Nishani me Presidenten e Kroacisë përshëndesin Forumin Ekonomik Kroaci-Shqipëri

500
Presidenti i Republikës Bujar Nishani së bashku me Presidenten e Republikës së Kroacisë znj. Kolinda Grabar-Kitarović, përshëndetën hapjen e punimeve të Forumit Ekonomik Kroaci-Shqipëri, që po zhvillohet në kuadër të vizitës zyrtare dy ditore të Presidentit Nishani në Kroaci. Ky forum u organizua nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe Dhoma Ekonomike e Kroacisë, ku morën pjesë një numër i madh sipërmarrësish nga të dy vendet.
Presidenti Nishani theksoi që në fillim të fjalës së tij se organizimi i këtij forumi është pjesë e vëmendjes së veçantë që ai personalisht i ka kushtuar gjithmonë mbështetjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar në vizitat zyrtare jashtë shtetit apo në kuadrin e mikpritjes së homologëve të vendeve mike në Tiranë. 
Kreu i Shtetit shprehu bindjen se ky Forum i përbashkët ekonomik do të shërbejë për nxitjen e mëtejshme të kontakteve dhe të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar mes dy vendeve. Duke vlerësuar mbështetjen që Kroacia i ka dhënë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe modelit që ky vend ofron për Shqipërinë dhe rajonin, Presidenti i Republikës u shpreh se në të gjitha takimet zyrtare me autoritetet më të larta kroate, një vëmendje të veçantë ia kishte kushtuar mundësisë së eksplorimit të të gjitha hapësirave dhe mundësive për forcimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar mes dy vendeve.
Presidenti Nishani i njohu të pranishmit edhe me dëshirën dhe vullnetin e palës shqiptare për t’i ngritur marrëdhëniet e shkëlqyera dhe të qëndrueshme në nivel të partneritetit preferencial, duke theksuar se përmes këtij partneriteti së bashku mund t’i nxisim edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mund t’i koordinojmë e sinkronizojmë më mirë formatet e strategjive të përbashkëta, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik.
Kreu i Shtetit përshëndeti gjithashtu nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes dy dhomave të ekonomisë dhe tregtisë, duke theksuar se nënshkrimi i këtij dokumenti është hapja e një kapitulli të ri dhe përmbushja e një prej angazhimeve të marra një viti më parë në Tiranë, gjatë Sesionit të Katërt të Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Kroaci dhe Forumit të Dhomave të Biznesit.
Presidenti Nishani i garantoi sipërmarrësit e të dy vendeve për mbështetjen e tij si President i Republikës dhe të institucioneve shqiptare për përmbushjen edhe të angazhimeve të tjera, me synim arritjen e rezultateve konkrete në përmirësimin e bilancit ekonomik e tregtar, në përputhje me nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit e marrëdhënieve politike.
Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu edhe impaktin rajonal që ka bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, si dhe përshëndeti bashkëpunimin në kuadrin e Korridorit Adriatiko-Jonian, Gazsjellësve TAP dhe IAP, si dhe në kuadrin e Strategjisë së re të Bashkimit Evropian për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit EUSAIR. Kreu i Shtetit i konsideroi këto projekte si mundësi të shkëlqyera për biznesin e të dy vendeve.
Në vijim fjala e plotë e Presidentit Nishani në Forumin Ekonomik Kroaci-Shqipëri, zhvilluar në Zagreb:
Është një kënaqësi e veçantë që në kuadrin e vizitës sime zyrtare në Kroaci të përshëndes, së bashku me Presidenten Grabar-Kitaroviç, këtë forum të përbashkët ekonomik.
Në shumicën e vizitave të mia zyrtare jashtë shtetit, por edhe kur kam mirëpritur homologë të vendeve mike në Tiranë, një rëndësi shumë të veçantë ia kam kushtuar nxitjes dhe mbështetjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes vendeve.
Ky interes dhe kjo dëshirë, sigurisht që nuk mund të mungonin edhe gjatë vizitës zyrtare në Kroaci.
