive dhe urimeve të rastit Presidenti i Republikës zhvilloi edhe një takim të veçantë me Presidentin e ri Thaçi, të cilin e përgëzoi edhe njëherë për fillimin e detyrës dhe i uroi suksese për përmbushjen e angazhimeve presidenciale.
Presidenti Nishani shprehu bindjen se gjatë mandatit presidencial të zotit Thaçi arritjet e deritanishme të Kosovës si në plan të brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, do të përmirësohen edhe më shumë. “Kosova dhe shoqëria e saj, por edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, kanë nevojë për më shumë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.” – u shpreh Kreu i Shtetit shqiptar. Presidenti Nishani bisedoi me Presidentin e Kosovës edhe për mundësitë e forcimit të gjithanshëm të bashkëpunimit në dobi të dy shteteve dhe qytetarëve të tyre, si dhe të kombit shqiptar. Duke vlerësuar partneritetin strategjik mes dy shteteve, Presidenti Nishani i shprehu mbështetjen e fuqishme të institucioneve të Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin e mëtejshëm të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe ato rajonale.
Të dy Presidentët shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë dhe nxitur më tej marrëdhëniet mes dy shteteve si dhe për t’u koordinuar në funksion të konsolidimit të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore. “Kosova e pavarur dhe progresi i saj janë vlerë e shtuar dhe shumë e rëndësishme për paqen dhe sigurinë në rajonin e Evropës Juglindore dhe në nivel global.” – u shpreh Presidenti Nishani.
Në fund të takimit Presidenti Nishani e ftoi Presidentin e ri të Kosovës për një vizitë zyrtare në Shqipëri, në një kohë sa më të përshtatshme, pas fillimit të mandatit presidencial.
Sigal