Nishani letër deputetëve: Buxheti i 2017 për mbrojtjen i mangët dhe shkel planin afatgjatë të FA

466
Sigal

Gazeta Telegraf/



Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i
është drejtuar me një letër deputetëve të Kuvendit, ku i kërkon rritjen e
buxhetit të Mbrojtjes për vitin 2017. Kreu i shtetit shqiptar ka shprehur
shqetësimet e tij në lidhje me buxhetin e Mbrojtjes, duke theksuar se ka pasur
një mungesë të konsultimit nga Ministria e Mbrojtjes.

 

Nishani: Në mungesë të
konsultimit paraprak nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, Institucioni i
Presidentit të Republikës ka përdorur dhe vlerësuar informacionin e
administruar në faqen zyrtare të Kuvendit dhe Ministrisë së Financave, dhe çmoj
të domosdoshme të ndaj me Ju, të nderuar deputetë të Kuvendit, disa rezerva
kritike në lidhje me këtë draft. Draft-buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017, e
gjej në shkelje të ligjeve mbi Planin Afatgjatë të Zhvillimit (PAZH 2016-2025)
të Forcave të Armatosura, objektivave strategjike kombëtare të përcaktuara në
Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (SSK), në Strategjinë Ushtarake (SU),
dokumente këto të miratuara në Kuvend si dhe me rekomandimet e Dokumentit të
Rishikimit të Mbrojtjes, i realizuar me mbështetjen e Qeverisë së SHBA-së.

Shqetesimet e
Presidentit për buxhetin e Mbrojtjes

1. Në ligjin nr. 121/2015 “Për miratimin e Planit
Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025”, buxheti i
mbrojtjes për vitin 2017 është përcaktuar të jetë në nivelin e 1% të Prodhimit
të Brendshëm Bruto (PBB). Siç vërehet nga informacioni që gjendet në faqet e
internetit të Ministrisë së Financave dhe Kuvendit të Shqipërisë, në këtë draft
buxhet janë alokuar 25 % më pak se detyrimi i përcaktuar (1%), dhe rrjedhimisht
buxheti i planifikuar për 2017 do të zbresë në 0.75 % të PBB-së! Krahas të
qënit një ulje drastike me ndikim në arritjen e objektivave madhore në fushën e
mbrojtjes, kjo është më e ulëta që prej vitit kur Shqipëria mori statusin e
vendit Aspirant (1999).
Në vijim, në lidhje me këtë çështje, vë në vëmendjen Tuaj se në dokumentin e
Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes, buxheti i mbrojtjes pas vitit 2015 është
parashikuar jo më i vogël se 1.5% e PBB-së, kur në fakt, rezulton se projekt –
buxheti i planifikuar për vitin 2017 është parashikuar sa gjysma e këtij
objektivi.

2. Nënvizoj me shqetësim konstatimin se draft-buxheti i
mbrojtjes për vitin 2017 është shumë më i ulët (afërsisht 2.8 herë) se niveli
2% i PBB-së, synimi kombëtar i konfirmuar në NATO dhe angazhimi i nënshkruar
nga 28 Kryetarët e Shteteve të NATO-s në Samitin e Varshavës, Poloni.
Në këtë pikë, vlerësoj se edhe këtë vit buxheti i planifikuar nuk reflekton
shqetësimet serioze të ngritura në mënyrë konstante nga aleatët tanë
strategjikë dhe vendet partnere të Aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake
ku kemi nderin të bëjmë pjesë.

3. Në detyrimet e përcaktuara dhe të miratuara që gjenden
në dokumenta strategjikë, siç janë Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes (RSM),
Strategjia e Sigurisë Kombëtare (SSK), Strategjia Ushtarake dhe Plani Afatgjatë
i Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-20125, përcaktohet se numri i
personelit do të duhej të ulej. Sipas informacionit që gjendet në
projekt-buxhetin e vitit 2017 rezulton se Ministria e Mbrojtjes parashikon të
rrisë në mënyrë të konsiderueshme numrin e personelit, përtej detyrimeve të
përcaktuara. Vlerësoj se një argumentim nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes është
i nevojshëm për këtë çështje dhe besoj se ky element do të marrë vëmendjen e
duhur nga ana e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.