Falë gatishmërisë dhe bashkëpunimit me Dhomën e Tregtisë së Industrisë së Tiranës, si dhe mbështetjen e Presidentes Grabar-Kitaroviç, dhe Dhomës Ekonomike të Kroacisë, u bë i mundur realizimi i këtij Forumi Ekonomik dhe nxitja e mëtejshme e kontakteve dhe e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar mes dy vendeve.
Marrëdhëniet mes popujve tanë janë të shkëlqyera dhe shumë të hershme në historinë e përbashkët të këtij rajoni. Gjithashtu, edhe marrëdhëniet mes dy shteteve tona pas viteve 90, të zhvilluara në dritën e lirisë dhe vizionin euroatlantik të partneritetit dhe bashkëpunimi, janë një bazament shumë i mirë për forcimin edhe të bashkëpunimit ekonomike.
Dje, gjatë ditës së parë të vizitës zyrtare në Kroaci, u ndjeva shumë i nderuar duke u mirëpritur nga autoritetet më të larta kroate: nga Presidentja, Grabar-Kitaroviç; Kryeministri, Oreshkoviç si dhe Kryetari i Parlamentit Rajner, me të cilët bisedova për mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të miqësisë dhe bashkëpunimit.
Pata mundësinë që të shpreh mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i jep procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke mbështetur fuqimisht vijimin e procesit të zgjerimit edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Për ne shqiptarët, Kroacia është një model suksesi dhe anëtarësimin e saj në BE, tre vjet më parë, e kemi vlerësuar si një arritje të madhe dhe ngjarje historike për të gjitha rajonin.
Por dëshiroj t’ju informoj se në bisedat tona, një vëmendje shumë të rëndësishme ia kushtuam mundësisë së eksplorimit të të gjitha hapësirave dhe mundësive për forcimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar mes dy vendeve.
Në këtë kontekst i njoha mikpritësit e mi për dëshirën dhe vullnetin e palës shqiptare për t’i ngritur këto marrëdhënie të shkëlqyera dhe të qëndrueshme, në një nivel më të lartë, në atë të një partneriteti preferencial.
Jam i bindur se, përmes këtij partneriteti së bashku mund t’i nxisim më tej marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mund t’i koordinojmë e sinkronizojmë më mirë formatet e strategjive të përbashkëta, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik.
Por përtej marrëdhënieve të shkëlqyera politike, matja e të cilave bëhet me nivelin dhe numrin e shkëmbimeve zyrtare e kulturore, kuadrit të përbashkët ligjor në fuqi, harmonizimin e qëndrimeve për çështje rajonale apo globale e shumë faktorë të tjerë, për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, është më e thjeshtë dhe më e drejtpërdrejtë, pasi matet me shifra.
Për fat të keq këto shifra nuk ofrojnë ndonjë panoramë të kënaqshme. Shifrat e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik nuk janë aspak në harmoni me nivelin politik të bashkëpunimit dhe lehtësisht konstatohet se shumë pak janë shfrytëzuar potencialet e të dy vendeve.
Por kjo, pavarësisht nga arsyet, sigurisht që nuk mund të na bëjë pesimistë.
Mundësitë janë aty dhe vullneti gjithashtu !
Sot për shembull, ishim dëshmitarë të nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi mes dy dhomave të ekonomisë dhe tregtisë, për të cilën gjej rastin të përshëndes dhe përgëzoj dy drejtuesit e tyre, zotin Buriloviç dhe zotin Jaka, për vullnetin dhe kontributin e dhënë.
Ekzakt një vit më parë, në Tiranë u mbajt Sesioni i Katërt i Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Kroaci për bashkëpunimin ekonomik, i shoqëruar nga Forumi i Dhomave të Biznesit.
Palët përmes protokollit përkatës, ndërmorën angazhime konkrete për institucionet e të dy vendeve, si në realizimin e aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta, ashtu edhe për shkëmbimin e informacioneve dhe të eksperiencave për mundësinë e bashkëpunimit dhe rritjen e kontakteve mes institucioneve të biznesit.
Nënshkrimi i këtij dokumenti do të jetë përmbushja e një prej angazhimeve të një viti më parë në Tiranë dhe, personalisht, por edhe institucionalisht ju garantoj për mbështetjen time dhe të institucioneve shqiptare për përmbushjen edhe të angazhimeve të tjera, me synim arritjen e rezultateve konkrete, të cilat siç e shpreha edhe më lart, maten me shifra.
Kjo marrëveshje i shtohet kuadrit shumë të mirë e të gjerë të përbashkët ligjor që kemi në fuqi, ku një pjesë e mirë e tyre janë në funksion të lehtësimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar.
Aktualisht në Shqipëri janë të regjistruara afro 50 biznese kroate, apo me kapital të përbashkët shqiptaro-kroat, me aktivitet kryesor në fushat e tregtisë, pasurive të patundshme, industrisë së përpunimit, hotelerisë, teknologjisë së informacionit etj..
Mes tyre dallon emra të njohur si Koncar, INA, Crosko, Cro-Team and Dalekovod, por jam i sigurt se pas Forumit të sotëm, këtyre emrave do t’i shtohen edhe emra të tjerë dhe fushat e bashkëpunimit do të zgjerohen edhe më tej.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar mes dy vendeve tona, ka impakt pozitiv edhe për zhvillimet rajonale, si dhe avantazhe që reflektohen edhe në projekte konkrete të iniciuara dhe mbështetura nga iniciativa të ndryshme rajonale dhe nga Bashkimi Evropian.
Korridori Adriatiko-Jonian, ose që ndryshe quhet dhe ‘Korridori Blu’ dhe që në pjesën më të madhe të tij kalon nga Kroacia dhe Shqipëria, është konsideruar një nga korridoret më të rëndësishme si për rajonin tonë ashtu edhe në nivel mesdhetar.
Po ashtu, projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), për të cilën Shqipëria është seriozisht e angazhuar për përmbushjen e tij në territorin shqiptar, do të shërbejë si një bazë shumë e mirë për vënien në jetë edhe të projektit tjetër zhvillimor të rajonit, atë të Gazsjellësit Joniano-Adriatik (IAP), që lidh Kroacinë dhe Shqipërinë, duke përfshirë pothuaj të gjitha vendet e tjera të rajonit tonë.
Shqipëria dhe Kroacia janë gjithashtu pjesë e Strategjisë së re të Bashkimit Evropian për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit EUSAIR dhe jo më larg se nesër, në një prej qyteteve më të bukura të Kroacisë, në Dubrovnik, do të organizohet Forumi i Parë i i kësaj strategjie, me fokus në:
Rritjen Blu;
Lidhjen e Rajonit;
Cilësinë e Ambientit; dhe
Turizmin e qëndrueshëm.
Vendet tona po bashkë drejtojnë shtyllën e katër të kësaj strategjie, atë të turizmit dhe në bashkëpunim me vendet e tjera të rajonit po realizohen projekte konkrete në këtë fushë të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal.
Zbatimi i këtyre projekteve përkthehet në mundësi të shkëlqyera për biznesin e të dy vendeve. Por për një angazhim konkret dhe efikas do të duhet që si institucionet shtetërore, ashtu edhe përfaqësuesit e biznesit të koordinojnë dhe harmonizojnë veprimet e tyre.
Më mirë se kushdo tjetër, këtë moment të rëndësishëm zhvillimor për rajonin e ndieni dhe e vlerësoni ju.
Të nderuar të pranishëm,
Në mbyllje, dëshiroj t’ju garantoj edhe njëherë për mbështetjen time dhe të institucioneve shqiptare, si dhe t’ju uroj sukses në vijimin e Forumit dhe sa më shumë bashkëpunim e kontakte mes jush, në interes të dy vendeve tona, por edhe të rajonit ku bëjmë pjesë. Faleminderit e suksese!”
Sigal